Lajme

Cakolli: Vetëm deputetët mund ta kontestojnë zgjedhjen e presidentes, Shiroka-Pula mbetet kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 11:14 | 07 October 2026

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës për presidente të Kosovës mund të kontestohet drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga deputetët e Kuvendit.

Sipas Cakollit, nevojiten së paku dhjetë deputetë që ta parashtrojnë një kërkesë të tillë dhe këtë duhet ta bëjnë brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit për zgjedhjen e presidentes.

“E vetmja palë e autorizuar për ta kontestuar drejtpërdrejt vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes mbrëmë, janë së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta parashtrojnë kërkesën brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit. Nëse brenda këtij afati nuk parashtrohet kërkesë, kjo rrugë e kontestimit mbyllet”, ka deklaruar Cakolli.

-Advertisement-

Ai ka komentuar edhe njoftimin e avokatit Arianit Koci drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pretendimet për moszbatimin e aktgjykimit të saj.

Sipas Cakollit, dërgimi i një “njoftimi” në Kushtetuese nuk prodhon vetvetiu efekt pezullues ndaj zgjedhjes së presidentes.

“Dërgimi i një ‘njoftimi’ në Gjykatën Kushtetuese nuk ka, në vetvete, asnjë efekt pezullues mbi zgjedhjen. Edhe nëse pretendohet që Kuvendi ka shkelur aktgjykimin, duhet të përcaktohet nëse është përmbushur kushti për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë ai.

Cakolli ka shtuar se Gjykata Kushtetuese mund ta mbikëqyrë zbatimin e aktgjykimeve të veta, por kjo kompetencë, sipas tij, nuk nënkupton automatikisht se Gjykata mund ta anulojë vendimin e ri të Kuvendit.

“Gjykata mund ta mbikëqyrë zbatimin e aktgjykimit të vet. Por kjo kompetencë opsionale nuk përbën, vetvetiu, rrethanë të sigurt që Gjykata merr autorizim për ta anuluar një vendim të ri të Kuvendit duke anashkaluar kushtet e nenit 113.5”, ka deklaruar Cakolli.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës mbrëmjen e së martës, duke marrë 81 vota në Kuvend.

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy