Lajme

Ambasadorët e akredituar në Kosovë reagojnë pas sulmit ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në veri, kërkojnë që këto akte të ndalen

Autori: Gazeta inFokus 11:54 | 11 December 2022

Ambasadorët e akredituar në Kosovë, kanë reaguar pas sulmeve të mbrëmshme ndaj pjesëtareve të EULEX-it dhe Policisë së Kosovë, në veri të vendit, duke i quajtur të papranueshme.

Ambasada e Italisë në Kosovë, përmes një reagimi në  Twitter, ka shkruar se sulme të tilla me shok-bomba në drejtim të personelit të sigurisë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe ndaj Policisë së Kosovës, janë të pajustifikueshme.

Ambasada e Italisë në Kosovë, ka deklaruar se i dënon ashpër këto akte që ndodhën të shtunën në veri të Mitrovicës.

-Advertisement-

“Sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare si EULEX-i, nuk kanë fare justifikim. Ne i dënojmë këto akte në termat më të ashpër”, thuhet në reagim.

Sulmin ndaj EULEX-it me shok-bombë ne veri e ka dënuar edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili ka bërë thirrje që të dhuna ndaj organeve të rendit të ndalet tani.

“EULEX- i kontribuon në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet tani”, ka shkruar Rohde.

 

Edhe ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiq, i ka quajtur të papranueshme sulmet e tilla.

“Sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme”, ka shkruar ajo.

 

Sulmet e tilla i ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Ai në Twitter shkroi se sulmet e tilla si ndaj Policisë së Kosovës si ndaj personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme.

Duke shtuar që përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë kosovare.

“SHBA i bashkohet, EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle të EULEX-it, mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë kosovare”, ka shkruar në Twitter Hovenier.

Misioni i EULEX-it ka bërë të ditur se mbrëmë një patrullë e vëzhguesve të EULEX-it është sulmuar me një shok-bombë në afërsi të Rudarit në veri të Kosovës.
Sipas njoftimit thuhet se nga ky sulm fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera