Opinione

E djathta e të majtës

Autori: Gazeta inFokus 09:30 | 26 April 2017

Shpendi përballë Albinit?! Oligarki apo demokraci?! Edhe kështu mund të titullohej fare lehtë, ky shkrim. Sebepi, një kafe e pirë e kryetarit të Prishtinës, në një jaht luksoz, pronë e njërit nga oligarkët e rinj kosovar, e sidomos debatet pas kësaj mund të thuhet se përpos që ja zunë në fyt kafenë Shpendit, nxorën në sipërfaqe edhe dallimin ideologjik në subjektin ndoshta më dinamik të politikës kosovare. Por, jo vetëm aty. Sidoqoftë e majta kosovare doli të ketë edhe të djathtën e vet brenda saj. Koketimi me bizneset e mëdha, sidomos me monopolet, gjithsesi merr këtë konotim. Por, pa merak, edhe kështu titulli nuk rri pezull.

E keni vërejtur nga mediat se kohëve të fundit dy prej figurave emblematike të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, kanë dhënë deklarata, nëse jo të kundërta, atëherë gjithsesi jo të njëjta lidhur me marrëdhëniet që duhet të ketë partia me oligarkët kosovarë. Kjo te kundërshtarët politik duket të ketë ngjallur shpresë për konflikt, ndërkohë që ndër anëtarët dhe simpatizuesit e kësaj partie duket se ka ngjallur shqetësim, madje me raste ka edhe tendencë për rreshtime për apo kundër njërit apo tjetrit.

Dilema në fakt nuk është se i shqetëson vetëm pjesëtarët apo simpatizantët e këtij subjekti politik, por ajo ka karakter të përgjithshëm. Miqësi apo armiqësi me oligarkët e rinj kosovarë, të cilët sipas modelit të shumicës së vendeve ballkanike, të pasluftës, u rrjetëzuan qysh në procesin e rindërtimit të vendit, të rivënies në funksion të industrisë, apo objekteve të rëndësishme, duke e kryer kështu koncentrimin fillestarë të kapitalit në pak duar, përmes pushtetit absolut të përqendruar po ashtu në një rreth të ngushtë të miqve .

-Advertisement-

Grupet që ishin më të lidhura mes vete, dhe më ambicioze e sidomos më të gatshme për gjithçka, u formësuan fillimisht si klane, për t’u shndërruar së fundi në korporata gjigande për përmasat Kosovare, të cilat kontrollojnë gjithçka, dhe vështirë se mund të thuhet se është e qartë kush qëndron prapa krejt kësaj.

Duke përdorur pushtetin e pakufizuar dhe me përkrahje të burokracisë ndërkombëtare, skajshmërish të korruptuar të UNMIK-ut por, edhe organizatave të tjera, kjo shtresë e paktë e njerëzve, e paktë në numër, sot e posedon pjesën më të madhe të vendit. Përpos kësaj, ata kontrollojnë të gjitha segmentet e rëndësishme të jetës politike, ekonomike dhe institucionale të vendit. Ndërtimi i administratës që në start, përpos rregullit të vendosur nga UNMIK-u për përshtatshmëri politike, ndiqte edhe rregullën po aq, e ndoshta më të rëndësishme, se në nyje të vendimmarrjes në çdo institucion dhe në nyje të qarkullimit të parasë të ishin detyrimisht njerëzit e rrjetit.

Sot, edhe kur ndërrohen qeveritarët, administrata instaluar e prapëseprapë zbaton politikën e rrjetit. Çdo përpjekje serioze për ndryshim, përpos nëse ndryshimi nuk premton përfitime më të mëdha për vet rrjetin, dështon!

Ky rrjet ka “blerë” gati gjithçka që krijon të hyra në vend, qoftë përmes procesit të korruptuar të privatizimit, qoftë me paret e publikut. Ka arritur që përmes mekanizmave të shtetit të kontrollojë plotësisht edhe bizneset e ligjshme, të cilat kishin ndjekur rrugën e ligjshme të zhvillimit dhe përkundër peripecive të jashtëzakonshme kishin arritur të mbijetonin. Ky rrjet ishte “ngjitur” në të gjitha projektet e mëdha, përfshirë edhe ato të jashtme të infrastrukturës, prej të cilave ka nxjerrë përfitime kolosale të cilat ose i ka dërguar jashtë ose i ka përqendruar nëpër korporata shërbyese, të cilat drejtpërdrejtë “shërbejnë” shtetin ose ndërmarrjet e mëdha publike.

Ata kontrollojnë gjithçka, e në radhë të parë elitat politike, intelektuale, e profesionale të kësaj shoqërie, duke i rrjetëzuar dhe sistemuar ata në formën më të përshtatshme për oligarkët e rinj. Ata kontrollohen përmes politikës dhe institucioneve. Lidhjet me rrjetet ndërkombëtare, legale dhe ilegale, i kanë bërë të plotfuqishëm, zotë të vendit, pa të cilët as faktori ndërkombëtar nuk arrin të bëjë asgjë, as të mbajë paqen madje, e posaçërisht në drejtim të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të demokratizimit. Ani çka se shtet ligjorë te ne konsiderohet e drejta e ankesës për çdo gjë, dhe e drejta të thuash çka të duash përfshi edhe të drejtën të ofendosh kë të duash, por kurrsesi edhe mundësia për një proces gjyqësorë të ndershëm.

Por, nëse ju ngushëllon ky fakt, për këtë Kosova nuk dallon hiç, ose dallon shumë pak nga vendet e tjera të rajonit. Dallon vetëm për nga numri i oligarkëve të rinj dhe për nga (pa)fuqia financiare e tyre në krahasim me “tajkunët” rajonalë.

Derisa burokracia kontinentale po përpiqet të ruajë paqen dhe të zhvillojë një proces rajonal të dekriminalizimit, pajtimit dhe rindërtimit të marrëdhënieve mes popujve, oligarkët e rinj, së paku ajo pjesa që u pasurua rrufeshëm nga fuqia politike dhe represive që kishin, të shqetësuar për fatin e tyre po bllokojnë me gjasë në bashkëpunim, për të penguar këto procese, gjithnjë kinse në emër të interesave nacionale apo religjioze. Duke ndjekur principin Pareto në forma nga më të ndryshmet, si punësimet në bizneset e tyre apo në institucione apo ndërmarrje publike, ata e kanë vu nën kontroll, për të mos thënë e kanë blerë edhe rreth 20 për qind të elektoratit i cili është i shurdhër dhe i verbër për çfarëdo argumentimi të tjerëve.

Investimi i parave të shumta në mediat e tyre ka arritur të zhvlerësojë deri në groteskë median e lirë dhe fjalën e lirë e cila nuk ka kapacitet të promovojë ide të tjera. Përfundimisht, përmes përfshirjes në rrjetet sociale të këtyre elitave, ata janë shndërruar në padron edhe të jetës publike. Në fakt, me fansat e blerë ata marrëdhënien publike virtuale, ata e kanë bartur edhe jetën reale nëpër rrjetet virtuale. Gati janë harruar edhe konferencat tradicionale për media, komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët; ata thjesht shkruajnë në profilet e tyre në rrjetet sociale dhe media e tyre, dhe profilet e “tyre” në rrjetet sociale e shtynë, e shpërndajnë tutje. Mediat jetojnë nga reklamat dhe donacionet e tyre, ndërsa profilet anonime nga pagesat për shërbime.

Tash, çfarë të bëhet? Të vihet nën kontroll të qytetarëve kjo fuqi përmes dekriminalizimit dhe luftimit të korrupsionit, duke u hapur kështu rrugë zhvillimit edhe të bizneseve të vogla dhe të mesme, apo të bëhet pakt me këto grupe të fuqishme ekonomike, politike, ushtarake (sepse padyshim kanë kontroll të plotë mbi segmentin ushtarako-policor) dhe të pranohet në heshtje kjo simbiozë e oligarkëve me shtetin, ku qytetari është në shërbim të tyre dhe jo e kundërta.

Ikjet masive nga vendi janë produkt i drejtpërdrejtë i kësaj logjike e cila thotë se duhet hapur vende pune jo aq sa u duhen qytetarëve, por aq sa u duhen oligarkëve të rinj që kanë monopol në gjithçka. Sipas kësaj logjike, nuk ka mungesë zhvillimi, as vendesh të punës, por ka tepricë të fuqisë punëtore, teprica të qytetarëve të cilët duhet të kërkojnë fatin e tyre diku tjetër.

Kjo pra është dilema. Ligjet në fuqi, përfshirë kushtetutën janë kundër monopoleve. Demokracia dhe tregu i lirë janë kundër monopoleve, por fuqia punëtore e oligarkisë është shndërruar në forcë politike e cila duke përdorur shtetin theu deri tash të gjitha përpjekjet e opozitës politike, e cila dorën në zemër rreth kësaj dileme është po aq konfuze sa edhe vetë “Vetëvendosje”.

Sido që të jetë, nga zhvillimet në këtë plan varet fati i Kosovës. Dilema në fakt ka të bëjë me vet kuptimin e politikës. Çka është në fakt politika? E drejta apo e mundshmja? Zhvillimi apo egalitarizëm? Oligarki apo demokraci?

Çfarë u duhet qytetarëve në radhë të parë: të kenë bukë apo të kenë drejtësi, barazi…?

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera