Lajme

Ibrahim Makolli deklarohet i pafajshëm për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor

Autori: Gazeta inFokus 16:59 | 22 February 2023

Ish-ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli u deklarua i pafajshëm në rastin ku ai po akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Delegacionit për Bisedime për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Kosovës ka deklaruar pasurinë pas afatit ligjor, me një ditë vonesë.

Këtë deklarim, i akuzuari Makolli e ka bërë të mërkurën, në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besnik Jakupi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklarimit të të akuzuarit Makolli rreth fajësisë, gjykatësi i rastit Adnan Kamberi ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Alban Makolli se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

-Advertisement-

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 15 shtator 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ibrahim Makolli po akuzohet për mos raportim të pasurisë.

Aktakuza thotë, se i pandehuri Makolli në cilësinë e zyrtarit të lartë publik si kryetar i Delegacionit për Bisedime për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Kosovës, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 10 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ashtu që edhe pse i njëjti ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e Zyrtares kontaktuese pranë ZKM-RKS për ta bërë deklarimin pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni si kryetar i delegacionit të lartcekur brenda afatit kohorë dhe atë nga data 14 korrik 2021 deri më 14 gusht 2021, mirëpo i njëjti nuk e ka deklaruar pasurisë brenda afatit.

Por deklarimin e pasurisë i njëjti thuhet se e ka bërë pas afatit ligjor, më saktësisht më 15 gusht 2021.

Me këtë, Makolli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tri vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera