Bien çmimet e naftës pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit
Autori: Gazeta inFokus 07:52 | 16 April 2024
Çmimet e naftës ranë, pas sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit, gjatë fundjavës. Nafta e papërpunuar Brent – një pikë referimi kyç për çmimet e naftës në nivel ndërkombëtar – është më e ulët, por ende tregtohet afër 90 dollarë për fuçi.
Çmimet ishin rritur në pritje të veprimeve nga Irani; nafta bruto Brent po i afrohej nivelit më të lartë në gjashtë muaj javën e kaluar.
Analistët thanë se tregjet do të kërkojnë të shohin se si konflikti mund të ndikojë në zinxhirët e furnizimit global.
Luhatjet e çmimit të naftës mund të shkaktojnë efekte valëzuese në gjithë botën, për shkak se vendet janë shumë të varura nga produkti, i cili përdoret për të prodhuar lëndë djegëse, si benzina dhe nafta. Çmimet e karburantit dhe energjisë, kanë qenë shtytës kryesor, pas kostos më të lartë të jetesës në mbarë botën në dy vjetët e fundit.
Kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, çmimet e naftës u rritën në 120 dollarë për fuçi për shkak të frikës së furnizimit, pasi vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë, një nga eksportuesit kryesorë të naftës në botë.
Rritja shkaktoi jo vetëm në çmime më të larta të naftës, por edhe rritje të mallrave të tjerë të panumërt, pasi bizneset rregulluan çmimet, për të mbuluar kostot më të larta.
Analistët thanë se reagimi i Izraelit ndaj sulmit do të ishte kyç për tregjet globale në ditët dhe javët në vijim.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë se përballja me Iranin “nuk ka përfunduar ende”.
Në fund të javës së kaluar, çmimi i naftës së papërpunuar Brent arriti në 92.18 dollarë për fuçi, më i larti që nga tetori, por herët të hënën, ai kishte rënë përsëri në rreth 89.70 dollarë.
Ndërsa çmimet e naftës ranë pak, çmimi i arit u rrit, për të qëndruar pranë niveleve rekord, duke u tregtuar afër 2,400 dollarë për ounce.
Ari shpesh shihet si një investim i sigurt, në kohë pasigurie dhe u rrit ndjeshëm përpara fundjavës.
Tregjet e aksioneve në rajonin Azi-Paqësor ranë, ndërsa investitorët peshuan ndikimin e sulmit. Indeksi i aksioneve FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu ra në mënyrë margjinale, në fillimin e tregtimit.
Russ Mould, drejtor investimesh në firmën e investimeve AJ Bell, tha se tregjet e kishin “filluar javën me qetësi relative”.
Megjithatë, ai tha se çmimet e arit, që mbeten pranë niveleve rekord, sugjerojnë një “nervozim të vazhdueshëm midis investitorëve”.
“Situata mbetet e ngarkuar dhe përtej implikimeve gjeopolitike dhe humanitare, një konflikt më i përhapur në Lindjen e Mesme, mund të shohë rritje të çmimeve të energjisë dhe të zhbëjë përpjekjet e kujdesshme të bankave qendrore, për të ulur inflacionin”, shtoi ai.
Irani është prodhuesi i shtatë më i madh i naftës në botë, sipas Administratës së Informacionit të Energjisë së SHBA-së, dhe anëtari i tretë më i madh i kartelit të prodhuesve të naftës OPEC.
Analistët thonë se një çështje kyçe për çmimin e naftës në vazhdim është nëse do të ndikohet transporti përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ngushtica – e cila është midis Omanit dhe Iranit – është një rrugë thelbësore detare, pasi rreth 20% e furnizimit të përgjithshëm të naftës në botë kalon përmes saj.
Anëtarët e OPEC-ut, Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku, dërgojnë pjesën më të madhe të naftës që eksportojnë përmes ngushticës.
Të shtunën, Irani kapi një anije tregtare me lidhje me Izraelin, teksa kalonte përmes ngushticës së Hormuzit. / BBC
Të tjera
-
Lansimi i programit për energjinë, Hovenier: Jemi në një pikë lëvizëse për të arritur planin tonë
Sot është lansuar programi mes MCC-së dhe Qeverisë së Kosovës, ku i pranishëm...
-
Osmani: Kandidatura individuale pamundësoi garën time për balotazh
Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nga Fronti Evr...
-
Kryeministri i Malit të Zi: E duam Serbinë, por s’heqim dorë nga njohja e Kosovës
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka thënë se vendi i tij nuk do të...
-
Ali Ahmeti i përgjigjet kandidates së VMRO për Presidente që kërkoi Tribunal për UÇK’në: Kam qenë luftëtar lirie
Për deklaratën e kandidates për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE se do të k...
-
Elshani për vendosjen e kamerave në veri: Janë për sigurinë e qytetarëve
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të vendit, Veton ...
-
Biden dhe Trump fushatë në shtetin e Miçiganit
Kandidati për president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pritet të b...
-
Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth KiE-së
Kryeministri Albin Kurti nuk ka dashur të komentojë qëndrimin publik të Gjerm...
-
Programi me MCC’në, Kurti: Investimi më i madh në energji në dekadat e fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova po bëhet shteti me ka...
-
Hyn në fuqi programi me MCC-në, Rizvanolli: Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive
Ka hyrë sot në fuqi programi MCC-në i cili vendosë Kosovën në rend të parë t...
-
Policia në Pejë kërkon ndihmën e qytetarëve në gjetjen e ”Tiktok-erit”
Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj pë...
-
Njësiti FAST Kosova arreston një person të kërkuar nga INTERPOL’i
Policia ka njoftuar se njësiti Fast Kosova ka arrestuar një person të kërkuar...
-
Dallavere e dyshime për korrupsion, OSHP bombardohet me ankesa për tenderin 35 milionësh të Liburn Aliut për rrugën Prizren – Tetovë
Dallavere, dyshime për korrupsion e dhjetëra shkelje ligjore dyshohet të kenë...