Ekonomi

Diplomacia ekonomike të jetë prioritet i Qeverisë së re

Autori: Gazeta inFokus 12:42 | 17 September 2017

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Shpend Balija dhe kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se diplomacia ekonomike dhe emërimi i atasheve ekonomikë duhet të jenë prioritete të Qeverisë. Ata kanë apeluar te Qeveria e Kosovës që atashetë ekonomikë të jenë të profilit të duhur dhe assesi mos të përzihet politika. Ndërkaq profesori i ekonomisë në Kolegjin “AAB”, Fadil Osmani, ka thënë se MPJ-ja do të duhej që në ambasadat e veta t’i rekrutojë dhe sistemojë këshilltarët e saj për çështje ekonomike.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Shpend Balija, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se diplomacia ekonomike ka rol të jashtëzakonshëm sa i përket zhvillimit ekonomik. Sipas tij, kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet, pasi nënkupton edhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. “Diplomacia ekonomike ka rol të veçantë dhe të jashtëzakonshëm për të ndikuar në vendimet politike të qeverive të huaja si dhe organizatave ndërkombëtare.
Diplomacia ekonomike tejkalon sferën e tregtisë dhe investimeve të huaja direkte, duke pasur rol edhe në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve ndërkombëtare dhe, si e tillë, është diçka që duhet të merret me shumë seriozitet”, ka thënë Balija. Ai ka thënë se duke pasur parasysh se zhvillimi ekonomik duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re, të gjitha aspektet të cilat ndërlidhen dhe e shtyjnë këtë proces para duhet të trajtohen me prioritet, që nënkupton edhe tërheqje të investimeve të huaja direkte.
“Sa i përket kategorizimit të prioriteteve në Qeverinë e re, unë personalisht mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe selektiv që mos t’i klasifikojmë të gjitha temat sikur prioritete, sepse pastaj kemi një listë shumë të gjatë të prioriteteve, të cilat në realitet nuk zbatohen asnjëherë. Prandaj, them se për Kosovën të gjitha aspektet ekonomike, sociale dhe politike janë jashtëzakonisht të një rëndësie të veçantë duke e pasur parasysh pikënisjen dhe rrugë- timin tonë të cilin duhet ta bëjmë në procesin e shtetndërtimit”, ka thënë ai. Sipas drejtorit Shpend Balija, edhe pse është shënuar progres në anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme botërore, ende mbetet për t’u dëshiruar në aspektin e barabarësisë me vendet e rajonit.
“Kosova tani është duke bërë progres dhe duke u anë- tarësuar në një numër të madh të organizatave botërore të rëndësisë së veçantë, megjithatë kemi ende një rrugëtim të gjatë për të arritur në një nivel të barabartë me vendet e rajonit”, ka thënë Balija, duke shtuar se duke e ditur se Kosova ende nuk është anëtare e shumë organizatave dhe marrëveshjeve të rëndësishme atëherë, sipas tij, Qeveria duhet të ketë kujdes më të madh në emërtimin e atasheve ekonomikë nëpër ambasada. “Ato poste nuk janë thjesht një vend pune, por mund të jenë në fakt vendimtare për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit të plotë në mekanizmat rajonalë, evropianë dhe ndërkombëtarë.
Tërheqja e Investimeve të Huaja Direkte sigurisht se duhet të mbetet prioritet dhe se atashetë ekonomikë duhet të jenë shumë të vëmendshëm dhe shumë punëtorë për gjenerimin e aktiviteteve konkrete, të cilat joshin investitorët dhe e ngritin nivelin e investimeve në vend. Prandaj bëj apel te Qeveria e Kosovës që t’i kushtojë shumë vëmendje kësaj çështje”, është shprehur Balija. Njëlloj si Balija mendon edhe kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, i cili ka thënë për gazetën “Epoka e re” se diplomacia ekonomike dhe emërimi i atasheve ekonomikë duhet të jenë prioritete të shefit të diplomacisë së tanishme të Kosovës, Behgjet Pacollit. “Ne nuk duhet të kemi atashe ekonomikë vetëm sa për t’i lexuar gazetat, por ata duhet të punojnë dhe lobojnë rreth çështjeve ekonomike, përndryshe s’na duhen asgjë.
Unë pres tash pasi në krye të diplomacisë është z. Pacolli dhe vjen nga sektori i ekonomisë që të jetë më i vëmendshëm në këtë çështje dhe ta avancojë diplomacinë ekonomike. Në takimin që kemi pasur me ish-ministrin Hoxhaj dhe me kompani të shumta, na është thënë se është më se e domosdoshme pasja e atasheve ekonomikë”, ka thënë Hasani. Ai ka shtuar se atashetë ekonomikë duhet të jenë njohës të mirë të fushës ekonomike. “Mendoj se është mirë që atashetë ekonomikë kur të emërohen të kenë njohuri shumë të mëdha ekonomike, meqë shumë atashe që kemi takuar s’kanë qenë të njoftuar çka prodhohet në Kosovë dhe as nuk kanë njohuri për ekonominë e vendit të tyre. Është më se e domosdoshme që ata të kenë tryeza më të shpeshta dhe takime në mënyrë që të tërheqin më shumë investime. Pra, është thelbësore që ata të dinë se cilat produkte i prodhon Kosova dhe me çka kemi kapacitet si shtet për të eksportuar.
Ambasadorët mund të jenë fytyra politike dhe të diplomacisë, por atashetë ekonomikë duhet të jenë njerëz që njohin ekonominë dhe potencialet eksportuese që ka Kosova”, ka thënë Hasani. Kurse profesori i ekonomisë në Kolegjin “AAB”, Fadil Osmani, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme do të duhej që në ambasadat e saj t’i rekrutojë dhe sistemojë këshilltarët e saj për çështje ekonomike. “Këshilltari për çështje ekonomike është më se i domosdoshëm për ta luajtur rolin dhe peshën e tij në vendimmarrjen për veprimtaritë ekonomike dhe tregtare në funksion të një misioni diplomatik. Elementet tregtare kanë të bëjnë me funksionimin e veçantë si në tregti, po ashtu edhe në nxitjen e investimeve potenciale në vend. Prandaj edhe Kosova, përkatë- sisht MPJ-ja, do të duhej që në ambasadat e veta t’i rekrutojë dhe sistemojë këshilltarët e saj për çështje ekonomike në mënyrë që këta diplomatë t’i promovojnë interesat ekonomike dhe ta nxisin tregtinë nëpërmjet aftësive komunikuese dhe krijimin e një imazhi të mirë për vendin”, ka thënë Osmani për gazetën “Epoka e re”.
Edhe Osmani ka apeluar që atashetë ekonomikë të jenë të përgatitur profesionalisht dhe mos të bëhet emërimi i tyre në baza partiake. “Këta diplomatë për çështje ekonomike duhet të jenë të përgatitur në mënyrë që t’i ndihmojnë bizneset dhe përgjithësisht ta ofrojnë informacionin e dobishëm lidhur me politikat dhe shkëmbimet tregtare në përgjithësi, edhe stimulim të investitorëve të huaj në veçanti, duke garantuar qëndrueshmëri ekonomike dhe siguri të bërjes biznes nga vendi prej nga vijnë. Mos të harrojmë se janë disa probleme qe reflektojnë ende në thithjen e këtyre investimeve, duke filluar nga problemet sociale, papunësia mbi 55 %, varfëria, krimet ekonomike, plagët e tjera shoqërore e psikologjike, nepotizmi, moszbatimi i ligjeve në plotëni, mospërkrahja e kapitalit njerëzor në pozita specifike, por duke dominuar familjarizim. Të gjitha këto tregojnë një predispozitë negative apo një imazh jo të mirë për vendin”, ka thënë Osmani.
Ai ka shtuar se shqetësim i tij mbetet pikëvështrimi i efikasitetit ekonomik. Osmani ka thënë se udhëheqësit e MPJ-së duhet të reflektojnë pozitivisht dhe të gjejnë kuadro profesionale në sektorët për çështje ekonomike. “Në këtë drejtim kërkohet seriozitet dhe vendosmëri për t’i eksploruar dhe pa dyshim se kjo reflekton në zhvillimin ekonomik dhe se rruga drejt integrimeve evropiane do të jetë më e lehtë”, ka thënë Osmani.

 

-Advertisement-

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy