Fokus

“Asnjëherë nuk më la vetëm” – Emocionon e mbijetuara e kancerit të gjirit teksa rrëfen për mbështetjen e nënës

Autori: Gazeta inFokus 22:38 | 16 Tetor 2026

Arnisa Osmani, e cila ka mbijetuar nga kanceri i gjirit, ka emocionuar me rrëfimin e saj për mbështetjen e pakushtëzuar që ka marrë nga nëna gjatë përballjes me këtë sëmundje.

Në storien e emisionit “Doktor Plus” në Gazetën Infokus, Osmani ka treguar se nëna e saj ka qenë mbështetja më e madhe gjatë gjithë rrugëtimit, duke i qëndruar pranë në çdo kontroll dhe ndërhyrje mjekësore.

Duke folur për vështirësitë që përjetojnë prindërit kur fëmijët e tyre përballen me sëmundje të rënda, ajo ka thënë se, ndonëse nuk është vetë nënë, e kupton sa e vështirë duhet të ketë qenë kjo periudhë për nënën e saj.

-Advertisement-

“Nënë nuk jam, por për një nënë me pa fëmijën e vet në ato gjendje që, për shembull, kam qenë unë, nuk është lehtë. Asnjëherë nuk ia kam pa një lot në sy”, ka rrëfyer Osmani.

Ajo ka treguar se, megjithëse nëna nuk e kishte shfaqur dhimbjen përpara saj, ishte e vetëdijshme se edhe ajo po kalonte momente të rënda emocionale.

“E di që me dikë tjetër i ka qa hallet, se u dashtë me i qa, se edhe ajo është njeri”, është shprehur ajo.

Osmani ka rrëfyer se pas humbjes së babait, nëna ishte bërë mbështetja e saj kryesore, duke mos e lënë vetëm në asnjë moment të rëndësishëm të trajtimit.

“Pas humbjes së babit, mamin e kam pas në çdo sen, në çdo intervenim, çdo kontroll”, ka treguar ajo.

Një nga momentet që Osmani ka veçuar ishte edhe periudha kur iu desh të qëndronte për një muaj e gjysmë në Beograd për një ndërhyrje mjekësore.

Ajo ka treguar se edhe gjatë asaj kohe, larg shtëpisë, nëna i kishte qëndruar pranë vazhdimisht.

“Kur kam pas intervenim në Beograd, një muaj e gjysmë kemi nejt atje. As atje nuk më ka lanë vetëm asnjë minutë”, ka rrëfyer Osmani.

Në fund të këtij rrëfimi emocional, ajo ka shprehur mirënjohjen dhe dashurinë e madhe për nënën, e cila, sipas saj, ka qenë gjithmonë pranë në momentet më të vështira të jetës.

“Kështu që mami është mbretëresha jem”, është shprehur ajo.

Rrëfimi i Arnisa Osmanit është pjesë e stories së emisionit “Doktor Plus”, realizuar në kuadër të Muajit Rozë, kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe historive të grave që janë përballur me këtë sëmundje.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy