Lajme

Hoti godet Kurtin: Shanin e akuzonin, privatizimi po vazhdon valë-valë

Autori: Gazeta inFokus 11:47 | 10 March 2023

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka mashtruar qytetarët lidhur me premtimin për ndalje të privatizimeve dhe themelimin e Fondit Sovran.

Hoti ka kujtuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti i cili kishte thënë se Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet se asetet e saj do i kalojnë Fondit Sovran. Ky Fond ende s’është krijuar, edhe pse ka qenë i listuar si prioritet në programin qeverisës së partisë në pushtet.

Hoti ka publikuar një shpallje të AKP’së lidhur me “Valën 62” të privatizimit, derisa ka thënë se procesi i privatizimit po vazhdon valë-valë nga ata që “shanin e akuzonin”.

-Advertisement-

“Mashtrimet po dalin në shesh çdo ditë. Për dhjetë vite shanin e akuzonin secilin për privatizim, me e pa të drejtë. I mashtronin qytetarët se do të vlerësojnë privatizimet, dhe do të themelojnë Fondin Sovran me asete të Agjencisë së Privatizimit. Sapo erdhën në pushtet, privatizimi po vazhdon valë-valë”, ka shkruar Hoti.

Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Qeveria e Kosovës ende s’e kanë finalizuar listën e aseteve që do t’i barten Fondit Sovran.

Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi ka thënë se AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran.

Ai ka folur edhe me llojin e aseteve të cilat pritet t’i kalojnë nën menaxhim këtij Fondi.

“Deri më tani, pas një analize të hollësishme e konkrete, AKP ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsej 2448 asete. Prej tyre është vlerësuar se 94 asete me vlerë dhe 1549 toka në zona të ndryshme kadastrale me rreth 48 mijë hektarë tokë mund të konsiderohen se kanë potencial për t’u bartur në Fondin Sovran, si miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, toka bujqësore të të gjitha kategorive etj. Sidoqoftë, AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran”, thuhet në përgjigjet e Kaloshit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera