Ekonomi

Dyshimet për mashtrim me klimat në Kosovë, deklarohen për Infokus nga Ministria e Tregtisë

Autori: Gazeta inFokus 12:20 | 10 Mars 2026

Qytetarët e Kosovës po përballen me një dallaver të madh nga tregtarët e klimave, ku pajisjet që reklamohen si “super efiçiente” dhe me “kursim të lartë” e të cilat po shiten masivisht, po dyshohet se në shumë raste performanca e tyre reale nuk përputhet me atë që premtohet.

Shumë prej tyre paraqesin në etiketë klasa të larta të efiçencës së energjisë elektrike, por këto vlera janë vetëm teorike ose vendosen drejtpërdrejt në fabrikë në Kinë, sipas porosisë së importuesve kosovarë.

Në lidhje me këtë çështje, Gazeta Infokus ka kërkuar sqarime nga Agjencia Kosovare për Standardizim në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregisë dhe Inovacionit, lidhur me kontrollin dhe certifikimin e klimave që hyjnë në tregun kosovar.

-Advertisement-

Nga MINTI, në një përgjigje për Infokus, kanë theksuar se certifikimi i Eurovent nuk është obligativ për vendosjen e produkteve në tregun kosovar.

Pra që do të thotë se në Kosovë mund të hyjnë edhe klima kineze por edhe klima që shiten për një përformancë që nuk e ofrojnë.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut siguron konformitetin e pajisjeve përmes kontrollit të dokumentacionit teknik dhe inspektimit fizik në treg. Për t’u siguruar se një pajisje plotëson standardet evropiane, qytetarët duhet të verifikojnë nëse produkti posedon shenjën CE, shoqërohet me Deklaratën e Konformitetit dhe ka udhëzime përdorimi në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës. Këto elemente garantojnë se produkti ka kaluar procedurat e nevojshme të vlerësimit të sigurisë. Certifikimi Eurovent nuk është një kërkesë obligative (mandatore) ligjore për vendosjen e pajisjeve në tregun e Kosovës”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre për Infokus.

Por pse është kaq i rëndësishëm certifikimi i Eurovent?

Në tregjet evropiane, performanca reale e kondicionerëve verifikohet përmes certifikimeve të pavarura si Eurovent, i cili teston kapacitetin e ftohjes dhe ngrohjes, efikasitetin energjetik dhe nivelin e zhurmës.

Eurovent Certification është një certifikim evropian i pavarur që vërteton performancën reale të kondicionerëve përmes testimeve laboratorike dhe kontrolleve të vazhdueshme. Ai siguron që parametrat teknikë të deklaruar nga prodhuesi përputhen me realitetin, duke garantuar transparencë dhe besueshmëri për konsumatorin.

Ndërsa sa i përket verifikimit të eficinecës energjetike MINT ka bërë të ditur se nuk është në kompetencën e tyre por të Ministrisë së Ekonomisë.

“IQMT kryen në mënyrë të vazhdueshme inspektime të pajisjeve për klimatizim, që vendosen në tregun e Republikës së Kosovës. Ky proces fokusohet në verifikimin e sigurisë së produktit dhe përmbushjen e kërkesave teknike të përcaktuara në Ligji për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësimin e Konformitetit, si dhe në Rregulloret përkatëse që transpozojnë Direktivat e Bashkimit Evropian. Vlen të sqarohet se mbikëqyrja dhe vlerësimi i efiçiencës së energjisë hyjnë në mandatin e Ministrisë së Ekonomisë dhe departamenteve përkatëse brenda këtij dikasteri. IQMT bashkëpunon me këto organe, por vlerësimi teknik i performancës energjetike mbetet kompetencë e tyre”, kanë deklaruar nga MINT-i.

Institucioni gjithashtu ka theksuar se origjina e produktit nuk përbën problem nëse i janë plotësuar kriteret ligjore.

“Origjina e produktit nuk përbën pengesë për qarkullim, për sa kohë që pajisja plotëson kriteret strikte ligjore. Çdo pajisje duhet të jetë e pajisur me shenjën CE, të ketë Deklaratën e Konformitetit nga prodhuesi dhe manualin e përdorimit në gjuhën shqipe/serbe. IQMT monitoron tregun për të parandaluar mashtrimet me specifikimet teknike”

Ndërkohë, sipas kritikëve dhe njohësve të fushës së ekonomisë, në Kosovë po qarkullojnë klima që shumica prodhohen në Kinë, por askush nuk e bën verifikimin e tyre.

Si pasojë e mungesës së kontrollit, shumica e tregtarëve në Kosovë shesin klima me premtime për kursim deri në 75% të energjisë elektrike dhe kategori të larta efiçence deri në A+++, por performanca e tyre nuk është ashtu siç thuhet.

Në këtë kontekst, gazetari Shkëlzen Dakaj në emisionin “Podcast me Shkëlzen Dakaj” ka deklaruar se, sipas informatave të siguruara, në tregun e Kosovës po hyjnë pajisje që promovohen me efikasitet të lartë energjetik, por pa standardizim të qartë.

“Në Kosovë po hyjnë krejt këto klima, pjesa më e madhe e tyre, sipas informatave që kemi dhe do t’i trajtojmë ditëve në vijim, shumicës prej tyre u shkruhet 75% kursim i energjisë elektrike, me ato tre plusat. Shumica prej tyre po vijnë krejtësisht ‘made in China’, pa asnjë standard, sipas kërkesës së tregtarëve të vendit tonë. Edhe kostoja e tyre është shumë e lirë nëse ti nuk kërkon me të vërtetë t’i përmbushin ato standarde”, ka theksuar Dakaj.

Ai ka ngritur edhe shqetësimin nëse kursimi i premtuar për qytetarët përputhet me realitetin e konsumit.

“A duhet ta kontrollojë dikush nëse ti i ke thënë qytetarit hiqe këtë klimë, unë po ta blej një klimë të re e cila do ta ulë konsumin e energjisë elektrike, ndërsa në fakt e ke paguar paranë dhe ke marrë të njëjtën pajisje që shpenzon të njëjtën sasi të energjisë elektrike?”, ka thënë tutje Dakaj.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të energjisë elektrike, analisti Burim Ejupi, ka deklaruar se një praktikë e tillë përbën mashtrim dhe duhet të sanksionohet ligjërisht.

“Nëse kjo është e vërtetë, ne kemi agjenci të standardizimit në Kosovë. Kjo është mashtrim dhe mashtruesi duhet të hyjë në burg. Ka ligje për mashtrues”, ka deklaruar Ejupi.

Sa i përket subvencionimit të pajisjeve efiçiente, Ejupi ka kritikuar mungesën e transparencës nga ana e qeverisë.

“Kjo është një gjë që nuk e di pse nuk e ka bërë publike qeveria. Kushti për t’u subvencionuar një pajisje efiçiente ka qenë konsumi… Sipas disa informatave, kursimi shkon deri në 40 megavat. Po flasim për ata njerëz që kanë përfituar, sepse është dashur t’i dërgonin faturat e vitit tjetër”, është shprehur ai.

E Viteve të fundit, importi i pajisjeve klimatike efiçiente është shtuar në Kosovë për shkak të subvencionimit nga ana e qeverisë për përdorimin e tyre.

Qeveria e Kosovës ka ndarë dhjetëra miliona euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte deklaruar se përmes kësaj skeme synohet ulja e faturave të energjisë, por sipas pretendimeve, tregu i klimave nuk është monitoruar seriozisht për cilësi dhe performancë reale.

Gazeta Infokus ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Ekonomisë lidhur me verifikimin e efiçiencës energjetike të klimave që hyjnë në tregun e Kosovës dhe do t’ju mbajë të informuar sapo të pranojë përgjigje nga ky institucion.

LEXO EDHE: Si po mashtrojnë tregtarët, klimat efiqente pa asnjë standard e pa asnjë kontrollë, tre plusat një mashtrim i madh. /Gazeta Infokus/

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy