Ekonomi

Gjermania jep 10 milionë euro për Termokos-in

Autori: Gazeta inFokus 16:37 | 29 March 2018

Për zgjerimin e rrjetit të Ngrohtores së Prishtinës janë dhënë 10 milionë euro nga shtetit gjerman, derisa implementimi dhe rehabilitimi i rrjetit pritet të fillojë shumë shpejt, gjegjësisht brenda këtij viti.

Për këtë qëllim është nënshkruar marrëveshja financiare pa kthim, e grantit për projektin “Programi i sektorit të energjisë, faza 8 dhe 9 – Përmirësimi i ngrohtores së qytetit në Prishtinë”, në mes të Ministrisë së Financave, KFW-së dhe Termokosit.

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se kjo është një ndër marrëveshjet më të mira në Kosovë pikërisht për faktin se mundësohen zgjerimin e rrjetit të ngrohtores së Prishtinës. E kjo sipas tij, kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

-Advertisement-

Hamza: Është një ndihmë  financiare pa kthim prej 10 milionë euro

“Marrëveshja të cilën sapo e nënshkruam është një nga projektet më të mira në Kosovë. Është zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore, faza 8 ose 9. Është një ndihmë  financiare pa kthim prej 10 milionë euro. Dhe është një projekt të mirat e të cilit, i prekim, i ndjejmë të gjithë ne që jetojmë në Prishtinë. Ky projekt ka kontribuar në përmirësimin e ngrohjes për qytetarët e Kosovës, për institucionet dhe për bizneset në Prishtinë. Nuk është e largët koha kur jemi ballafaquar se në spitalet e Prishtinës a do të ketë ngrohje. Ky projekt ka kontribuar në uljen e kostos për qytetarët e Prishtinës, në përmirësimin e ambientit dhe situatës energjetike në Kosovës. 2’36” Deri më tash nga ky projekt kanë përfituar rreth 70 mijë qytetarë të Kosovës”, tha Hamza.

Ministri i Financave ka shfrytëzuar rastin të falënderojë edhe taksapaguesit gjermanë që me taksat e tyre po ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Held, tha se kjo marrëveshje është rezultat i vazhdimësisë së punës së përbashkët dhe një projekt që i prek të gjithë qytetarët e Kosovës.

Madje ai tha se ka ndjesinë që sa herë që është me ministrin Hamza, rezultatet janë të mira.

Heldt: Kjo është një vazhdimësi e punës sonë të përbashkët

“Unë kam përshtypjen ministër se sa herë që jemi bashkë, kemi rezultate të mira. Qoftë të martën në mbrëmje në takim kur ndeshja përfundoj barabartë, qoftë sot kur po e vazhdojmë projektin për ngrohje qendrore. Kjo është një vazhdimësi e punës sonë të përbashkët në mes KFW dhe Termokosit për një projekt që prek të gjithë qytetarët e Prishtinës”, tha Heldt.

Juergen Kern, përfaqësues i KFW, theksoi se angazhimi i tyre me ngrohjen në Prishtinë ka filluar që në vitin 2011, teksa tash shihen rezultatet e mira të tij. Derisa theksoi se ky projekt ka një rëndësi shumë të veçantë edhe për të ardhmen.

Kern: Tash i shohim rezultatet impresive

“Shumica prej jush e mbani në mend tymin e zi që dilte nga tymtarët e Termokosit dhe një tym të tillë nuk jeni duke i parë tash e disa vite. Tash mund të shohim rezultatet impresive të këtij investimi. Keni ngrohje 24 orë në ditë dhe kemi kënaqshmërinë e konsumatorëve  në 94 për qind. Ndërkohë që faturimi është rritur në 178 përqind, dhe ajo që është shumë me rëndësi për Kosovën është fakti se subvencionet që kanë qenë 3.5 milionë tash janë reduktuar në zero për qind”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, theksoi se komuna e Prishtinës ka bashkëfinancuar këtë projekt me 20 përqind të shumës, gjegjësisht 1.7 milionë euro.

Në këtë mënyrë, sipas Pacollit, Prishtina gradualisht po e merr pamjen e merituar si qytet metropol. Sipas tij, brenda këtij mandati do të dyfishojnë zgjerimin e rrjetit dhe rehabilitimin e tij.

Pacolli: Duhet ta dyfishojmë rrjetin e ngrohjes në qytetin e Prishtinës

“Brenda këtij mandati duhet t’i dyfishojmë investimet në komunën e Prishtinës dhe duhet ta dyfishojmë rrjetin e ngrohjes në qytetin e Prishtinës. Komuna e Prishtinës si bashkë-investitor në këtë projekt ka participuar me afër 20 përqind në këtë projekt të përbashkët”, tha Pacolli.

E drejtori i Termokosit, Naser Canolli tha se si Termokos janë të gatshëm për fillimin e zgjerimit, porse varet prej afateve ligjore se kur do të procedohet projekti në fjalë, porse pritet që shumë shpejt të fillojë zgjerimi dhe rehabilitimi i rrjetit.

Canolli: Brenda këtij viti fillon zgjerimi i rrjetit

“Besoj se shumë shpejt, brenda këtij viti, do të fillohet me rehabilitim dhe zgjerim të rrjetit”, tha ai.

Marrëveshja për këtë grant është  nënshkruar nga ministri i Financave Bedri Hamza, Shefi i divizionit për energji për Evropën Juglindore dhe Turqinë në zyrën qendrore të KFW-së Juergen Kern, projekt menaxheri përgjegjës për projektet e KFW-së në sektorin e energjisë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë Nico Schuetzhofer si dhe Kryeshefi  ekzekutiv i NP “Termokos” Naser Canolli.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy