Ekonomi

Dështon edhe tenderi i dytë për Qendrën Tregtare të Mitrovicës (Dokument)

Autori: Sylejman Sylejmani 11:57 | 14 August 2018

Për herën e dytë ka dështuar tenderi për dhënien në shfrytëzim për 15 vjet, të Qendrës Tregtare në Mitrovicë.

Ky investim milionësh i Bashkimit Evropian, me sipërfaqe 20.583m², siç duket nuk po i bind bizneset e mëdha, që ta marrin në shfrytëzim atë, raporton Gazeta inFokus.

Në tenderin e dytë kanë konkuruar tri kompani, por që asnjëra prej tyre nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret.

-Advertisement-

“Reteam Group”, “Interplast Group” dhe “Urban Consortium”, ishin tri kompanitë e interesuara për ta marrë në shfrytëzim këtë Qendër Tregtare.

Egzon Jashari, kryetar i komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone të paluajtshme të komunës, në një bisedë për Gazetën inFokus ka dhënë arsyet e refuzimit të këtyre ofertave.

“Komisioni ka vlerësu se asnjëri prej ofertuesve nuk i kanë plotësu të gjitha kushtet.

Ky ankand është specifik sepse projekti është milionësh, prandaj me fokus të plotë jemi mundu që me i përmbushë rregullativat ligjore dhe mos me lëshu pe. Nuk jemi të interesuar që me i shkel rregullat dhe me e marrë dikë që pas gjashtë muajve me dështu”, deklaron Jashari.

Ai gjithashtu tregon se përgjatë kësaj kohe sa komunarët e Mitrovicës po mundohen t’ia gjejnë pronarin e ri kësaj qendre, ajo ka pësuar dëmtime.

“Objekti pak është i dëmtum, por pa fajin tonë. Dëmtimet kanë ndodhë në kohën se e ka pas Emona City në shfrytëzim”, thekson Jashari.

Kryesuesi i komisionit vlerësues të ofertave thotë se bizneset kanë qenë të informuara mirë për hapjen e këtij tenderi.

“Ne e kemi publiku në web-faqe të komunës, e kemi publiku në gazetën ditore, e kemi publiku në televizionin lokal, kaq është prej anës sonë. Por, unë theksoj se bizneset janë të informuara”, deklaron Jashari.

Sipas tij, së shpejti do ta hapin një tender të ri, të tretin për këtë Qendër Tregtare. Gazeta inFokus ka raportuar edhe më parë për mos-interesimin e bizneseve për ta marrë këtë qendër në shfrytëzim, si dhe për dëmtimet që ajo ka pësuar. /Gazeta inFokus.

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy