Opinione

Bankat dhe mikrofinancat në Kosovë e bëjnë ligjin vet, BQK-ja “inekzistente”

Autori: Gazeta inFokus 14:15 | 05 July 2022

Bankat Komerciale dhe IMF-të në Kosovë, sa të duan dhe kur të duan i ngritin çmimet e shërbimeve bankare, dhe si të duan dhe kur të duan i përcaktojnë kamatat për të gjitha llojet e kredidhënies. Ndonjëherë edhe ka mundësi t’ia dërgojnë ndonjë ‘depesh” BQK-së për ta njoftuar për çmimet e reja të shërbimeve bankare. Ndërsa, fitimet e mëdha të këtyre bankave janë kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të ‘stërlarta’ (madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë) të institucioneve mikrofinanciare.

Mehmet GJATA

Bankat në Kosovë, këto komercialet pra, vetëm këto i kemi, por edhe institucionet e ashtuquajtura mikrofinanciare, ose figurativisht siç vazhdojnë të quhen nga klientela ‘fajdexhinjtë legalë në Kosovë”, e bëjnë ligjin vet: -Sa të duan dhe kur të duan i ngritin çmimet e shërbimeve bankare dhe si të duan dhe kur të duan i përcaktojnë kamatat për të gjitha llojet e kredidhënies.

-Advertisement-

Nuk pyesin pra askënd e asnjëherë, dhe në asnjë rast të vetëm, ose vetëm ia dërgojnë ndonjë ‘depesh” BQK-së ndonjëherë, për ta njoftuar për çmimet e reja të shërbimeve bankare, ose për pamundësinë e uljes së kamatave “për shkak të riskut të madh që mbretëron në Kosovë”.

Dhe, duhet thënë, por edhe përkujtuar edhe klientelën edhe BQK-në, se fitimet e mëdha në të gjitha periudhat e vitit (tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore, dhe vjetore) të këtyre bankave, janë kryekëput rezultat i çmimeve shumë të larta deri në stratoferë të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë, të institucioneve mikrofinanciare.

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, siç dihet publikisht, aplikojnë norma absurde dhe për logjikën e shëndoshë, të pakuptueshme deri në 41 për qind, ose më saktë nga 23 deri në 41 për qind. Këto, pa diskutim, janë interesat më të larta në botë, në Europë dhe ndër shtetet e rajonit.

Nëse ndonjë njohës i mirë i zhvillimeve bankare, por edhe ndonjë klient, ose qytetar i rëndomtë do të gjente nivel kaq të lartë të interesit për kreditë, qofshin ato të ashtuquajtura “për konsum”, që më shumë i aplikojnë institucionet mikrofinanciare, le ta thotë, dhe, autori i këtyre rreshtave, do të bëjë publike rastet eventuale me interesa më të ulëta se këto në Kosovë. Por, nuk ka. Kosova është kampione absolute për çmimet e shërbimeve dhe për lartësinë e kamatave të kredive të të gjitha llojeve.

Në Kosovë operojnë nëntë Institucione mikrofinanciare të licencuara nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Përgjatë një viti fiskal, këto institucione arrijnë të grumbullojnë deri në 15 milionë euro profit neto, të hyra këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit në kredi.

15 milionë fitim të pastër po të shënonin institucionet mikrofinanciare edhe në ndonjë shtet me potencë financiare dhe të fuqishëm ekonomikisht, do të ishte shumë enorm fitimi dhe do të bëhej çështje analizash dhe hulumtimi në atë vend.

Fitimet neto të këtyre institucioneve në Kosovë po vazhdojnë të rriten vit pas viti. Vetëm deri në muajin prill të këtij viti, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në raportet e saja mujore për sistemin financiar, ka të dhënat se ky sektor ka arritur të grumbullojë gjithsej 6.3 milionë euro neto. Kurse, vetëm të hyra nga interesi për vetëm 4 muaj operim, ky sektor ka prezantuar 15.9 milionë euro.

Siç dihet, gjatë tërë vitit 2021, fitimet neto të këtyre institucioneve kanë arritur në 14.3 milionë euro, ku vetëm nga interesi ka pasur të hyra në vlerë të 43.4 milionë eurove.

Në këtë mënyrë, në Kosovën e varfër dhe financiarisht të brishtë, institucionet mikrofinanciare, që kanë kryesisht origjinë nga jashtë dhe që nga to, asnjë gjë, praktikisht nuk përfiton Kosova, fitimi neto sa vie e shtohet, ekskluzivisht si rrjedhojë e interesave që tejkalojnë edhe ato të fadexhinjve ilegalë.

Edhe më konkretisht: nëse ndonjë qytetar i Kosovës vendos që të marrë kredi të ashtuquajtur për konsum nga IMF-ja që bartë emrin “KosInvest” , e që është institucioni mikrofinanciar më i kushtueshëm aktualisht në vend, nga vetëm 100 deri në 1 mijë euro (si shuma më e vogël me afat pagese për një vit), atëherë normë efektive të interesit do të kenë shumën prej 41 për qind, kurse normën vjetore të interesit prej 31 për qind. Edhe kredia personale dhe ajo për renovim, në një shumë deri në 3 mijë euro që mund të merret në këtë IMF, kanë një kamatë të interesit të lartë prej 37%, përkatësisht 36.96 për qind. Kurse, tek kreditë si ajo për biznes, bujqësi, ku shumat maksimale të kredisë janë deri në 10 mijë euro, kamatat sillen nga 30 për qind deri në 34.65 për qind, varësisht nga afati optimal i kthimit të borxhit, që kalkulohet në dy cikle, në 36 dhe 60 muaj.

Interesa të larta dhe përtej çdo krahasimi karshi institucioneve të ngjashme në botë, aplikohen tashmë deri tash pothuaj në shumicën nga nëntë institucionet mikrofinanciare sa operojnë këtu (“Finca”, Agjencioni për Financim në Kosovë (AFK), ‘Kreditimi Rural i Kosovës-KRK’, KEP Trust Kosovo Enterprise Program etj,). Dhe të dhënat për shumën e kamatave për kreditë në të gjitha institucionet mikrofinanciare i ka siguruar të gjitha Buletini Ekonomik, por ato do të zënin faqe të tëra gazete po të botoheshin.

Megjithatë, BQK-ja vazhdon të heshtë, sado që pasojat e kredimarrjes me kamata tejmase të larta, ky institucion, pra vet BQK-ja i ka përfshirë pak a shumë në raportin e titulluar “Ngarkesa me borxh e ekonomive familjrare në Kosovë”.

Sipas këtij raporti, 1.8 për qind e kosovarëve me të hyrat që kanë, nuk mund ta mbulojnë këstin e kredisë që e kanë në bankat komerciale në Kosovë, ndërkaq 3.8 për qind të qytetarëve, kredia ua merr 75 për qind deri në 100 për qind të të hyrave. Po sipas këtij raporti, në fazën e parë të mbingarkesës me borxh – në rrezik për mbingarkesë ngase kësti mujor i huasë përbën 50 deri në 75 për qind të të hyrave mujore – janë 21.8 për qind të huamarrësve, pra qytetarëve.

BQK në raport tregon edhe për fazën kritike të ngarkesës me borxh, në të cilin janë 3.8 për qind e qytetarëve. Në këtë fazë, kreditë ua marrin qytetarëve 75 deri në 100 për qind të të hyrave mujore. Rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore, përbëjnë 1.8 për qind të mostrës së huamarrësve, dhe kjo është shqetësuese. Dhe, çuditërisht Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vazhdon të heshtë edhe më tutje për rastin e kamatave të larta që janë duke aplikuar institucionet mikrofinanciare në vend për klientët e tyre, duke i bërë këto institucione fejdexhinjë legal.

IMF-të në Kosovë ekskluzivisht me miratimin e BQK-së janë shndërruar në fajdexhinjë të ligjshëm, dhe si të tillë, janë të paprekshëm, ndërkohë që fajdexhinjtë illegal, te ne janë të ndaluar dhe sanksionohen në çdo rast nga shteti dhe mirë që sanksionohen. Por, pse heshtë BQK-ja për këto abuzime kaq të tejdukshme bankare dhe për këto kamata ndër më të lartat në botë, pasi edhe për çmimet e shërbimeve bankare të bankave komerciale duhet dikush të jap një herë e mirë një përgjigje.

Mbase, Kuvendi i Kosovës, i cili më në fund ka kompletuar edhe Bordin e BQK-së, do të duhej të preokupohej urgjentisht me këtë çështje kaq shpërthyese dhe kaq me pasojë të ndjeshme në ndikimin në mirëqenien e kosovarëve të varfër në këtë kohë krizash.

Kuvendi i Kosovës, meqenëse BQK-ja po vazhdon të heshtë, duhet të këmbëngulë që të zbatohet rregullorja e BQK-së për normat efektive të interesit në këtë sektor, sipas të cilës “të gjitha IMF-ve mund t’ju kërkohet që t’i justifikojnë tarifat e vëna me rastin e dhënies së kredive”.

Në këtë kontekst, dhe me qëllim të vënies të një kontrolli të ligjshëm, Kuvendi i Kosovës, apo ndonjë institucion tjetër kompetentë, duhet të merret me këtë çështje, të shohë me seriozitet pse ky nivel kaq i lartë i ligjshëm kamatash vazhdon të mbahet ende në Kosovë, edhe 23 vjetë pas luftës dhe 14 vjet që kur Kosova është shpallur shtet i pavarur. Të dihet së paku, pse gjithë këto lëshime e “mbyllje sysh” iu bëhen institucioneve mikrofinaciare dhe bankave të njëmendta, atyre komerciale në Kosovë nga BQK-ja. Pse jo, të hulumtohet edhe dyshimi se mos ndonjë sektor i BQK-së, apo ndonjë përgjegjës i saj, është i involvuar në gjithë këto benefite që u lejohen institucioneve bankare në vend jashtëligjshëm.

Sikundër, që dikush në këtë shtet, duhet të jap përgjigje pse BQK-ja, megjithë atë shërbim për informim që ka dhe megjithë atë numër punonjësish që paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës, nuk kthen asnjëherë, qoftë edhe një përgjigje të vetme për afarizmin e sistemit bankar të Kosovës në përgjithësi, dhe në veçanti nuk jep përgjigje të qëndrueshme pse gjithë këto kamata kaq të larta për kredi dhe në çfarë baze po vazhdojnë të aplikohen këto çmime enorme për shërbimet bankare. Dhe për institucionet zyrtare që kanë detyrë të monitorojnë performacën e BQK-së, s’ka më lehtë se sa për të parë se rritja enorme e profitit është rrjedhojë thuaja kryekëput e të hyrave nga interesat që patën dhe vazhdojnë të kenë bankat, përkatësisht rritjes së kredidhënies, çmimeve stratosferike të shërbimeve bankare dhe miratimit pa asnjë kundërshtim nga BQK-ja të kërkesave të pandalshme të bankave për të mbajtur interesat në përqindje kaq të larta akoma.

Profiti kaq i lartë i bankave dhe IMF-ve është, gjithsesi, edhe rrjedhojë e politikave fare të pakuptueshme që po ndjek BQK-ja në disfavor të theksueshëm kundrejt klientelës kosovare edhe duke miratuar në heshtje ngritjen enorme të çmimeve të shërbimeve bankare dhe të intereseva astronomike.

Gjithnjë deri më tash, bankat komerciale dhe IMF-të në rastet më të shpeshta, fare pa paralajmërim i kanë ngritur çmimet e shërbimeve bankare, mu para syve të BQK-së, që ka mision të vetëm monitorimin e punës dhe stabilitetit bankar të vendit. Në asnjë rast të vetëm deri më tani, sidomos gjatë mandatit të guvernatorit aktual, BQK-ja nuk ka dhënë ndonjë sqarim të qëndrueshëm për ngritjet e shpeshta të çmimeve të shërbimeve bankare. Ndërsa, as që bëhet fjalë për ndonjë rast të tërheqjes së vërejtjeve bankave komerciale kosovare dhe IMF-ve për këto çmime rekorde, ose për t’ua anuluar ndonjëherë vendimet për çmimet e shërbimeve bankare.

Siç u tha më lartë, ka fakte që as tërheqje vërejtjeje nga kupola e sistemit bankar të Kosovës nuk iu bëhet ndonjëherë bankave kosovare që kanë gjetur parajsën këtu dhe vendin zyrtarisht tolerant për thuaja çdo veprim të tyre, qoftë në ngritjen e çmimeve të shërbimeve, qoftë në mbajtjen konstante të interesave të larta, më të lartat në rajon. Madje, nga toleranca pafundësisht e skajshme e BQK-së ndaj insistimit të bankave për nivel enorm të interesave, por edhe të shërbimeve, jo në pak raste ka pasuar kërkesa të reja të këtyre bankave për të ngritur sidomos çmimet e shërbimeve dhe për të tkurrur maksimalisht numrin e punonjësve.

S’do mend, se këtë nivel kamatash dhe çmimesh enorme për shërbimet bankare, këto banka nuk do të kishin asnjë mundësi ta bënin të vetme, pra pa përkrahjen e ndonjë institucioni mbikëqyrës kosovar. Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës (BQK), së paku deri tash, fare lehtësisht ka pranuar kërkesat e bankave për këto çmime të egra, duke miratuar pa humbur kohë kërkesat e kamatarëve të huaj dhe vendor, gjithnjë duke qenë shumë e mbyllur me publikun dhe gjithnjë jotransparente për pranimin e kërkesave të bankave komerciale.

Buletini Ekonomik disa herë e ka theksuar publikisht se nuk qëndron kaherë arsyetimi i vetëm nga bankat dhe nga BQK-ja për kamatat, që ngjasonin me ato të fajdexhinjve, ose ishin fare të përafërta me to, se gjoja risku i lartë në Kosovën e pasluftës, qenka shkaku i gjithë këtyre kamatave dhe çmimeve kaq të larta të produkteve bankare. Nuk ka qëndruar, praktikisht, asnjëherë të vetme ky arsyetim edhe për faktin se në Kosovë thuaja nuk ndodhi asnjë vjedhje e as thyerje e ndonjë institucioni bankar në gjithë këto vite. Ose, në këtë periudhë, rastet e vjedhjeve ordinere ose të ndonjë veprimi që do të shkaktonte pasiguri të sistemit bankar, siç dihet, në vendin tonë kanë qenë tepër të rralla.

Ndërkohë, po në atë periudhë anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kishte X raste të vjedhjeve të bankave. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas pohimeve të vetë guvernatorit të BQK-së, janë gjithsej 2.5 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare bankare. Pikërisht për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në ato rrethana (shumë pak vite pasluftës) ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale.

Tanimë të flasësh për riskun si shkak të kamatave dhe çmimeve të produkteve bankare, është absurde dhe fare e pakuptimtë. Duhet thënë troç tashmë edhe guvernatorit të BQK-së edhe stafit të tij, edhe Kuvendit të Kosovës, se Kosova është shumë e sigurtë për afarizëm të suksesshëm bankar, performancë solide dhe korrekte. Por, duhet thënë me zë të lartë, po kështu se Kosova, për shkaqet e sipërpërmendura u bë dhe vazhdon të mbetet parajsë e bankarëve. Dhe me këtë parajsë bankat e instaluara këtu nuk u kënaqën dot, por ngarendën vrullshëm dhe egërsisht pas shansit të ofruar për fitime të reja më të shumta dhe gjithnjë të shpejta. Pa humbur kohë, shpesh dhe disa herë edhe brenda një viti ngritën çmimet e produkteve bankare, sidomos të shërbimeve, dhe megjithë presionin nga brenda dhe jashtë opinionit, mbajtën nivelin enorm të interesave. Dhe kjo nuk u mjaftoi. Zunë të tkurrin filialet, mbyllën shumë prej tyre, për të krijuar radhë të pafundta para sporteleve të bankave komerciale. Për një shërbim më të voglin, tani kosovari i rëndomtë duhet pritur edhe me orë, për shkak të reduktimit të filialeve, sporteleve dhe punonjësve në këto banka. Dhe prapë nuk u ngopën me fitimet enorme.

Tash e më shumë se dy vjet disa nga bankat komerciale kanë zënë të reduktojnë drastikisht numrin e punonjësve në emër gjoja të digjitalizimit të shërbimeve, edhe pse ato fare mirë e dijnë që për mbi gjysmën e kosovarëve ato janë të pakapshme dhe të pazbatueshme. Në anën tjetër, vazhdojnë të shtojnë fitimet neto, ekskluzivisht në saje të interesave të larta deri në qiell dhe të çmimeve të pakuptueshme super të larta të produkteve bankare. Dhe për shkak të shërbimeve frikshëm të shtrenjta, dhe interesave akoma shumë të larta, bankat komerciale në vendin tonë, këto që janë (10-11 sosh), vjet kanë arkëtuar mbi 117 milionë euro neto fitim. Këtë shumë, nuk ka dyshim do ta lakmonte edhe banka më prestigjiioze dhe më kredibile në akcilin shtet të botës.

Sivjet ky fitim do të jetë për dhjetëra miliona euro më i lartë, gjithsesi. Me trendin e fitimit të realizuar në tremujorin e parë, dhe më tremuajshin e dytë të këtij viti, analistët parashikojnë që rekordi i vjetshëm i fitimit në fund të 2022-tës do të tejkalohet lehtësisht. Dhe me gjithë këto fakte, BQK-ja, si rregullatore e sistemit bankar të Kosovës dhe mbikëqyrëse ligjore e funksionimit të bankave kosovare, cilado qofshin ato, ka heshtur dhe për ironi të fatit po vazhdon të heshtë, që përkthehet – po vazhdon të përkrahë ngarendjen e bankave të uritura për të shtuar pa sosur fitimet neto dhe dërgimin e këtij fitimi në shtetet prej nga e kanë origjinën, apo selinë shumica e bankave të Kosovës. BQK-ja po vazhdon të mbetet e mbyllur për opinionin, të mos japë sqarime për asnjë shqetësim të qytetarëve për kuotat më të lartat në rajon dhe në botë të interesave dhe shërbimeve bankare, por as për interesimet e medieve për këto zhvillime. Dhe kjo heshtje e përgjegjësve në BQK, por edhe në Kuvendin e Kosovës, iu shkon për shtati bankave që nuk rreshtin të ngritin kostot e shërbimeve bankare. 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera