Ekonomi

Alarmante, 90 mijë kosovarë mund të blejnë vetëm një bukë e një qumësht brenda dite

Autori: Anita Krasniqi 10:27 | 12 January 2019

Vetëm një bukë gjysmë kilogrami dhe një litër qumësht mund ta blejnë 90 mijë qytetarë të Kosovës brenda ditës.

Kaq persona llogaritet se jetojnë në varfëri ekstreme dhe vetëm me 1.30 euro në ditë, shkruan Gazeta inFokus

E këta janë 5 përqindëshi i tërë kosovarëve.

-Advertisement-

Më mirë nuk jetojnë as 17 për qind e qytetarëve tjerë.

Këta marrin hiq më shumë se 1.82 euro në ditë.

Kjo gjendje e rëndë ekonomike nuk ka ndryshuar tash e tri vite,shkruan gazeta inFokus.

Numri i familjeve që marrin asistencë sociale, sipas të dhënave të zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, arrin në mbi 25 mijë.

Mimoza Kqiku nga  Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, bëri me dije për inFokus se pavarësisht ndihmës sociale 73 përqind të familjevetë varfra jetojnë në vendbanime rurale.

“Niveli i varfërisë mbetet i lartë për familjet me më shumë se shtatë anëtar apo 39  përqind.Personat me aftësi të kufizuar, personat me pensione dhe individët me shkallë të ulët të shkollimit kanë përqindje të lartë për varfërinë”, ka thënë Kqiku.

Sipas saj edhe studentët hynë në këtë kategori me 20 për qind.

Shuma që marrin këto familje sillet rreth 50 euro deri në 150 euro në muaj.

Por siç duket familjet nevojtare kanë gjetur edhe forma të tjera për të siguruar jetesën e tyre.

Hasan Mustafa sekretar në Kryqin e Kuq për gazetën inFokus ka thënë se ka familje të shumta të cilat kërkojnë ndihmë për gjërat elementare.

“Për momenti ne kemi mbi 1 mijë familje të regjistruara që i mbajmë me gjëra ushqimore.Ne i furnizojmë me gjëra elementare me ushqime dhe veshmbathje.Me ndihmën e donatorëve po mundohemi që të mos iu mungojnë këto gjëra”,ka thënë Mustafa.

Ndërsa njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, gjendjen ekonomike në vend e ka cilësuar jo të mirë.

Sipas tij, qeveria nuk e ka prioritet ekonominë e vendit për shkak të agjendave politike duke rezultuar me papunësi të lartë dhe mirëqenie të ulët.

“Kjo qeveria me të marrë mandatin më shumë u fokusua në shpenzime të pagave dhe duke shtuar numrin e ministrive e mos të flasim për numrin rekord të zëvendësministrve. Shoqëria kosovare si rezultat i papunësisë së lartë dhe i pagave të ulëta nuk mund të mbulojnë as shportën e konsumit e mos të flasim për veshmbathje e rekreacion”, ka thënë Kadrijaj për gazetën inFokus.

Nga Ministria e  Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se për vitin 2019 për Ndihma Sociale është ndarë buxheti 30 milionë euro./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera