Lajme

Gërvalla kërkon përgjegjësi edhe nga Gazmend Muhaxheri për rastin e Arlinda Zekajt

Autori: Gazeta inFokus 09:38 | 30 October 2026

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar përgjegjësi edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, lidhur me rastin e Arlinda Sylaj Zekajt, e cila u vra pasi kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Në konferencën për media, ku po prezantohen gjetjet e raporteve lidhur me dështimet institucionale në trajtimin e rastit, Gërvalla ka ngritur shqetësime për përgjegjësinë e Komunës së Pejës në mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale.

Sipas saj, kryetari i komunës ka kompetenca të veçanta të përcaktuara me ligj për parandalimin e dhunës në familje, duke qenë edhe koordinator lokal i mekanizmave përkatës.

-Advertisement-

Gërvalla ka bërë të ditur se nga Komuna e Pejës kanë pranuar vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, e cila konfirmon se rasti ishte diskutuar në mekanizmin koordinues komunal.

“Deri në përfundimin e këtij raporti, nga komuna kemi marrë vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, që konfirmon se rasti qenka diskutuar në mekanizmin koordinues komunal”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka theksuar se komuna nuk ka dhënë informacione për masat konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara dhe as për veprimet që planifikon të ndërmarrë.

“Prandaj nuk kemi marrë informacion as për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara dhe as se cilat plane ka komuna gjatë ditëve të ardhshme. Për këtë presim sqarime edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri”, ka deklaruar ministrja.

Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, pasi viktima kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik dhe kishte kërkuar mbrojtje përpara se të vritej./Gazeta Infokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy