Ekonomi

Banka mashtruese merr çmim për filantropi

Autori: Gazeta inFokus 15:34 | 07 December 2017

Banka që u gjobit 1 milionë euro për mashtrim të klientëve është përzgjedhur javën e kaluar si kontribuuesi kryesor në shoqëri, nga Forumi për Iniciativa Qytetare.

Raiffeisen Bank Kosovo ka fituar çmimin FIDES për kontribut në nivel kombëtar “Hasan Prishtina” për kontribut në projekte që avancojnë arsimin, inovacionin dhe kulturën.

Pjesëmarrës të afërt me procesin e përzgjedhjes së fituesve, kanë ngritur dyshimet për mundësi të manipulimit dhe konfliktit të interesit për shkak të prezencës së përfaqësuesve të bankës në komisionin përzgjedhës.

-Advertisement-

Gazeta Fjala ka gjetur se anëtare e Komisionit përzgjedhës ka qenë Antigona Limani, përfaqësuese e Raiffeisen Bank.

Limani është kryesuese e departamentit për marketing dhe marrëdhënie me publikun në të njëjtën bankë e cila edhe ka fituar çmimin dhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve janë ngritur dyshime për konflikt interesi.

Ndërkaq, Organizatorët mohojnë të ketë pasur padrejtësi në këtë proces.

Arjeta Dragusha, nga Forumi për Iniciativa Qytetare ka thënë për Gazetën Fjala se FIQ para se të mbledhë Komisionin për Vlerësimin e fituesve, e përgatitë një dokument të brendshëm, me rregullat dhe procedurat e përzgjedhjes së fituesve, të cilin para fillimit të përzgjedhjes së fituesve, anëtarët e Komisionit, e lexojnë dhe pajtohen me to, në të kundërtën nuk bëhen pjesë e Komisionit!

“Kjo rregullore, veç tjerash e saktëson konfliktin e mundshëm të interesit, ku në rast të konfliktit të interesit në mes të Anëtarit të Komisionit dhe ndonjë të nominuari/aplikanti, anëtari i Komisionit, nuk voton, por në vend të votave të tij merret mesatarja e votave të të gjithë anëtarëve të tjerë të Komisionit. Kjo ka ndodhë edhe me Antigona Limanin, me rastin e votimit te Raiffeisen Bank!”, ka thënë Dragusha.

Gazeta Fjala, ka parë procesverbalin e votimit në të cilin nuk figuron të ketë votuar Antigona Limani.

Përse u gjobit 1 milionë euro Raiffeisen Bank?

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në vitin 2015 e ka gjobitur bankën Raiffeisen, me hiq më pak se 1 milion euro, për dyshimin për mashtrim të klientëve me produktin e sigurimit të kredisë.

Zyrtar të lartë të BQK-së, i patën thënë Gazetës Fjala, në kushte anonimiteti se produkti që u ishte ofruar klientëve si mundësi që të shlyejnë borxhin ndaj bankës në rastet e aksidenteve apo të sëmundjeve që rezultojnë me vdekje ose paaftësi të përhershme duke siguruar kredinë, nuk është zbatuar edhe pse qytetarët kanë paguar.

Lajmin për gjobën e pati konfirmuar për Gazetën Fjala, Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun.

Sigurimi i kredisë është produkt që e aplikon banka Raiffeisen për kreditë individuale për të siguruar pagesën e saj edhe në rastet e aksidenteve apo të sëmundjeve që rezultojnë me vdekje ose paaftësi të përhershme.

Përmes sigurimit të kthimit të kredisë, i bëhet e mundur huamarrësit të shlyej borxhin ndaj bankës, në mënyrë që që të shmangin rastin që bashkëhuamarrësi, garantuesi ose ndonjë anëtar i familjes të hyn borxh për personin që ka marrë kredinë. /Gazeta Fjala/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera