Lajme

Arrestohet kontrabandisti i kërkuar, i gjenden mallra të futura ilegalisht në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 11:25 | 22 March 2023

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar një person të dyshuar me urdhër arrest aktiv dhe ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në Viti.

“Me datën 22 mars 2023, rreth orës 07:00, njësitë policore Taskforcë nga Policia Kufitare kanë ndaluar një automjet transportues në Mjak të Vitisë, me drejtues dhe pasagjer, dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ku gjatë legjitimimit të tyre ka rezultuar se i dyshuari, drejtuesi i mjetit, me iniciale I. M., viti i lindjes 1993, kishte urdhërarrest aktiv të lëshuar nga gjykata kompetente, ku përveç kësaj po ashtu është vërtetuar se edhe mjeti të cilin e drejtonte ishte pa regjistrim valid”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas këtyre veprimeve të ndërmarra, policia ka realizuar edhe një kontroll në automjetin e lartcekur, me ç’rast janë gjetur dhe janë konfiskuar një sasi e mallrave si: 40 thasë fara kungulli x 25 kg= 1000 kg, 50 pako arra të qëruara x10.5kg= 525kg.

-Advertisement-

Për këto mallra sipas policisë, të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse dhe se të njëjtit po ashtu kanë pranuar se malli i ngarkuar është futur përmes rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në Republikën e Kosovës.

Lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, i dyshuari i cili kishte urdhërarrest i është dorëzuar stacionit policor përkatës për procedura të mëtejme.

Malli i konfiskuar i dorëzohet Doganës së Kosovës, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt.

   

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera