Lajme

Këto janë shifrat e grave dhe burrave që nuk kanë vend punë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 18:27 | 18 April 2019

Derisa në vend ka zyrtarë që kanë më shumë se dy vende pune, në tërë Kosovën janë rreth 100 mijë qytetarë që nuk punojnë askund.

Ata tash e sa vite janë në kërkim të një pune, prej së cilës do të mund ta siguronin kafshatën e gojës.

Një numër i madh i tyre kanë edhe diploma universitare. Disa edhe Master.

-Advertisement-

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale i kanë thënë se numri i të papunëve në gjithë vendin shkon në më shumë se 95 mijë të papunë.

Drejtori i Departamentit për Tregun e Punës, Shpëtim Kalludra thotë se mbi 43 mijë e të papunëve janë të gjinisë femërore.

“Numri i përgjithshëm i të papunëve të regjistruar nga shërbimet publike të punësimit deri në fund të vitit 2018 është rreth 95,890 persona, ku prej tyre femra janë 43,547 persona, ndërsa meshkuj rreth 52,343 persona”, ka thënë Kalludra.

Në bazë të statistikave të MPMS, në mesin e të papunëve ka edhe kosovarë që kanë përfunduar studimet. Numri i këtyre të fundit shkon në mbi 11 mijë.

“Të regjistruarit si te “pakualifikuar” janë rreth 22.003 persona, ndërsa të papunët e regjistruar me “sh. fillore” arrijnë shifrën prej 24.306 persona, ndërsa te regjistruarit me “sh. e mesme profesionale” arrijnë shifrën ne 31.506 persona dhe “shkolle e mesme gjimnaz” me 6.592 persona. Ndërsa numri i te regjistruarve me arsimin e larte “bachelor” është rreth 10.787 persona si dhe me “master” mbetet në shifra modeste prej 696 persona”, thuhet në përgjigjet e Kalludrës.

Kalludra deklaron se me numrin më të lartë të të papunëve kryeson Prishtina, pasuar nga Prizreni e Mitrovica. Vetëm në kryeqytet, të papunë janë mbi 23 mijë persona.

“Prizreni është rajoni i dytë me numrin e te regjistruarve si te papunësuar me rreth 16.087 persona ose 17% si dhe është pasqyruar rritje për 3.5%. Mitrovica merre pjese me 14.880 persona te regjistruar si te papune ose  16% si dhe ka treguar rritje prej 6.7%”, ka thënë ai.

E derisa në gjithë vendin janë rreth 100 mijë qytetarë që po presin për një vend pune, në Ministrinë e Punës thonë se aktualisht në vend janë rreth 15 mijë vende të lira të punës.

Kalludra deklaron se numri me i madh i  vendeve të lira të punës që po ofrohen i referohen kryesisht sektorit të industrisë përpunuese, sektorit të bujqësisë, gjuetisë, si dhe sektori i tregtisë, riparim i automobilave dhe artikujve shtëpiak.

Ndërkohë, që sektori i cili ka gjeneruar më shumë vende të punës mbetet ai privat.

“Vendet e lira te punës sipas pronësisë janë mjaft me rendësi, ku gjate këtij viti raportues përsëri numri me i madhe i vendeve te lira te punës është gjeneruar nga  sektori privat me rreth 86% (12.719) ndërsa sektori publik me 14% (2.128). Nëse shikohet trendi ne mënyre lineare sektori privat është promotori kryeso ne zhvillimin ekonomik dhe ne hapjen e vendeve te reja te punës”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë drejtuar gazetës.

Ndërkohë, fajin se pse kosovarët e diplomuar nuk po arrijnë që të gjejnë punë, njohësit e arsimit po ua lënë institucioneve arsimore, derisa thonë se ndikim ka edhe ekonomia.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci, i ka thënë Gazetës Express se arsyeja kryesore që kosovarët nuk po arrijnë të gjejnë punë qëndron te ekonomia dhe te Institucionet e Arsimit të Lartë.

“Arsye kryesore është ekonomia, e cila nuk gjeneron vende të punës aq sa ka kërkesë. Tjetër arsye, është edhe numri i madh i të diplomuarve në arsimin e lartë. Është vendi i tetë në botë për nga pjesëmarrja, dhe ekonomia në gjendjen në të cilën është nuk mund t’i absorbojë të gjithë të diplomuarit”, thotë Pupovci.

Pupovci thotë se për tu përmirësuar kjo gjendje, Institucionet arsimore duhet t’i pajisin studentët me shkathtësitë që kërkohen në tregun e punës.

Edhe në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se shumë prej bizneseve ankohen se të punësuarit nuk po janë të aftë për tregun e punës.

Drejtori i OEK-ut, Berat Rukiqi, i ka thënë Gazetës Express se një nga arsyet se pse ka kaq shumë të pa punësuar në vend është edhe mungesa e komunikimit në mes të sektorit privat dhe publik.

Rukiqi thotë se Universitet duhet të përgatisnin kuadro që i nevojiten tregut.

“Shumica e kompanive ankohen se punëtorët nuk janë të përgatitur sa duhet dhe nuk janë shumë produktiv. Ka mungesë komunikimi në mes të sektorit privat dhe publik. Mungesa e këtij komunikimi po shfaqet në ankesat e bizneseve për të gjithë ata që synojnë”, tha Rukiqi.

I pari i OEK-ut sugjeron që disa prej drejtimeve duhet të reduktohen ose të mbyllen tërësisht.

“Ka shumë drejtime të cilat nxjerrin të diplomuar më shumë se që ka nevojë tregu i punës. Këto drejtime duhet të reduktohen apo fare të mos ekzistojnë, siç janë drejtimet që lidhen me administratën dhe shkencat shoqërore”, kishte thënë Rukiqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera