Fokus

Absurditet i vendimit të Gjykatës Komerciale, dënon me mbi gjysmë milioni euro kompaninë e sigurimeve për dëmin e pa siguruar

Autori: Gazeta inFokus 18:18 | 01 October 2025

Gjykata Komerciale e Kosovës përmes një vendimi ka obliguar kompaninë e sigurimeve “Sigal”- të paguajë mbi gjysmë milioni euro, pavarësisht se kjo kompani kishte ofruar zero euro për disa dëme materiale që mund të vinin nga procese natyrore siç është edhe rrëshqitja e dheut.

Në dokumentet që ka siguruar Gazeta Infokus shihet se Gjykata Komerciale ka urdhëruar kompaninë e sigurimeve “Sigal Uniqa Group Austria” që të paguajë mbi 548 mijë euro dëmshpërblim ndaj “Eurokos Holding”, edhe pse në policën e sigurimit ishte shënuar qartë se rrëshqitja e dheut dhe fatkeqësi të ngjashme nuk mbuloheshin financiarisht.

“PRANOHET pjesërisht kërkesëpadia e paditësit Eurokos Holding sh.p.k., me nr. P-22/2022 e datës 20.01.2022, ndaj të paditurës Shoqëria e Sigurimit SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA sh.a., me seli në Prishtinë. OBLIGOHET e paditura që paditësit t’i paguajë shumën prej 548,168.00 € (pesëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë euro) me kamatë ligjore, prej ditës së padisë, deri në pagesën përfundimtare, si dhe shpenzimet procedurale në shumën prej 3,500.00 € (tre mijë e pesëqind euro)”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

-Advertisement-

Rasti lidhet me dëmet e shkaktuara gjatë ndërtimit të hidrocentralit “Lepenc 3”, ku ndodhi rrëshqitje dheu që solli dëme të konsiderueshme materiale.

“Eurokos Holding” dhe “Hidroenergji” kërkuan kompensim nga kompania e sigurimeve, duke pretenduar se policat e lidhura garantonin mbulim për këto rreziqe.

Dokumenti i policës së sigurimit përfshinte një listë të gjerë rreziqesh si zjarri, përmbytjet, tërmetet, madje edhe rrëshqitjet e dheut. Megjithatë, pranë këtij të fundit dhe disa rreziqeve të tjera ishte vendosur shuma 0 euro mbulim, një formulim kontraktual që në praktikën e sigurimeve do të thotë se ato rreziqe nuk mbulohen.

“Zjarri, vjedhja, tërmeti, vullkani, përmbytja, stuhia, inondacioni, vandalizmi, tsunami, … Rrëshqitja e tokës etj. Shumat e Sigurimit/ Për disa prej rreziqeve të sipërpërmendura (p.sh. rrëshqitja e dheut, shembja, përmbytja e jashtëzakonshme), është specifikuar shuma 0 (zero) euro, që do të thotë se për këto nuk ofrohet kompensim financiar në rast dëmi.”, thuhet në dokumentin e policës së sigurisë për të cilën ishin marrë vesh kompania e sigurimeve “Sigal” me kompanisë “Eurokos SH.P.K”.

Gjykata Komerciale ka vendosur të aprovojë pjesërisht kërkesën e kompanisë “Eurokos Holding”, duke obliguar kompaninë e sigurimeve të paguajë mbi 500 mijë euro për dëmet materiale të provuara, ndonëse ato nuk mbuloheshin drejtpërdrejt nga polica e sigurimit.

Në aktgjykim theksohet se pagesa e dëmeve lidhet me hidrocentralin “Lepenc 3”, ndërkohë që polica e sigurimit parashihte qartë mbulim vetëm për “Lepenc 1” dhe “Lepenc 2”.

Pjesë nga vendimi i Gjykatës Komerciale

Për më tepër, polica e sigurimit ishte nënshkruar me kompaninë “Eurokos SH.P.K”, ndërsa padia dhe vendimi gjyqësor janë bërë në emër të “Eurokos Holding SH.P.K”, kompani e regjistruar ndaras si subjekt tjetër juridik.

Polica e Sigurisë
Polica e sigurisë

Gazeta Infokus ka kontaktuar me Gjykatën Komerciale për të marrë qëndrimin e tyre rreth këtij vendimi.

Në reagimin e parë gjykata ka deklaruar se nuk jep sqarime për vendime gjyqësore, pasi sipas tyre “ato janë të pakontestueshme”.

“Sqarojmë se, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e saj, gjykata nuk është e obliguar të japë sqarime individuale për vendime tashmë të arsyetuara dhe të publikuara. Çdo informacion i nevojshëm mund të gjendet në tekstin e plotë të aktgjykimit. Në rast se ekzistojnë pretendime për ndonjë kompetencë ligjore që do të kërkonte përgjigje shtesë nga gjykata, jemi të hapur të shqyrtojmë çfarëdo kërkese që bazohet në mënyrë të qartë në dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mirëpo kur Infokusi ka kërkuar sqarime pikërisht për ‘kompetenca ligjore’ se ku është bazuar Gjykata për të marrë këtë vendim, nga ky institucion më nuk kanë kthyer përgjigje në kërkesat e redaksisë, pavarësisht se është kontaktuar disa herë.

Vendimi i Gjykatës

 

Ankesë tek avokati i popullit për gjyqtaren Verona Dibra

Gazeta Infokus ka kontaktuar edhe me kompaninë e sigurimeve “Sigal” të cilët kanë njoftuar se janë duke u marrë me këtë çështje në aspektin insitucional.

“Ju njoftojmë se e konfirmojmë që në këtë çështje kompania jonë Sigal është palë e paditur. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për një çështje ende të hapur dhe të diskutueshme në rrugë procedurale, përfshirë edhe aspektin e ankesës së ngritur kundër gjyqtares së rastit, ne në këtë fazë nuk mund të japim përgjigje konkrete lidhur me pyetjet tuaja. Dëshirojmë të theksojmë se mosdhënia e përgjigjeve nuk është për shkak të mungesës së vullnetit për bashkëpunim me mediat , por për shkak të rrethanave të veçanta që lidhen me procesin në fjalë”, kanë deklaruar nga ‘Sigal’.

Nga Sigal kanë konfirmuar për Infokus se tashmë kanë kërkuar që ndaj gjyqtares së rastit, Verona Dibra, të iniciohet procedurë disiplinore mirëpo që sipas tyre kjo nuk është pranuar nga kryetari i Gjykatës.

“Po, kemi ushtruar ankesë pranë Avokatit të Popullit, dhe njëkohësisht kemi kërkuar që rasti të përcillet tek Kryetari i Gjykatës Komerciale me qëllim që të ndërmerren masa disiplinore konkretisht largimi nga puna ndaj gjyqtares Znj.Verona Dibra. Pas kësaj kërkese, kemi pranuar një vendim nga Kryetari i Gjykatës, me të cilin është refuzuar kërkesa jonë për masë disiplinore ndaj gjyqtares. Pas refuzimit të kësaj kërkese, përmes Avokatit të Popullit kemi kërkuar që lënda të dërgohet për shqyrtim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku përveç gjyqtares, tani kërkesa për masë disiplinore përfshin edhe Kryetarin e Gjykatës Komerciale”, kanë deklaruar nga kompania e Sigurimeve.

E përveç ndaj gjyqtares kësaj here është kërkuar të merren masat e njejta edhe ndaj kryetarit të Gjykatës./Gazeta Infokus

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy