Lajme

BE-ja dhe Gjermania investojnë 49 milionë euro shtesë në përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:38 | 26 January 2023

Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, shënuan përfundimin e një projekti trevjeçar kushtuar përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta në Kosovë dhe prezantuan aktivitetet e reja të nisura në këtë sektor.

Sipas njoftimit për media thuhet se projekti i finalizuar së fundmi me vlerë 7 milionë euro është financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe është zbatuar nga GIZ-i.

Si rezultat i këtij projekti, pati një rritje të grumbullimit të mbeturinave të ngurta në të 38 komunat e Kosovës nga 57.8 përqind në 90.2 përqind, zgjerim të shërbimit të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave duke përfshirë 77,000 familje shtesë dhe mbyllje të më shumë se 1,500 deponive ilegale.

-Advertisement-

“Projekti i financuar nga BE-ja dhe Gjermania për mbështetjen e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë ka dhënë rezultate mbresëlënëse gjatë tre viteve të fundit”, tha Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu.

“Përveç rezultateve të prekshme në terren, projekti gjithashtu na ndihmoi të zhvillojmë një kornizë strategjike kombëtare për menaxhimin e mbeturinave që do të drejtojë punën tonë të ardhshme për trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave. Ne mezi presim të punojmë me BE-në dhe Qeverinë Gjermane për të përmirësuar më tej, në përputhje me standardet e BE-së, menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë”, shtoi ai.

Projekti mbështeti gjithashtu punën e kompanive rajonale dhe atyre lokale të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.

“Tarifa e grumbullimit të mbeturinave është rritur për 4 milionë Euro gjatë tre viteve të fundit dhe 15 komuna kanë filluar të zbatojnë aktivitetet e riciklimit dhe kompostimit”, tha kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëkohësisht dhe kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Përmes projekteve të reja, me vlerë 49 milionë euro, BE-ja dhe Gjermania do ta ndihmojnë Kosovën në harmonizimin e kornizës së saj ligjore për menaxhimin e mbeturinave me legjislacion të BE-së dhe do të mbështesin zbatimin e Ligjit të ri për Mbeturina dhe Strategjisë së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave.

“Ne po e ndihmojmë modernizimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë në përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira, por çelësi është në duart e autoriteteve kosovare. Shpresojmë që së shpejti të miratohen dokumentet ligjore dhe të fillojë zbatimi i masave të parapara”, tha Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Johannes Madsen.

BE-ja dhe Qeveria Gjermane po vazhdojnë të mbështesin reformat e qëndrueshme në sektorin e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë.

“Qëllimi ynë është të shohim tranzicionin e Kosovës drejtë ekonomisë qarkore duke mundësuar një mjedis të pastër dhe duke mbrojtur shëndetin publik. Jemi veçanërisht krenarë për rritjen e rolit të sektorit privat në skemat e riciklimit, si dhe për planet dhe marrëveshjet e menaxhimit të integruar ndër-komunal të mbeturinave që ndihmuam të arrihen”, tha drejtori i GIZ Kosova, David Oberhuber.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera