Çfarë ndodh tani pas nismës së PDK-së rreth ligjit për Specialen?
Autori: Gazeta inFokus
10:29 | 23 September 2026
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i propozoi këtë javë Kuvendit të Kosovës ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara, pak ditë pasi një trup gjykues i tyre i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Partia kryesore opozitare e Kosovës tha se nuk synon zhbërjen e asaj që njihet si Gjykata Speciale, por ndryshimet që i propozoi do të preknin disa nga elementet kryesore të mandatit të saj, nga juridiksioni dhe periudha kohore që mbulon, deri te dënimet dhe mënyra e trajtimit të rasteve që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të saj.
Çfarë ndodh tani pas nismës së PDK-së në Kuvend, dhe cilat janë pengesat për ndryshimin e ligjit?
Propozimet e PDK-së
Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.
Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.
PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.
Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Hapat në Kuvend
Projektligji u dorëzua në Kuvend më 22 shtator, por përpara se të arrijë në seancë plenare, duhet të kalojë nëpër disa hapa proceduralë.
Sipas Rregullores së Punës, pas dorëzimit në Kuvend, projektligji i dërgohet Qeverisë për mendim. Para shqyrtimit të parë në seancë plenare, ai duhet të shqyrtohet në parim nga komisioni përgjegjës parlamentar, i cili më pas i paraqet Kuvendit raport me rekomandim.
Por, Kuvendi i ri i Kosovës, i shpallur i konstituuar më 13 shtator, ende nuk i ka formuar komisionet parlamentare. PDK-ja, ndërkohë, e ka dërguar për trajtim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pretenduar se procesi nuk është zhvilluar në përputhje me Kushtetutën. Gjykata ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim.
Sa mbështetje ka nisma?
Për ndryshimin e një ligji kërkohet shumica e thjeshtë në Kuvendin me 120 deputetë, pra të paktën 61 vota.
Mbështetja politike për nismën e PDK-së ende nuk është e qartë. Partia tjetër opozitare, Aleanca, e ka përkrahur atë, kurse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ka thënë se do ta shqyrtojë nga aspekti juridik. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e dytë opozitare, nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar.
PDK-ja ka 22 deputetë, LVV-ja 53, Aleanca 7, kurse LDK-ja 18. Ndërkaq, deputetët e komuniteteve pakicë kanë gjithsej 20 vende në Kuvend.
Nëse ndryshimet do të kërkonin edhe ndryshime kushtetuese, pragu do të ishte dukshëm më i lartë: do të duheshin dy të tretat e të gjithë deputetëve, si dhe dy të tretat e deputetëve që mbajnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë.
A mund të ndryshohet Specialja vetëm me ligj?
Kjo është një nga çështjet kryesore juridike që mund të dalë gjatë shqyrtimit të nismës.
Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi të Kushtetutës së Kosovës, një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe një ligji të veçantë.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se ndryshimet në ligj “nuk duhet të cenojnë detyrimet që Kosova ka marrë përsipër” përmes ndryshimit kushtetues dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sipas tij, “çdo ndryshim i ligjit i nënshtrohet vlerësimit të ligjshmërisë nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë”.
Shala tha gjithashtu se, për të qenë të zbatueshme në praktikë, ndryshimet duhet të bëhen në konsultim dhe bashkëpunim me partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës.
Nga Bashkimi Evropian thanë se nuk komentojnë për njoftime apo plane, por përsëritën mbështetjen e tyre për Gjykatën Speciale dhe thanë se kjo mbështetje do të vazhdojë.
REL-i pyeti Departamentin amerikan të Shtetit rreth projektligjit të PDK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Visar Morina, tha për REL-in se ndryshimet “që prekin ekzistencën ose mandatin e Dhomave të Specializuara do të duhej të trajtoheshin fillimisht në nivel kushtetues dhe më pas përmes ndryshimeve ligjore”.
Avokati Amer Alija, ekspert i gjykimeve për krime të luftës, vlerësoi për REL-in se “ndryshimi ose shfuqizimi vetëm i ligjit mund të krijojë konflikt serioz” me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës, pasi një ligj i zakonshëm “nuk mund të ketë përparësi” ndaj tyre.
Po rastet dhe aktgjykimet ekzistuese?
Projektligji i PDK-së parasheh që procedurat që janë tashmë në zhvillim në Gjykatën Speciale të vazhdojnë sipas rregullave aktuale deri në një vendim të formës së prerë. Për rastet që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të saj, projektligji parasheh mundësinë e transferimit të tyre në Kosovë.
Ish-avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari, tha për REL-in se ndryshimi i ligjit nuk do të mjaftonte vetvetiu për lirimin e personave të dënuar.
Duke iu referuar aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, Jashari tha se për lirimin e tyre “do të duhej një vendim i organit gjyqësor kompetent, për shembull si rezultat i një vendimi në apel, ose një bazë tjetër juridike e përcaktuar qartë”.
Jashari vlerësoi, gjithashtu, se çdo ndryshim i mënyrës së funksionimit të Speciales do të duhej të shoqërohej me një mekanizëm që “do të garantonte vazhdimësinë e procedurave” dhe që do të shmangte krijimin e “një vakumi juridik”./REL/

T� tjera
-
“Nuk e kam obligim me ju dhënë përgjigje” – Deputeti i VV nuk tregon pse mungoi në mbledhjen e Komisionit për rastin e Arlinda Zekajt
Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet instit...
-
Nga 23 nëntori, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda sekondash
Qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të mund të realizojnë transfere bankare b...
-
Mbreti i Holandës uron Presidenten Shiroka Pula për marrjen e detyrës
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga M...
-
Kurti për fitoren e Listës Studentore në Serbi: Testi i parë është njohja e pavarësisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret që qeveria e re në Serbi ta njohë p...
-
Hoti: Kurti mashtron veten dhe botën me deklaratat se e ka ulur pabarazinë në paga
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se deklarat...
-
Arrestohet ish-ministri i Ekonomisë në Serbi
Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është arrestuar nën dyshimin p...
-
Vendimi | Gjyqi ndaj Jeton Sylajt i mbyllur, “me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare”
Gjykata Themelore në Pejë ka konfirmuar për Gazetën Infokus se seanca fillest...
-
Dhun*ohet e mitura në Fushë Kosovë, dërgohet në strehimore
Një e mitur është dhunuar nga një person në Fushë Kosovë. I dyshuari sipas...
-
171 ditë me ndotje mbi kufirin e lejuar: Ajri që thith Kosova
Gati gjysmën e vitit me ndotje mbi kufijtë e lejuar. Kjo është pamja që del n...
-
Mbi 2200 gjoba trafiku për 24 orë, dhjetëra aksidente e të arrestuar
Policia e Kosovës, përmes raportit ditor ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fun...
-
Gjobitet me 200 euro dhe i ndalet vozitja për tre muaj shoferit që tejkaloi në vijë të plotë në Podujevë
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas publikimit të një videoje ku shihet një ...
-
S’ka kuorum, shtyhet mbledhja e komisionit hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt
Ka dështuar mbledhja e komisionit hetimor parlamentar lidhur me vrasjen e Arl...
































