Lajme

Alarmi i IKD-së: Bllokada e Kuvendit rrezikon t’i kushtojë Kosovës mbi 31 milionë euro

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 14 August 2026

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po rrezikon zbatimin e pesë hapave reformues në kuadër të Fushës 2 të Planit të Rritjes, me vlerë prej 31.3 milionë eurosh.

Kështu ka paralajmëruar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke theksuar se kjo shumë përbën 18.87 për qind të fondeve të përgjithshme të Planit të parapara deri në fund të vitit 2026.

Sipas IKD-së, Fusha 2 e Planit të Rritjes përfshin tranzicionin e gjelbër dhe digjital, me fokus të veçantë në energji, politika klimatike dhe shërbime publike digjitale.

-Advertisement-

“Moskonstituimi i Kuvendit rrezikon zbatimin e pesë hapave reformues në Fushën 2 të Planit të Rritjes. Vlera e tyre arrin në 31.3 milionë euro, ose 18.87% të fondeve të përgjithshme të Planit të parapara deri në fund të vitit 2026”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Në mesin e reformave që rrezikohen është edhe ankandi për 150 MW energji nga era, përafrimi me Aktin për Infrastrukturën Gigabit, si dhe miratimi i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Po ashtu, kërkohet kompletimi i kornizës nënligjore për zbatimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike dhe thjeshtimi i procedurave për projektet e energjisë së ripërtëritshme.

Sipas Institutit, realizimi i shumicës së këtyre hapave kërkon miratimin e legjislacionit dhe akteve nënligjore, por edhe bashkërendim ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

“Për këtë arsye, bllokada institucionale rrezikon drejtpërdrejt realizimin e tyre brenda afateve të përcaktuara”, thekson IKD.

Instituti ka rikujtuar edhe afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se ai tashmë nuk është respektuar.

“Ndonëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, ky afat nuk është respektuar. Kuvendi mbetet jofunksional, ndërsa formimi dhe funksionalizimi i institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 janë vënë në pikëpyetje”, thuhet në komunikatë.

IKD paralajmëron se vazhdimi i situatës aktuale mund t’i kushtojë Kosovës jo vetëm financiarisht, por edhe në procesin e reformave dhe integrimit evropian.

“Vazhdimi i kësaj bllokade rrezikon përmbushjen e obligimeve të Kosovës dhe disbursimin e mbi 31 milionë eurove nga kjo fushë. Njëkohësisht, dëmton besueshmërinë e vendit në procesin e reformave dhe të integrimit evropian”, përfundon IKD./Gazeta Infokus 

 

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy