Lajme

Dështon dhënia në shfytëzim e disa pronave komunale, Lladrovci akuzon disa asamblistë përfshirë edhe të PDK-së

Autori: Gazeta inFokus 20:34 | 01 January 2023

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se pesë kompani fituese për të marrë prona komunale në shfytëzim afatgjatë për 99 vite janë tërhequr.

Për këtë Lladrovci ka akuzuar disa asamblistë të Kuvendit Komunal të Drenasit.

I pari i Drenasit emra të asamblistëve nuk ka përmendur, por thotë se disa janë edhe të partisë së tij (PDK-së), por edhe të partive opozitare.

-Advertisement-

“Ndonëse procesi është zhvilluar në pajtim me ligjin, ky proces u bllokua nga disa anëtarë të Kuvendit të Komunës së Drenasit, nga kuvendarë të partisë time e edhe të disa partive opozitare, të cilët u vunë në funksion të interesave klanore dhe të grupeve të keqbërësve”, ka shkruar Lladrovci në Facebook, të shtunën.

Ai po ashtu ka thënë se “këto grupe” iu kanë hakmarrë për siç pretendon ai “ai ka ndaluar atyre përfitimet e kundërligjshme”.

“Këto grupe keqbërësish, janë të prekur moti, por sot u hakmorën. Keqbërësve ua kam ndalë përfitimet e kundërligjshme nga dita e parë e ardhjes time në krye të komunës. Këta kuvendarë, duke u vënë në shërbim të këtyre interesave, me apo pa vetëdije, komunës së Drenasit ia pamundësuan investimet me vlerë miliona euro, ia mohuan qindra vende të reja të punës”.

Më poshtë postimi i plotë i Lladrovcit në Instagram

Lajm i keq për qytetarët e komunës së Drenasit, lajm i keq për investitorët e tashëm dhe të ardhshëm, lajm edhe më i keq për zhvillimin e Komunës së Drenasit.

Sapo u njoftova përmes e mailit zyrtar se pesë përfaqësuesit e kompanive fituese, sipas Njoftimit Publik Nr.01-462-53050, të datës 17.10.2022, janë tërhequr nga ofertat për marrje në shfrytëzim të pronës Komunale.

Komuna jonë, më 17.10.2022, pati bërë shpallje publike për dhënien e disa pronave komunale në shfrytëzim afatgjatë për 99 vite, në pajtim me ligjet në fuqi, me frymën e ligjit, me miratimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, me qëllim në rritjen e vlerës së pronës komunale, të hyrave të shtuara nga pronat si dhe zhvillimin ekonomik të komunës.

Ndonëse procesi është zhvilluar në pajtim me ligjin, ky proces u bllokua nga disa anëtarë të Kuvendit të Komunës së Drenasit, nga kuvendarë të partisë time e edhe të disa partive opozitare, të cilët u vunë në funksion të interesave klanore dhe të grupeve të keqbërësve.

Këto grupe keqbërësish, janë të prekur moti, por sot u hakmorën. Keqbërësve ua kam ndalë përfitimet e kundërligjshme nga dita e parë e ardhjes time në krye të komunës. Këta kuvendarë, duke u vënë në shërbim të këtyre interesave, me apo pa vetëdije, komunës së Drenasit ia pamundësuan investimet me vlerë miliona euro, ia mohuan qindra vende të reja të punës.

Të nderuar qytetarë të Drenasit,

Besimin që më dhatë në tri mandate, kam premtuar se interesin Tuaj do ta mbroj deri në fund, pavarësisht pengesave dhe vështirësive, andaj, Ju siguroj se nuk ka forcë e as fuqi që do të na ndalë, as “shefi i bedelit” e as “shef i shefave”.

Ju siguroj se unë nuk do të ndalem, “shef” e kam ligjin, parim jetësor interesat e qytetarëve të Komunës së Drenasit, andaj bashkë do t’ia dalim.

Juaji,

Ramiz Lladrovci

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera