Lajme

Caktohet data kur do të rivlerësohet masa e sigurisë për Erion Veliajn

Autori: Gazeta inFokus 15:19 | 30 July 2026

Gjykata e Lartë ka zyrtarizuar datën për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Seanca gjyqësore është caktuar të mbahet më 15 shtator, ku pritet të vendoset fati i mëtejshëm i lirisë së tij gjatë procesit hetues dhe gjyqësor.

Ky rishqyrtim vjen si pasojë e një vendimmarrjeje të Gjykatës Kushtetuese, e cila e riktheu çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Kushtetuesja kërkoi nga kjo e fundit një arsyetim më të qartë dhe të detajuar mbi nevojën e mbajtjes në fuqi të masës ekstreme të sigurisë, duke kërkuar që të vlerësohet specifikisht nëse ekzistojnë masa alternative më të lehta sesa ajo e “arrestrit në burg”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili ndodhet aktualisht pas hekurave, ka kërkuar vazhdimisht përmes mbrojtësve të tij ligjorë ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar lirimin e tij për t’u ballafaquar me drejtësinë jashtë qelisë.

-Advertisement-

Ndërkohë që beteja ligjore vazhdon për masën e sigurimit, ndaj Erion Veliajt dhe personave të tjerë të përfshirë, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, vijon paralelisht procesi gjyqësor në themel.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur një sërë akuzash të rënda ndaj kryebashkiakut.

Mes akuzave zyrtare përfshihen: Korrupsion pasiv në disa episode; Pastrim i produkteve të veprës penale; Fshehje dhe mosdeklarim i pasurisë; Shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale.

Seanca e datës 15 shtator do të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse masa aktuale ndaj Erion Veliajt do të mbetet në fuqi, apo nëse Gjykata e Lartë do të vendosë ndryshimin e saj, duke i hapur rrugë një mase alternative sigurie.

“SPAR” tashmë zyrtarisht në Maqedoni! 45 milionë euro investim dhe 65 markete të reja
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy