Ekonomi

Ja kush udhëheqë me drejtoritë e urbanizmit nëpër komuna

Autori: Sylejman Sylejmani 16:33 | 30 January 2019

Arben Bakalli udhëheq me drejtorinë e urbanizmit në Gjakovë.

Megjithatë, profesioni i tij nuk është as arkitekt e as ndërtimtar.

Ai është jurist, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Sikur në Gjakovë edhe nëpër komunat tjera drejtoria e urbanizmit udhëhiqet nga persona që nuk kanë lidhje me urbanizmin.

Ato kryesisht udhëhiqen nga ekonomistë e juristë.

Por, për Bakallin kjo nuk paraqet asnjë problem, pasi sipas tij aty e luan vetëm rolin e menaxherit.

“Këtu e luan rolin e menaxherit. Ideja e kryetarit ka qenë që të mos jetë arkitekt drejtori i urbanizmit. Nuk paraqet problem, sepse kur e ke stafin profesional që i kryen të gjitha punët, drejtori është vetëm si menaxher. Viti i parë ka qenë i sukseshëm edhe pse drejtori nuk ka qenë arkitekt”, tregon ai.

Mirëpo, kështu nuk mendon edhe drejtori i urbanizmit në Prizren, Fatmir Memaj i cili gjithashtu me profesion është jurist.

Për të më mirë do të ishte që me drejtoritë të udhëheqin profesionistët e fushave.

“Sigurisht se do të ishte më mirë që këtë sektor ta udhëheqin profesionistët e fushave, por të them sinqerisht këtë punë edhe e kemi shqyrtuar dhe ua kemi ofruar edhe njerëzve të fushës, por sigurisht ata janë të angazhuar nëpër disa detyra më të mira dhe atraktive dhe nuk kanë pasur vullnet ta pranojnë këtë detyrë”, thotë Memaj.

Edhe në komunën e Prishtinës me drejtorinë e urbanizmit udhëheq një jurist, e kjo sipas zëdhënësit të saj Adonis Tahiri nuk paraqet fare problem.

Sipas tij, të gjithë punën nëpër drejtori e kryejnë punëtorët.

“Secila prej këtyre drejtorive i ka ekspertët e fushës së caktuar brenda vetes. Pjesën më të madhe të punës nëpër drejtori e bëjnë punëtorët, e bëjnë sektorët, shefat e sektorëve, kështu që në krye të drejtorisë do të ishte shumë mirë që të jenë menaxher të mirë, jo patjetër ta kenë profesion fushën të cilën e udhëheqë drejtoria. Për shembull ne në urbanizëm e kemi jurist Ardian Ollurin i cili për mrekulli e zbaton ligjin e ndërtimit dhe të legalizimit në të cilat thirret kjo drejtori”, thotë për inFokus Tahiri.

As në Mitrovicë, me urbanizmin nuk udhëheq ndonjë arkitekt, apo dikush që specializim e ka urbanizmin.

Me të udhëheq Besnik Beka, i cili me profesion është ekonomist.

“Është pozicion politik dhe nuk do të thotë se është e qëlluar që një fushë të caktuar e udhëheqë një person i fushës së njëjtë. Nuk do të thotë që aty është suksesi. Mbi të gjitha çdo drejtori dhe çdo vend është menaxhim. Arkitekti është i mirë në arkitekturë, por nuk është i mirë në menaxhim. Nuk mendoj që një person duhet të jetë arkitekt, që të jetë menaxher. Kjo pasi pozicioni që unë udhëheqi, është një pozicion i menaxherit, e jo i arkitektit. Me qenë arkitekt dhe njëkohësisht menaxher i mirë, është fat”, thotë Beka.

Megjithatë, gjithë këtë punë ndryshe e sheh arkitekti Bekim Damka, i cili është edhe drejtor i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës.

Ai thotë se kur ke një specializim në urbanizëm është shumë më e lehtë që të përcillen trendet.

“Së për i duhet të jetë profesionist. Nuk kisha thënë arkitekt, por urbanist. Së paku të ketë njohuri për lëmin, por duhet të jetë edhe menaxher. Në menaxhimin e stafit mund të jesh urbanist i mirë dhe të kesh një të kaluar të mirë si profesionist, por të jesh menaxher i keq. Edhe pse kur e ke një specializim në urbanizëm e ke shumë më lehtë t’i përcjellësh trendet, është më e lehtë”, vlerëson Damka.

Edhe për ekspertin e çështjeve lokale, Admir Shala i cili ka monitoruar për një kohë edhe komunën e Prishtinës, drejtorët po të vinin nga fushat që i kanë profesion do ta rrisnin cilësinë e punës.

“Mendoj se do të rriste cilësinë e punës sepse ata do të vinin nga fushat që i njohin vet. Poashtu do të ndihmonte me identifikimin e sakt të nevojave të qytetit dhe fshatrave, sepse njohës të fushave përkatëse gëzojnë përvojë në fushat e tyre dhe kjo do të ishte përparësi e madhe”, thekson Shala. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera