Lajme

Komisioni i 6 janarit pritet të rekomandojë ngritjen e akuzave penale ndaj zotit Trump

Autori: Gazeta inFokus 17:35 | 19 December 2022

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e sulmin të 6 janarit në Kapitol, zhvillon sot seancën e fundit publike. Komisioni pritet t’i rekomandojë Departamentit të Drejtësisë ngritjen e akuzave penale ndaj ish Presidentit Donald Trump.

Komisioni i përbërë nga 7 demokratë dhe dy republikanë, veç ish presidentit, pritet të rekomandojë ndjekjen penale edhe të disa ish ndihmësve të tij, nën akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga demokrati Joe Biden.

Komisioni i 6 janarit nuk ka fuqi ligjore, prandaj rekomandimi për ndjekjen penale shënon vetëm një akt simbolik, pasi ngritja e akuzave i takon Departamentit të Drejtësisë.

-Advertisement-

“Mendoj se Presidenti Trump ka kryer disa shkelje ligjore dhe ai duhet të trajtohet si çdo amerikan që thyen ligjin dhe të ndiqet penalisht”, tha për CNN-in të dielën, demokrati Adam Schiff, anëtar i Komisionit.

Komisioni do të shkrihet në 3 janar, kur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ta marrin republikanët.

Që nga ngritja e tij në korrik të vitit 2021, komisioni ka intervistuar më shumë se 1 mijë persona, ka zhvilluar 10 seanca dëgjimore publike dhe ka administruar më shumë se sa 1 milionë dokumente.

Mbledhja e një numri të madh provash, ka nxitur anëtarët e komisionit të deklarojnë se zoti Trump duhet të fajësohet për sulmin e dhushëm të Kapitolit nga mbështetësit e tij rreth dy vjet më parë.

Ligjvenësit kanë sugjeruar që zoti Trump të akuzohet për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, përpjekje pëpr të ndërprerë seancat zyrtare të Kongresit dhe kryengritje.

Ndërsa për ndihmësit e tij janë sugjeruar akuza për shklekje të ligjeve të etikës, abuzime ligjore dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatave.

Komisioni pritet të bëjë publike sot një përmbledhje ekzekutive të raportit final, i cili, kur të shpërndahet pas disa ditpësh pritet të përmbajë intervistat e zbardhura dhe rekomandime ligjore.

“Amerikanët kanë ndjekur punën e këtij komisioni dhe ne duam që njerëzit ta dinë se Kongresi e bëri punën e tij”, tha demokrati Jamie Raskin, një tjetër anëtar i Komisionit.

Edhe pse nuk kanë fuqi ligjore, rekomandimet e Komisionit do të shtonin presionin politik ndaj Prokurorit të Përgjitshëm Merrick Garland dhe Prokurorit të Posaçëm Jack Smith, që po zhvillojme hetime mbi mënyrën e trajtimit të dokumenteve qeveritare, nga ana e ish-presidentit, pas largimit nga detyra në janar të vitit 2021.

Zoti Smith u emërua në nëntor si prokuror i posaçëm me përgjegjësinë e mbikqyrjes së hetimeve për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara në Mara-Lago, rezidencën në Florida të ish-Presidentit Donald Trump, si dhe disa aspekte të hetimit për përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga demokrati Joe Biden. (Voa)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera