Ekonomi

Agim Aliu e “harron” një premtim të madh për Ferizajin

Autori: Sylejman Sylejmani 12:12 | 08 November 2018

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu përgjatë fushatës zgjedhore për të marrë postin që tani bartë, premtoi se do t’i subvencionojë me para të gatshme bizneset ferizajase, të cilat dëshirojnë të rrisin numrin e punëtorëve, shkruan Gazeta inFokus.

Këtë projekt, Aliu e paraqiste si madhor dhe i cili do të fillonte të zbuste papunësinë në Ferizaj.

Megjithatë, tash kur janë bërë rreth një vit prej kur ai e ka marrë detyrën, Instituti për Studime të Avancuara (GAP) ka gjetur se akoma asgjë nuk ka nisur të punohet drejt përmbushjes së këtij premtimi.

-Advertisement-

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në këtë komunë, Zekir Bytyqi në një prononcim për Gazetën inFokus, thotë se buxheti ua ka pamundësuar që të fillojnë të punojnë diçka në këtë drejtim.

Bytyqi thotë se i kanë informuar bizneset se nga dhjetori do të fillojnë aplikimet për t’i fituar këto grande.

E shuma e tyre do të jetë nga 2 mijë deri në 5 mijë euro dhe të drejtë aplikimi do të kenë edhe kompanitë që do të punësojnë vetëm një punëtor.

“I kemi inform bizneset që në dhjetor do t’i hapim aplikimet për kompanitë në komunën e Ferizajit, të cilat dëshirojnë të rrisin numrin e punëtorëve. Kemi paraparë që fondi për çdo biznes të jetë prej 2 deri në 5 mijë euro, pra ato kompani që do të punësojnë një e më shumë punëtorë mund të jenë fituesit potencial të grandit. Nuk i kemi bërë kushtet e vështira, shembull që me e vendosë 10 punëtorë me i punësu, që mos me arritë askush me e përfitu”, thotë Bytyqi.

Bizneset që do të kenë gjasat më të mëdha, ai tregon se do të jenë ato prodhuese, riprodhuese, si dhe personat që kanë ndonjë ide inovacioni në teknologji.

Për mos fillimin e përmbushjes së këtij premtimi, ish kryetari i Ferizajit, Muharrem Svarqa ka shumë kritika.

Svarqa thotë se Aliu nuk ka progam qeverisës, por ka vetëm program me entuziazëm politik.

“Mosrealizimi i premtimeve të kryetarit Aliu, tregon edhe një herë se ky nuk ka program qeverisës, por program me entuziazëm politik, asnjëherë program qeverisës për qytetarë. Gjithashtu edhe stafin e ka të papërgatitur. Është një staf pa ide dhe pa program. Po bëhet gati një vit i pushtetit të ri dhe ende nuk janë publikuar planet e punës as i kryetarit, as planet e drejtorëve”, thekson Svarqa.

Ai gjithashtu ka kritikuar kryetarin Aliu, se po i devijon projektet dhe po i bart kah interesat e individëve të lidhur me pushtetin dhe politikën.

E në një raport të publikuar më herët nga Instituti GAP, Aliu nga 39 premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore, 4 i ka përfunduat, 4 i ka gjysëm të përmbushura, 15 ka filluar t’i realizojë, kurse 16 të tjera as që kanë nisur. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera