Lajme

Gazetari Dakaj: Nga lufta politike e Kurtit e Ramës do të përfitojnë shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë

Autori: Gazeta inFokus 23:58 | 19 June 2022

Gazetari i Infokusit Shkëlzen Dakaj, nëpërmjet një statusi ka thënë se nga lufta politike e dy kryeministrave shqiptarë, atij të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Kosovës Albin Kurti, janë shqipyarët andej e këtej kufiri ata që do të përfitojnë.

Dakaj këtë e ka thënë duke marrë shkas nga vizitat e sotme të Edi Ramës, ku ai ka vizituar familjen e ish Presidentit Hashim Thaçi, të cilin e vizitoi edhe në Hagë, por edhe figura tjera politike e biznesi, të cilët njihen edhe si oponentë apo të rrezikuar nga qeveria e Kurtit, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas Dakajt, takimi i dy qeverive nesër do të jetë formal dhe pa rezultate, shkaku i marrëdhënieve tejet të ftohta të dy kryeministrave, por veprimet e Ramës do të jenë ato që do t’u hapin udhë produkteve dhe bizneseve kosovare në Shqipëri.

-Advertisement-

Statusi i plotë:

“Edi Rama dhe Albin Kurti janë më larg njeri-tjetrit sesa që janë të dy këta me secilin lider të Ballkanit.

Raportet e tyre të ftohta tashmë janë në sipërfaqe!

Edi Rama është në Kosovë për të na treguar të gjithëve se nuk e ka në plan të ndjeke linjën qeveritare e të merret me Kurtin.

Po promovon veten dhe politikat e tij për Kosovën duke na thëne se pavarësisht qëndrimit zyrtar të Kosovës për Ballkanin e hapur ai do të ndërmerr disa masa që janë në interes të biznesit dhe ekonomisë së vendit.

Nesër takimi zyrtar i dy qeverive do të jete sa për sy e faqe, siç kanë qenë të gjitha mbledhjet e përbashkëta deri më tani, vetëm se kësaj here me dy kryeministra që janë në luftë politike me njeri-tjetrin.

Albin Kurti nga sot e ka edhe një opozitë të fuqishme, jo në prapavi, por publikisht. Vizita e Ramës sot, takimet dhe fjalimet e tij janë haptazi lufte kundër Kurtit.

Albin Kurti ketë luftë me pushtetin e Ramës e ka nisur kaherë, e publikisht e kishte shfaqur disa herë. Madje në zgjedhjet e fundit ishte direkt i përfshirë me idenë se mund ta rrëzoj nga pushteti.

Edi Rama sot tuboi rrethe vete armiqtë e Albin Kurtit. U dha mesazh atyre që ai ka informata se ua ka vendosur lakun në fyt qeveria e Kurtit.

Rama dha mesazhe të fuqishme për bizneset. Premtime të mëdha për t’i bindur se pavarësisht nga krizat që mund t’i keni nga qeveria e Kurtit, tregun e Shqipërisë do ta keni si shpëtim.

U dha mesazh atyre që edhe kur nuk i atakon direkt qeveria e Kurtit, e kanë frikën ne palcë nga kjo qeveri.

Nga kjo luftë e Kurtit dhe Ramës nuk duhet të shqetësohet askush.

Sa më shumë ashpërsohet lufta politike e tyre aq më shumë do të fitojnë shqiptarët nga te dyja anët e kufirit. Fundja, çdo e arritur shqiptare i ka rrënjët në inate e interesa.

Te dyja këto janë të gërshetuara në këtë situatë. Edi Rama për inat të Kurtit do i realizojë të gjitha premtimet e tij nga falja e portit, hapja e tregut për biznese të Kosovës, e deri te heqja e te gjitha barrierave tatimore.

Kurse Kurti, për inate të Ramës do të fillojë të afrohet edhe me ata që 20 vite i ka kritikuar si oligark dhe zhvatës të shtetit”, ka shkruar Shkëlzen Dakaj në Facebook./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera