Lajme

Ish-kryeshefi i KPM-së del para gjykatës, deklarohet i pafajshëm

Autori: Gazeta inFokus 16:30 | 25 July 2022

Luan Latifi, ish-kryeshef i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), është deklaruar i pafajshëm, ndërsa ish-drejtori i Administratës dhe Financave në KPM, Arben Bilalli e ka pranuar fajësinë, në rastin ku po akuzohen për marrje ryshfeti.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Merrushe Llugiqi, i akuzuari Bilalli deklaroi se pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë, ndërsa i akuzuari Latifi është deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Bilalli, prokurorja Llugiqi tha se pajtohet me këtë pranim fajësie dhe i propozoi gjykatës që ta aprovojë të njëjtin, me arsyetimin se është konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

-Advertisement-

“I nderuari kryetar, pajtohem me pajtimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Arben Bilalli, pasi që konsideroj se pranimi i fajësisë është konform nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, konsiderojmë se i pandehuri i ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë, ky pranim i fajësisë është vullnetar i mbështetur në faktet e çështjes që përmban aktakuza, kjo aktakuzë nuk përmban shkelje ligjore, ashtu që i propozoj gjykatës që ta aprovojë këtë pranim të fajësisë”, ka thënë prokurorja.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Bilalli, avokati Florent Latifaj, i ka propozuar gjykatës që të aprovohet pranimi i fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij, si dhe i propozoi që të veçohet procedura për të njëjtin, për shkaqe shëndetësore të tij.

“Propozoj gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit tim dhe paraprakisht ju lus që ta bëni këtë aprovim dhe ta veçoni procedurën për Arben Bilallin”, tha avokati Latifaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, i ka propozuar gjykatës që të mos aprovohet pranimi i fajësisë, pasi që i njëjti po akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarin Latifi e ka kryer veprën penale.

“Ne kërkojmë nga gjykata që të refuzojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari Arben Bilalli, me arsyetimin se para së gjithash i njëjti akuzohet se vepër penale ka kryer “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par. 1 të KPRK-së, e ka kryer në bashkëkryerje me ish-kryeshefin e Komisionit të Pavarur të Mediave po ashtu i akuzuar Luan Latifi”, ka thënë avokati Rudari.

Pas aprovimit të propozimit të avokatit Latifaj për veçimin e procedurës dhe largimit të tij dhe të mbrojturit të tij nga salla, është vazhduar me fjalën hyrëse.

Në fjalën e saj hyrëse, prokurorja Llugiqi ndër të tjera tha se nga prezantimi i provave personale dhe materiale, do të vërtetohet se të akuzuarit Bilalli dhe Latifi kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

“Nga prezantimi i këtyre provave, ju do të bindeni se të akuzuarit me dashje direkte kanë kryer këtë vepër penale, ashtu që propozojmë që të vazhdohet me shqyrtim të mëtejmë gjyqësor”, deklaroi prokurorja Llugiqi.

Gjithashtu, prokurorja shtoi se tani e tutje në cilësi të palës së dëmtuar duhet të jetë vetëm “Tel Kos”, ndërsa Elhami Haziri dhe Enver Berisha, të dëgjohen vetëm në cilësi të dëshmitarëve.

“Gjithashtu shtoj që tani e tutje në cilësinë e palës së dëmtuar duhet të jetë vetëm “Tel Kos” ndërsa Elhami Haziri dhe Enver Berisha vetëm në cilësinë e dëshmitarit jo edhe të dëmtuarit”, tha e njëjta.

Edhe avokati Rudari, në fjalën e tij hyrëse ka thënë se nga provat e prokurorisë do të argumentohet mjaftueshëm se Bilalli dhe Latifi kanë kryer veprën penale e cila iu vihet në barrë.

“Ne mbështesim fjalën hyrëse të prokurorit të shtetit, duke vlerësuar se në këtë proces gjyqësor nga provat që ka mbledh Prokuroria gjatë fazës së hetimit dhe të cilat i ka dorëzuar gjykatës, do të argumentohet mjaftueshëm dhe pa asnjë mëdyshje se kryeshefi i Komisionit të Pavarur të Mediave Luan Latifi ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, së bashku me të akuzuarin tjetër Arben Billai”, ka thënë avokati Rudari.

Gjithashtu, i njëjti ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Elhami Haziri dhe Enver Berisha.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Driton Musliu në fjalën e tij hyrëse ndër të tjera ka thënë se nuk është provuar me asnjë provë se i akuzuari Bilalli ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Prandaj, konsiderojmë se në këtë rast me asnjë provë të artikulueshme siç e kërkon KPP nuk është dëshmuar që i mbrojturi im ka marrë pjesë në kryerjen e kësaj vepre penale as vet as si bashkëkryerës”, ka thënë avokati Musliu.

Ndryshe, në këtë seancë avokati Musliu ka propozuar që në bazë të nenit 301, par.3, gjykata të kufizojë fotografimin, filmimin dhe incizimin e mediave, si dhe të mos i referohen të mbrojturit të tij me emër dhe mbiemër, mirëpo një propozim i tillë u refuzua nga ana e trupit gjykues.

Lidhur me të akuzuarin Bilalli, seanca e radhës u caktua më 28 korrik 2022, ndërsa për të akuzuarin Latifi, seanca e radhës pritet të mbahet më 10 tetor 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

Ndërsa, pas ankesës së avokatit Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Tel Kos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera