“Janë të paktën 11 varreza masive”: Kosova synon gërmime të reja në Serbi
Autori: Gazeta inFokus
16:02 | 22 September 2026
Institucionet kosovare janë kthyer për kërkime në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, në Serbi, ku dyshohet për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky është viti i tretë që ky vend – ku dyshohet për mbetje mortore në një thellësi prej 15 metrash nga sipërfaqja e tokës, në një zonë të shfrytëzuar për deponi të mbeturinave – është pjesë e agjendës së kërkimeve, thotë Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës.
“Do të vazhdojnë gërmimet, pa një informacion të saktë për lokacionin. Kjo i bie që ne, si institucion, si delegacion, sigurisht që nuk mund t’i themi jo asnjë gërmimi në territorin e Serbisë, por megjithatë do të jemi shumë të kujdesshëm në kuptim të menaxhimit të pritshmërive”, shprehet Gara në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Aktualisht janë identifikuar tri pika për vlerësim në terren, bazuar edhe në pamje satelitore, pohon Gara, duke theksuar se këto pamje nuk mbulojnë periudhën më të rëndësishme.
“Nuk e dimë se si ishte gjendja në prill dhe maj 1999, kur ndodhi zbatimi i urdhrit ose strategjisë zyrtare të Beogradit ‘S’ka trup – s’ka krim’, kur ndodhi pastaj edhe bartja kufomave nga lokacioni ose nga vendi i masakrës, ose në lokacione të ndryshme në territorin e Serbisë”, thotë ai.
Identifikimi i viktimave nga varrezat masive në Zubin Potok
Ndërkohë, në Kosovë po vazhdon procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës së sivjetme në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, në komunën veriore të Zubin Potokut.
Sipas autoriteteve, pas konfirmimit të tri viktimave të para – Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut – po vazhdon puna edhe për identifikimin e njëzet të tjerave.
Gara thotë se rezultatet për pjesën tjetër të mbetjeve mortore do të varen nga procesi laboratorik dhe mund të kërkojnë më shumë kohë.
“Afatet optimale që kemi prezantuar kanë qenë katër deri në gjashtë javë nga dërgimi i mostrave. Megjithatë, përvoja tregon që duhet më shumë kohë”, thotë Gara në intervistën për REL-in.
Procesi i identifikimit të mbetjeve të tjera tashmë është në duart e laboratorit që kryen analizat e ADN-së, në Hagë të Holandës.
“Çështja ka kaluar në pjesën e laboratorit të ADN-së, përkatësisht në Komisionin Ndërkombëtar [për Persona të Zhdukur]”, tregon Gara.
Ai thotë se mostrat u dërguan në fillim të shtatorit, pasi ekspertët mjekoligjorë përfunduan ekzaminimet e nevojshme.
Sipas Garës, pas marrjes së rezultateve të ADN-së, Instituti për Mjekësi Ligjore i Kosovës duhet të përfundojë edhe procedurat e konfirmimit të identitetit dhe dokumentacionit përkatës.
“Janë dokumente, disa prej të cilave duhet t’i dorëzohen familjeve, dhe pjesa tjetër pastaj do të dorëzohet tek institucionet përkatëse”, sqaron ai.
Varrezat në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë u konfirmuan pas një procesi hetimor disamujor të kryer nga institucionet e Kosovës, thotë Gara.
Sipas tij, deri tek konfirmimi i lokacioneve të sakta të varrezave masive ndihmuan hetuesit e Policisë së Kosovës për krime lufte, përmes “shqyrtimit të detajuar të të gjitha të dhënave, punës në terren dhe komunikimit me dëshmitarët e mundshëm”.
“Të paktën 11 varreza masive në territorin e Serbisë”
Në intervistën për REL-in, Gara pohon se rajoni i Rashkës, në Serbi, mbetet një nga zonat me interes për kërkimet e ardhshme.
Institucionet e Kosovës po kërkojnë nga Serbia të vërë në dispozicion një listë me 16 varreza masive, e cila ishte bërë publike në vitin 2001, tregon ai.
“Deri më tani, kemi pesë varre masive të konfirmuara, pra Batajnicën, Petrovo Sellon, Peruçacin, Rudnicën dhe Kizhevakun”, thotë Gara.
Sipas tij, në këto pesë lokacione janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë.
“Në qoftë se këto pesë varre masive janë pjesë e kësaj liste, atëherë i bie që janë të paktën 11 varreza masive në territorin e Serbisë”, shprehet Gara.
Ai përmend edhe lokacione të tjera, ku institucionet e Kosovës kërkojnë qasje, ose rikthim për gërmime, përfshirë Batajnicën, Peruçacin dhe zonën e Shtavalit.
Sipas Garës, presioni dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë kanë pasur rol në identifikimin dhe hapjen e lokacioneve të kërkimit në Serbi.
Ai përmend pamjet satelitore, të siguruara përmes partnerëve ndërkombëtarë, që sipas tij tregojnë për një bashkëpunim thelbësor me ta.
Gara thotë se institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë rritjen e presionit ndaj institucioneve të Serbisë për të ofruar të dhëna nga arkivat dhe për të lejuar gërmimet në territorin e saj.
Kërkimet në Kosovë
Në territorin e Kosovës, sipas Garës, aktualisht po gërmohet për një të zhdukur në komunën e Skenderajt.
Ai bën të ditur se në ditët në vijim do të nisin gërmimet edhe në varrezat e qytetit në Mitrovicë të Veriut, ashtu sikurse në rajonin e Prizrenit, Gjakovës, dhe Pejës.
Varrezat e qyteteve të mëdha janë veçanërisht sfiduese, pasi gjatë dhe pas luftës ato dyshohet se janë përdorur edhe për fshehjen e trupave, thotë Gara.
“Çdo gërmim, sigurisht që mund të hasë në eshtra, por jo gjithsesi që ndërlidhen me rastet e viktimave të luftës”, sqaron ai./REL

T� tjera
-
Tre ekspertë do të angazhohen në Komisionin Hetimor për rastin e Arlindës
Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka zgjedhur tre e...
-
Shiroka-Pula: Konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim drejtorin e l...
-
“Çka flet ti e shtrembëron“, përplasje mes Hotit e Muratit për projektbuxhetin e vitit 2027
Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit ...
-
Kurti takon deputetët francezë, diskuton për thellimin e marrëdhënieve Kosovë–Francë
Kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në një takim në ...
-
“Nuk e kam obligim me ju dhënë përgjigje” – Deputeti i VV nuk tregon pse mungoi në mbledhjen e Komisionit për rastin e Arlinda Zekajt
Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet instit...
-
Nga 23 nëntori, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda sekondash
Qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të mund të realizojnë transfere bankare b...
-
Mbreti i Holandës uron Presidenten Shiroka Pula për marrjen e detyrës
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga M...
-
Kurti për fitoren e Listës Studentore në Serbi: Testi i parë është njohja e pavarësisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret që qeveria e re në Serbi ta njohë p...
-
Hoti: Kurti mashtron veten dhe botën me deklaratat se e ka ulur pabarazinë në paga
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se deklarat...
-
Arrestohet ish-ministri i Ekonomisë në Serbi
Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është arrestuar nën dyshimin p...
-
Vendimi | Gjyqi ndaj Jeton Sylajt i mbyllur, “me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare”
Gjykata Themelore në Pejë ka konfirmuar për Gazetën Infokus se seanca fillest...
-
Dhun*ohet e mitura në Fushë Kosovë, dërgohet në strehimore
Një e mitur është dhunuar nga një person në Fushë Kosovë. I dyshuari sipas...






























