Lajme

Komunat e Kosovës me mungesë të familjeve strehuese

Autori: Gazeta inFokus 20:09 | 12 December 2023

“Dita e ndarjes është me ndjenja të rënda, por duhet të pajtohemi, sepse kjo punë është e përkohshme dhe ata nuk do të qëndrojnë tërë jetën me ne”, thotë Feride Kabashi.

Shtëpia e saj në Prizren u bë strehë e fëmijëve pa përkujdesje prindërore tash e një dekadë.

Nga viti 2014, ajo dhe bashkëshorti i saj i hapën dyert për 14 fëmijë që, në forma e periudha të ndryshme, mbetën pa prindërit e tyre biologjikë.

-Advertisement-

Feridja, nënë e tre fëmijëve biologjikë, që është pranë të pesëdhjetave, i ka vënë vetës një mision: kujdes maksimal për fëmijët derisa shëndeti t’ia lejojë.

“Në fillim më ka ardhur pak vështirë, sepse kisha frikë, por tani jam shumë e kënaqur me secilin fëmijë që më besohet”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Me sytë që i shkëlqejnë derisa flet për fëmijët, Feridja thotë se periudha dyvjeçare është më e gjata që ka mbajtur një fëmijë në shtëpinë e saj.

“… por ka mundësi, që nëse nuk adoptohet, të mbetet deri në moshën 18 vjeçe. Rritja bëhet sikur të ishte fëmija yt biologjik”, thotë ajo.

Aktualisht, Feridja përkujdeset për dy fëmijë: vajzë nëntëmuajshe dhe djalë tre vjet.

“Të ndahesh është shumë e vështirë, por kur e mendon që ai po krijon një familje të tij, atëherë je e kënaqur. Unë jam e lidhur me fëmijët, duke luajtur me ta, shëtitur, duke i veshur e mbathur… Jam shumë e lidhur dhe e kam problem të ndahem nga ta”, thotë Feridja.

Përveçse në Prizren, familje strehuese ka edhe në komunën e Vitisë.

Po bëhen gati dy dekada prej kur Avdullah dhe Mehreme Kadriu – prindër të dy fëmijëve biologjikë – kanë filluar të strehojnë fëmijë pa përkujdes prindëror.

Njëri në pension e tjetri krejt pranë tij, çifti gëzon ende shëndetin për t’u përmbushur fëmijëve nevojat që kanë.

Nga viti 2004, shtëpia e tyre ka qenë strehë për 37 fëmijë.

Aktualisht, ata përkujdesen për një 17-vjeçar dhe një foshnje njëvjeçare.

“Kemi vendosur të përkujdesemi, sepse kemi pasur dëshirë… Me fëmijë kam qenë shumë e lidhur, fëmijët m’i do shpirti… Kur kam filluar, më thoshin se do të mërzitesh kur t’i marrin për adoptim, por nuk kam besuar që mërzitëm aq shumë… Kur filluan, mërzitesha shumë… shumë”, thotë Mehremja.

“Deri në moshën një vjeçe, duhet shumë përkujdesje. Çdokush ka një dëshirë, por gruaja ime është shumë e dhënë pas fëmijëve”, thotë Avdullahu, 66 vjeç.

Aktualisht, në Kosovë janë 36 familje strehuese, 28 prej të cilave përkujdesen për 52 fëmijë, në mesin e të cilëve tetë me aftësi të kufizuara, tregojnë të dhënat e Organizatës së Fëmijëve pa Përkujdes Prindëror të Kosovës (OFAP).

Janë, po ashtu, edhe nëntë familje potenciale strehuese, të cilat janë në pritje dhe në proces të rekrutimit nga Qendrat për Punë Sociale, si dhe 219 familje farefisnore që përkujdesen për 410 fëmijë, sipas OFAP-it.

Trembëdhjetë komuna pa familje strehuese

Në Kosovë janë 17 komuna, të cilat kanë familje strehuese, ndërsa 13 të tjera ende nuk e kanë asnjë të tillë. Në mesin e këtyre të fundit përfshihen edhe komunat e mëdha, si: Peja, Kamenica, Podujeva dhe Vushtrria.

E, kur në një komunë nuk ka familje strehuese, rastet drejtohen te komunat e afërta. Në një rast në Pejë, për shembull, një fëmijë i braktisur është vendosur në një familje strehuese në komunën e Istogut.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, thotë se tre fëmijë të tjerë janë dërguar në Sos Fshatra në Prishtinë.

“Kemi bërë fushata në këtë drejtim, kemi mbajtur sesione informuese me kryetarë të këshillave lokalë, por nuk ka familje të interesuara”, thotë Mujaj-Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

Për sensibilizim të komunitetit, 45 takime i ka zhvilluar edhe OFAP-i – 19 prej tyre derë më derë.

“Angazhimi ynë duhet të jetë që secila komunë në Republikën e Kosovës të ketë së paku nga tri familje strehuese”, tha Donjeta Kelmendi, nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, gjatë një konferencë të organizuar nga Organizata për Fëmijë pa Përkujdesje Prindërore, të martën në Prishtinë.

Çka pas moshës 18-vjeçare?

Shteti i Kosovës ndan nga 350 euro pagesë mujore për fëmijët pa përkujdesje prindërore, ndërkaq mbështetje financiare për familjet strehuese mund të ofrojnë edhe komunat.

“Komuna e Prizrenit më mbështet me 250 euro. Ndërkaq, 350 eurot e nivelit qendror shkojnë për fëmijët”, tregon Feridja.

“Kemi marrë mjete [financiare], por ato shkojnë të gjitha për fëmijët. Kur kam filluar, kam pasur 70 euro për fëmijë, tani janë 350…”, thotë Mehremja.

Pagesa mujore për fëmijët është rritur në 350 euro këtë vit, pas vendimit të nënshkruar më 1 qershor nga ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Por, mbështetje financiare nuk ka për fëmijët, të cilët e arrijnë moshën 18-vjeçare.

Ibadete Krasniqi nga OFAP-i thotë për Radion Evropa e Lirë se ka raste kur fëmijët, pasi qëndrojnë me familje strehuese, kthehen në shtëpitë në komunitet, përkatësisht në strehimore të shtetit.

“I kemi disa raste, të cilat rikthehen në vende rezidenciale që janë shtëpitë në komunitet… Është shumë e dhimbshme, sepse fëmija tërë progresin që e bën te familja strehuese, në momentin që kthehet, pëson regres. I kemi dy fëmijë mbi moshën 18-vjeçare. Prej pak para pandemisë deri tani i kemi pasur gjashtë apo shtatë raste të tilla. Nuk janë adoptuar, sepse nuk ka interesim”, thotë Krasniqi.

Rastet e tilla, thotë ajo, janë në Prishtinë.

“Kemi kërkuar që fëmija edhe kur i mbush 18 vjet, të vazhdojë të qëndrojë në strehim familjar, t’i jepet një mundësi për disa vite derisa të punohet qoftë në një jetesë të pavarur për ta, apo gjetje të mundësisë tjetër… Nëse aprovohet mbështetja financiare, komuna t’u ndajë një vendbanim dhe të ketë një mbështetje që ai fëmijë, kur të bëhet 26 vjeç, të bëhet i pavarur, të jetë në gjendje ta jetojë jetën e vet në shtëpinë e tij. Nuk ka shumë raste, por një rast kur është, është problem”, thotë Krasniqi.

Projektligji për shërbime sociale dhe familjare është votuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës në muajin tetor dhe ai parasheh fuqizimin e konceptit të strehimit familjar dhe konceptin e familjes strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore.

Kjo masë pritet t’ua ofrojë mundësinë fëmijëve mbi moshën 18- vjeçare të qëndrojnë në familje strehuese deri në moshën 26-vjeçare.

“Kemi në fokus ngritjen e kapaciteteve të anëtarëve brenda familjeve strehuese përmes trajnimeve adekuate, në mënyrë që familja strehuese të dijë të menaxhojë dhe t’i kalojë sfidat, me të cilat do të përballet në rastin kur merr në strehim një fëmijë. Sepse, puna me këta fëmijë duhet të jetë më e veçantë, kujdesi të jetë maksimal dhe dashuria për ta duhet të jetë e shumëfishtë”, tha ministrja Haxhiu, të martën, gjatë konferencës së OFAP-it.

Kush mund të jetë familje strehuese?

Fëmijët e braktisur kryesisht merren në spital nga organi i kujdestarisë në Qendrat për Punë Sociale. Ata më pas dërgohen në familje strehuese në komunën përkatëse.

Familje strehuese mund të jetë çdo familje që i hap dyert për fëmijët pa përkujdes prindëror, por duke i përmbushur disa kushte.

Familjet nuk duhet të jenë të ndjekura penalisht. Nëse kanë fëmijë biologjikë, ata duhet të jenë më të mëdhenj se dy vjeç, nuk duhet të kenë sëmundje ngjitëse, duhet ta ndjekin procedurën e rekurtimit, vlerësimit, hapësirës, gjendjes ekonomike, të kenë hapësirë të mjaftueshme, të kenë raporte të mira në çift, apo familje.

Gjithashtu duhet të jenë të vlerësuara dhe trajnuara që të bëhen familje strehuese.

Të gjitha këto kritere janë vendosur me Udhëzimin e strehimit familjar.

Krasniqi, nga OFAP-i, thotë se sa më shkurt që një familje strehuese e mban një fëmijë, aq më mirë. Kjo, për shkak të lidhjes emocionale që mund të krijohet mes tyre.

Sipas Krasniqit, nëse prindërit e fëmijës, i cili merret për strehim familjar, nuk arrijnë ta përmirësojnë gjendjen e tyre dhe nuk mund ta kthejnë fëmijën në shtëpi, atëherë hapet procedura për zgjidhjen e statusit të fëmijës, që përfshin aplikimin në gjykata për heqje të së drejtës prindërore.

Prindërve biologjikë u jepet kohë deri në dy vjet për përmirësim – nëse kjo nuk ndodh atëherë fëmija fiton statusin e fëmijës potencial për adoptim dhe kjo i hap procedurat e adoptimit, thotë Krasniqi.

Për rregullimin e çështjeve që lidhen me fëmijët pa përkujdes prindëror, duhet të ketë fuqizim të Qendrave për Punë Sociale, tha Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në konferencën e OFAP-it.

“Fuqizimi i qendrave për punë sociale është detyrë e së ardhmes dhe domosdoshmëri e përmirësimit të gjendjes në raport me shërbimet sociale. Qendrat për Punë Sociale duhet të fuqizohen, sepse, nga raportimet e deritashme, del se nuk e kanë pasur mbështetjen e duhur për t’i siguruar kapacitetet e mjaftueshme për të ofruar shërbime që garantojnë mirëqenie për fëmijët pa përkujdesje prindërore, por edhe aspekte tjera sociale”, tha Qelaj.

Feride Kabashi, e cila dy nga fëmijët biologjikë i ka jashtë Kosovës, thotë se e ka të vështirë ta lërë punën me fëmijët që strehon.

“Sa të kem shëndet, do ta vazhdoj këtë punë, edhe pse fëmijët po duan të më marrin jashtë shtetit, por nuk dua të shkoj, sepse jam e lidhur me fëmijët këtu”, thotë ajo./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera