Lajme

Hoti: Nuk lëvizim nga oferta e fundit, Konjufca s’mund të bëhet peng për prishjen e koalicionit

Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 16 January 2020

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti thotë se me ofertën e fundit që i kanë bërë Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë kompromisin më të madh në negociatat për koalicionin qeverisës. Prandaj u shpreh se ata nuk do të lëvizin në asnjë moment nga qëndrimet se iu takon për një vit posti i kryeparlamentarit, pesë ministri dhe zotimi për emërimin e presidentit pas një viti.

Ish shefi i grupit parlamentar të LDK-së, në një intervistë për KosovaPress, thotë se asnjëherë nuk kanë kushtëzuar formimin e institucioneve, pasi sipas tij, oferta e tyre është vetëm për balancim të pushtetit.

Hoti thotë se nëse pranohet oferta e tyre, Vetëvendosje për tri vite do t’i ketë dy pozita shtetërore, kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin.

-Advertisement-

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti për KosovaPress, flet edhe për kryetarin e tanishëm të Kuvendit, Glauk Konjufcën. Sipas tij, ai nuk mund të bëhet peng i marrëveshjes për bashkëqeverisje mes dy partive. Derisa thotë se është çështje e Vetëvendosjes se si mund të akomodohet Konjufca pas largimit nga posti i kryeparlamentarit.

Hoti thotë se gjitha kërkesat e tyre i kanë pasur racionale, pasi kanë mundur të kërkojnë edhe postin e kryeministrit.

Edhe pse kanë kaluar mbi 100 ditë nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosova ende nuk ka qeverinë e themeluar. Pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të merret vesh me partinë e dytë, Lidhjen Demokratike për formimin e koalicionin qeverisës. Në këtë fillim vit pas tri takimeve të njëpasnjëshme mes dy krerëve të partive, u propozuan oferta dhe kundër oferta karshi njëra tjetrës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi të rriten ministritë nga 12 në 14 sosh, ku LDK-së do t’i takonin 6 ministri dhe zotimi për president. Por në një formë u refuzua nga kjo e fundit, ku i paraqiti ofertën e re partisë fituese, në të cilën thuhet se LDK merr postin e kryeparlamentarit për një vit, pesë ministri dhe zotimin për postin e presidentit pas një viti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera