Fokus

A u rrezikua jeta e 121 pasagjerëve të ALK Airlines? (VIDEO)

Autori: Sylejman Sylejmani 19:52 | 08 July 2019

Asnjë nga 121 pasagjerët e aeroplanit të kompanisë bullgare “ALK Airlines” nuk ka besuar se do të aterojnë gjallë në Bazel të Zvicrës.

Mbrëmjen e 16 qershorit ata përjetuan tmerrin me të hyrë në territorin e Malit të Zi, vetëm pak minuta pasi ishin nisur nga Prishtina.

Atë natë aeroplani pati disa probleme në ajër, ku sipas raporteve zyrtare mbetën të lënduar 3 persona, kurse 5 të tjerë pësuan trauma.

-Advertisement-

Sipas një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës dhe Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike u konstatua se turbulencat ishin shkaktar të incidentit.

“Gjatë fluturimit normal në shpejtësinë e zakonshme të fluturimit mbi territorin e Malit të Zi, aeroplani ka hasur papritmas në turbulenca të mëdha, të cilat kanë zgjatur rreth 5 minuta, me c’rast janë lënduar tre (3) udhëtarë, njëri i ndodhur jashtë ulëses, një nga uji i nxehtë i kafes dhe një tjetër nga rënia e bagazhit të dorës mbi ulëse” thuhet në këtë komunikatë

Megjithatë, situata duket të ketë qenë shumë më serioze.

Njohësi i fushës së aviacionit, Arlind Imeri, e vë në dyshim sigurinë e këtij aeroplani.

“Unë kam fluturu me atë aeroplan njëherë edhe fotografitë i kam bo unë vet në aeroplan, as nuk i kom marrë prej internetit e as prej pasagjerëve, janë fotografi që i kam realizuar unë vet aty brenda. Unë jam tmerru kur e kam pa shembull dera e aeroplanit që është me silikon edhe nuk guxon me ndodhë ashtu sepse munen me u paraqitë edhe probleme të tjera” ka thënë Imeri për Gazetën inFokus.

Imeri që ka disa përvoja në këtë fushë thotë se në shumë pjesë aeroplanët e ALK Airlines kanë intervenime teknike.

“I ka dyert me silikon, tualeti është me silikon, ka të plasaritura nëpër tavan të aeroplanit ato shihen edhe me sy. Shumë pasagjerë pastaj janë frikësu pasi janë hypë në aeroplan e kanë pa ku janë hyp dhe janë ndi të shqetësuar. Për dy orë fluturim shumica e pasagjerëve kanë qenë të shqetësuar për shkak të gjendjes së atij aeroplani” ka deklaruar ai.

Mirëpo, këto intervenime, ndryshe i kanë parë Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës dhe Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.

“Fotografitë e interierit të aeroplanit, që kanë qarkulluar në media, nuk paraqesin rrezikim të vlefshmërisë ajrore, rrjedhimisht të sigurisë së fluturimit. Në foto shihen rregullime të pjesëve të brendshme dekorative e jo të strukturës së aeroplanit apo ndonjë komponenti. Sa i përket gjendjes teknike të aeroplanit B733, të kompanisë ajrore ALK Airlines, me regjistrim LZ-MVK, ky aeroplan posedon certifikate valide të vlefshmërisë ajrore (certificate of airëorthiness CoA) dhe certifikate valide të rishikimit vjetor të vlefshmërisë ajrore (airëorthiness revieë certificate – ARC) te lëshuara nga shteti i regjistrimit” thuhet në përgjigjet e  tyre./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera