Lajme

A po ndahet Veriu? Flet Agim Bahtiri (FOTO)

Autori: Sylejman Sylejmani 11:06 | 16 July 2018

Një mur i cili filloi të dielën të ndërtohet në afërsi të urës së Ibrit, shumëkush e quajti mur i cili do ta ndajë vendin në dy pjesë.

Por, kryetari i Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri në një prononcim për Gazetën Fokus, tregon se ky mur është pjesë e projektit për të cilin janë marrë vesh me palën serbe në bisedimet që u zhvilluan në Bruksel e Prishtinë.

Muri sipas Bahtirit po ndërtohet për shkaqe sigurie, pasi rrethrrotullimi dhe sheshi janë afër njëra tjetrës.

-Advertisement-

“Po është pjesë e projektit që është diskutuar në Bruksel dhe në Prishtinë. Marrëveshja është e tillë. Muri do të jetë 80 cm mbi tokë, për t’i ndarë shëtitoren dhe rrethrrotullimin në pjesën e veriut, ku do të jenë edhe disa vazo me lule dhe krejt kjo është në rregull. Mos e merrni si mur ndarës. Duhet të jetë mur për shkak se fëmijët mund të dalin në rrethrrotullim, pra duhet të kemi kujdes që t’i ruajmë qytetarët”, deklaron Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës tregon se pas përfundimit të punës, pritet të bëhet edhe hapja e urës me një ceremoni solemne. Datën se kur do të ndodhë kjo, Bahtiri thekson se e dinë vetëm në Bashkimin Evropian.

“Këtë muaj duhet të përfundojë gjithçka. Pas përfundimit pritet që zyrtarët e Bashkimit Evropian me e shiku se si e kanë agjendën dhe me ardhë me e hap urën. Nuk e di hapja se kur do të bëhet, sepse nuk e di agjendën e tyre, por e di që javën e kaluar jemi marrë vesh me Apostolovën dhe me Rakiqin që pasi të përfundojnë punimet të hapet ura. Pjesa ceremoniale nuk caktohet nga unë, por nga Bashkimi Evropian, varësisht se si ata e kanë kohën” përfundon Bahtiri.

Kujtojmë që rivitalizimi i urës së Ibrit po financohet nga BE-ja dhe punimet në pjesën jugore të saj ka kohë që kanë përfunduar. /Gazeta Fokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera