Lajme

IKShPK me rekomandime për qytetarët: Si të parandaloni helmimet nga ushqimi gjatë verës

Autori: Gazeta inFokus 14:56 | 17 July 2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar një sërë rekomandimesh për qytetarët me qëllim të parandalimit të helmimeve nga ushqimi, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta.

Sipas IKShPK-së, qytetarët duhet të kontrollojnë afatin e përdorimit dhe temperaturën e rekomanduar të ruajtjes së ushqimit, ndërsa mishi, vezët dhe produktet e detit duhet të gatuhen plotësisht para konsumimit.

Instituti këshillon gjithashtu që ushqimi të konsumohet menjëherë pas përgatitjes, ndërsa ushqimet e ruajtura të ringrohen plotësisht para përdorimit. Po ashtu, ushqimet duhet të ruhen në enë të pastra dhe të mbyllura.

-Advertisement-

Në rekomandimet e publikuara, IKShPK-ja u bën thirrje qytetarëve të lajnë duart me ujë dhe sapun para përgatitjes dhe ngrënies së ushqimit, si dhe të lajnë frutat dhe perimet para konsumimit.

Instituti thekson rëndësinë e pastrimit të sipërfaqeve dhe mjeteve të kuzhinës para dhe pas përgatitjes së ushqimit, si dhe përdorimin e ujit të pastër dhe të sigurt.

Ndër rekomandimet e tjera janë përdorimi i dërrasave prerëse dhe mjeteve të veçanta për ushqimet e papërpunuara dhe ato të gatshme, shmangia e konsumimit të ushqimeve që kanë ndryshuar ngjyrën, erën apo shijen, si dhe moslënia e ushqimit në temperaturë ambienti për periudha të gjata.

IKShPK-ja apelon për kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, të moshuarve, grave shtatzëna dhe personave me imunitet të dobësuar, të cilët konsiderohen më të rrezikuar nga pasojat e helmimeve ushqimore.

“Ushqim i sigurt, shëndet më i mirë”, është mesazhi i institutit për qytetarët.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy