Lajme

Këto janë tri detyrat ku shumica e nxënësve të Kosovës patën vështirësi në testin PISA

Autori: Gazeta inFokus 15:57 | 09 September 2026

Rezultatet e fundit të testit PISA kanë rikthyer në vëmendje gjendjen e arsimit në Kosovë dhe vështirësitë që nxënësit kanë në matematikë, lexim dhe shkencë.

Agon Ahmeti, drejtor i organizatës ETEA, përmes një postimi në Facebook ka thjeshtëzuar disa nga detyrat në të cilat nxënësit e Kosovës kanë hasur vështirësi, duke i paraqitur ato përmes shembujve të përditshëm.

Në matematikë, Ahmeti ka marrë si shembull dy rrugë për të arritur në një qytet. Rruga A përbëhet nga 30 kilometra deri në një fshat dhe 40 kilometra të tjera deri në qytet, ndërsa rruga B është 60 kilometra drejtpërdrejt.

-Advertisement-

Sipas shembullit të paraqitur prej tij, 85 për qind e nxënësve nuk arritën ta kuptonin se duhej të mblidhnin 30 me 40 për të konstatuar se rruga B është 10 kilometra më e shkurtër.

Në pjesën e leximit, shembulli flet për Artën, e cila kishte planifikuar një piknik, por ditën e diel pa nga dritarja se po binte shi dhe e futi përsëri çantën në dollap.

Sipas Ahmetit, 84 për qind e nxënësve nuk arritën ta kuptonin se Arta e kishte futur çantën në dollap për shkak se shiu ia kishte prishur planet për piknik.

Ndërsa në shkencë, shembulli përfshin dy peshqirë të lagur me të njëjtën sasi uji, ku njëri lihet i shtrirë dhe tjetri i palosur. Pas dy orësh, peshqiri i shtrirë është tharë, ndërsa ai i palosur jo.

Në këtë rast, sipas shembullit të Ahmetit, 79 për qind e nxënësve nuk arritën ta kuptonin se peshqiri i shtrirë ka sipërfaqe më të madhe në kontakt me ajrin dhe, rrjedhimisht, uji avullon më shpejt.

Shembujt e publikuar nga Ahmeti janë versione të thjeshtëzuara të detyrave, përmes të cilave ai ka synuar të ilustrojë vështirësitë e nxënësve të Kosovës në tri fushat e vlerësimit të PISA-s.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy