Kërkohet periudhë “fiskale neutrale” para zgjedhjeve – çdo ndërhyrje e qeverisë krijon pabarazi në garë
Autori: Gazeta inFokus
10:30 | 29 May 2026
Kur një qeveri shpërndan para publike në prag të zgjedhjeve, kufiri mes politikës sociale dhe ndikimit elektoral bëhet i paqartë.
Në Kosovë, ky kufi u sprovua sërish pas vendimeve të fundit të Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit për një sërë masash të mbështetjes sociale, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në ditët para hapjes së fushatës zgjedhore më 28 maj, ajo ndau nga 100 euro si përkrahje të njëhershme për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët; e rriti në 500 euro mbështetjen për lehonat; dhe ndau dy milionë euro subvencionim për kompanitë ajrore, për t’ua lehtësuar fluturimin mërgimtarëve gjatë verës.
Mbështetje e tillë ad hoc ishte dhënë edhe në prag të zgjedhjeve të kaluara, më 2025.
Vendimet nxitën kritika nga shoqëria civile dhe opozita, e cila i cilësoi veprimet e Qeverisë në detyrë si përpjekje për “blerje votash”.
Ligjet e tanishme në Kosovë nuk ia ndalojnë qartazi një qeverie ndarjen e ndihmave sociale apo subvencioneve në kohë parafushate apo në prag të zgjedhjeve.
Çfarë ndryshimesh mund të bëhen?
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se do të duhej të përcaktohej qartë me ligj se, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, Qeveria në detyrë nuk duhet dhe nuk mund të marrë vendime për ndarjen e pakove të reja financiare për kategori të caktuara shoqërore.
Qeveria në detyrë, sipas parimit të kufizimit të veprimeve të saj, duhet të ushtrojë vetëm funksione të domosdoshme, dhe të vazhdojë zbatimin e politikave të nisura apo të planifikuara paraprakisht, vlerëson ai.
Jakaj thotë se “ajo nuk duhet të ketë hapësirë që, përmes vendimeve të veçanta, të transferojë mjete publike për kategori të caktuara, nëse këto mjete nuk janë të planifikuara qartë dhe nëse vendimi mund të prodhojë efekt elektoral”.
Për këtë arsye, nënvizon ai, është e nevojshme të krijohet një periudhë “fiskale neutrale” para zgjedhjeve, gjatë të cilës një qeveri nuk mund të shpallë masa të reja financiare apo subvencione, pasi çdo ndërhyrje e tillë krijon pabarazi në garën zgjedhore dhe rrezikon që buxheti publik të përdoret për ndikim zgjedhor.
Po ashtu, këshillon ai, nevojitet një kod i sjelljes për Qeverinë gjatë periudhës zgjedhore, veçanërisht për përdorimin e resurseve shtetërore, si automjetet zyrtare, derivatet e të tjera, në mënyrë që partia që qeveris të mos ketë përparësi ndaj partive të tjera.
Ligji i tanishëm për Zgjedhjet nuk specifikon nëse vendime si këto të Qeverisë në detyrë, në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, janë të kundërligjshme.
Meqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka rol të drejtpërdrejtë në kontrollin e shpenzimeve publike të Qeverisë, pasi mandati i saj lidhet kryesisht me administrimin e procesit zgjedhor, Jakaj thotë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit duhet të ketë rol më aktiv në vlerësimin e konfliktit të interesit dhe të keqpërdorimit të resurseve shtetërore gjatë fushatës.
Gjithashtu, sipas tij, Zyra Kombëtare e Auditimit duhet të bëjë inspektim të veçantë për shpenzimet publike në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore, sidomos për subvencionet dhe vendimet ad hoc të qeverisë.
Në prill, IKD-ja e dorëzoi në Kuvend një nismë legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, ku njëra nga fushat kryesore lidhet pikërisht me kriminalizimin e keqpërdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Kur ndihmat lidhen me zgjedhjet
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës thanë më 2016, përmes një udhëzuesi, se ligjet shtetërore duhet të garantojnë ndalesa të qarta dhe të zbatueshme kundër përdorimit të buxhetit dhe infrastrukturës shtetërore për përfitime zgjedhore.
Sipas udhëzuesit, keqpërdorimi i mjeteve publike është fenomen i konsoliduar dhe i përhapur në shumë vende evropiane, dhe keqpërdorimet ndodhin gjatë gjithë procesit zgjedhor, dhe jo vetëm gjatë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore.
Për shembull, në një raport më 2022, misioni vëzhgues i OSBE-së gjeti se Qeveria në detyrë në Serbi paraqiti një sërë skemash financiare për të joshur demografi specifike votuesish pak para zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të atij viti.
Ajo ndau pagesa të njëhershme prej 100 eurosh për të rinjtë, dhe pagesë prej 2.500 eurosh për të sapolindurit.
OSBE-ja tha se, derisa shteti pretendoi se këto ishin masa për mirëqenie publike, koha dhe shpërndarja e tyre në mënyrë të paplanifikuar dhe të jashtëzakonshme ishin në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Si i ka arsyetuar Kurti vendimet?
Kryeministri në detyrë i Kosovës i ka hedhur poshtë kritikat se vendimet për mbështetje financiare nga Qeveria në kohë zgjedhjesh janë “blerje votash”.
Duke reaguar në veçanti për subvencionimin prej 2 milionë eurosh për linjat ajrore, Kurti tha më 27 maj se këtë e bëri për ta shmangur anulimin e mundshëm të fluturimeve në muajt gusht dhe korrik për shkak të rritjes së kostos së karburantit, por pa ofruar dëshmi.
Mbështetja për mërgatën përfshihet në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, të miratuar fillimisht më 2021, por ajo nuk specifikon subvencionim për kompanitë e fluturimeve.
Ministria e Financave nuk është përgjigjur nëse subvencionimi i linjave ajrore ishte parashikuar më herët, apo nëse do të jetë përkrahje afatgjatë.
Qeveria në detyrë i ekzekutoi shtesat për lehonat me vlerën e re, të rritur, prej 500 eurosh më 24 maj, më shumë se një muaj para se paga minimale prej 500 eurosh të hynte në fuqi.
Kurti nuk tregoi arsyen pse e shmangu pritjen deri në korrik./REL

T� tjera
-
Rryma u ndal gjatë testit me studentët, Bajrami ironizon: Kosova e progresit të paparë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila ësh...
-
Presidentja Shiroka Pula takon ambasadorin hungarez, këto janë çështjet që ishin në fokus
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e...
-
Inspektorati i Punës ndërpret punimet në një objekt ndërtimi në Gjakovë – masat e sigurisë nuk u respektuan
Inspektorati Qendror i Punës njofton se ka ndërmarrë masa ndaj një objekti nd...
-
Vrasja e Arlinda Zekajt, drejtoresha e QPS-së pyetet: Në krejt këtë periudhë ku qëndronte fëmija, a është marrë dikush me nënën
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, ka dekla...
-
Deliu-Kodra reagon ashpër pas vra*sjes në Suharekë: Si mundet një vra*sës i dënuar në Zvicër të pajiset me ar*më me leje në Kosovë?
rasja e tronditme e ndodhur mesditën e sotme në Suharekë, ku mbeti i vrarë Sy...
-
Drejtoresha e QPS-së në Pejë: S’kemi bërë kërkesë për shtim të stafit, me Arlindën nuk jam takuar asnjëherë
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Shp...
-
Muhaxheri nis dëshminë për rastin e Arlinda Zekajt: QPS kërkoi senzor armësh në hyrje edhe një njeri më të fuqishëm si roje
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka nisur dëshminë e tij sot p...
-
Jakup Krasniqit i përfundon vizita, niset drejt zyrave të EULEX-it, qytetarët brohorasin: UÇK, UÇK
Pas rreth gjashtë orëve të qëndrimit në shtëpinë e tij në Prishtinë, Jakup Kr...
-
Vizita e Jakup Krasniqit drejt përfundimit, EULEX-i kthehet te shtëpia e tij
Pas rreth gjashtë orëve të qëndrimit në shtëpinë e tij në Prishtinë, Jakup Kr...
-
S’i kryen detyrat e fjetën gjatë ndërrimit, Trepça largon përkohësisht nga puna katër punëtorë
Trepça ka njoftuar se ka larguar përkohësisht nga puna të katër punëtorë. ...
-
“Blloqet e KEK-ut bien pikërisht kur energjia blihet me çmime marramendëse”, Ejupi ngre dyshime të forta për mafien energjetike
Analisti politik, Burim Ejupi, ka ngritur dyshime për mënyrën se si ndodhin n...
-
E qëlloi viktimën në prani të gruas dhe vajzës së tij të mitur, Prokuroria deklarohet për vra*sjen në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, është deklaruar lidhur me rastin e rëndë që ...































