Lajme

Ramiz Kelmendi shpëton nga akuza për vjedhje të rrymës

Autori: Gazeta inFokus 12:06 | 22 March 2018

Prokuroria e Apelit ka dal kundër ish-Prokurorisë Komunale në Prishtinë, e cila më 12 dhjetor të vitit 2012, kishte ngritur aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë “Elkos”, njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i cili akuzohet për vjedhje të rrymës.

Kelmendi akuzohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”, për shkak të dyshimit se prej datës së pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë Kosovë, pronë e Kelmendit ka bërë keqpërdorim të energjisë elektrike, duke dëmtuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në shumën prej 22.801.19 euro.

Prokurori i kësaj prokurorie, Enver Sokoli, më 22 shkurt të këtij viti, i është drejtuar Gjykatës së Apelit, me propozimin që aktakuza ndaj Ramiz Kelmendit të ndryshohet, të hudhet poshtë dhe të pushohet procedura penale.

-Advertisement-

Në këtë shkresë të prokurorit, drejtuar Gjykatës së Apelit, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ky propozim arsyetohet me faktin se në këtë çështje ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, pasi që nga ngritja e aktakuzës, më 12 dhjetor 2012, e deri te veprimi i parë i gjykatës së shkallës së parë, më 21 dhjetor 2017, kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet.

Kjo Prokurori, siç thuhet në shkresën e saj, konsideron se në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale, për të cilën edhe gjykata e shkallës së dytë kujdeset sipas detyrës zyrtare.

“Duke pasur parasysh nenin 106, par1, pika 1.5 të KPRK-së, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse ka kaluar 3 vjet nga kryerja e veprës penale, e dënueshme me më shumë se 1 vit burgim, ndërsa neni 107, par8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, meqenëse, dyshohet se vepra penale është kryer deri me datë 30.06.2011, e deri me datën e sotit nuk ka aktgjykim të formës së prerë dhe se prej datës së kryerjes së veprës penale ka kaluar më shumë se 6 vjet, konsideroj se në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe në këtë mënyrë konsideroj se është shkelur dispozita e ligjit penal, për të cilat shkelje edhe kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare”, thuhet ndër të tjerash në shkresën e prokurorit të shtetit, Enver Sokoli drejtuar Gjykatës së Apelit.

Kurse, në bazë të vendimit të 26 shkurtit 2018, të Gjykatës së Apelit, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë ka marrë vendim me anë të së cilit ka aprovuar ankesën e Kelmendit dhe ka anuluar vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer rastin në rivendosje.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsyetim bindës, kur ka hedhur poshtë pretendimet e Kelmendit se për akuzën e prokurorisë, nuk është ai përgjegjës, por nëse ka përgjegjësi penale këtë duhet të kenë personat përgjegjës të kompanisë së tij.

“Gjykata e shkallës së parë përkundër asaj që i pandehuri ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës, me pretendim se për të gjitha pikat e biznesit të tij janë angazhuar personat e autorizuar me kontrata pune, e të cilat sipas të pandehurit duhet të japin përgjegjësi, nëse ka përgjegjësi penale në rastin konkret, e ka refuzuar kërkesën e të pandehurit pa një arsyetim bindës, por vetëm duke konkluduar se për ekzistimin apo jo veprës penale në fjalë do të vërtetohet në shqyrtimin kryesor”, thuhet me tej në vendimin e Apelit.

Sipas Gjykatës së Apelit, veprimet për të cilën akuzohet Kelmendi është një vepër që mund ta kryejnë edhe shumë persona tjerë.

“Kolegji penal i kësaj gjykate, vlerëson se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë në rastin
konkret nuk është i drejtë, për shkak se gjykata nuk është lëshuar fare në faktet kyçe që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë nëse është kryer vepra penale e vjedhjes së rënd nga i pandehuri apo jo, sepse sipas dispozitave ligjore veprimet inkriminuese të pretenduara në aktin akuzues janë veprime   që mund t’i kryej çdo person që do të thotë poseduesi i njësorit, mirëpo në rastin konkret nuk përjashtohet mundësia që kryerës i kësaj vepre penale të jetë edhe personi tjetër i cili vepron në interes të shfrytëzuesit të njësorit, pra personi i cili ka autorizim përkatës për përkujdesje në lami të caktuara. Duke pasur parasysh faktin se i pandehuri është pronar i kompanisë “Elkos” përfshin disa pika punuese në tërë territorin e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh edhe faktin se nëpër të gjitha pika e tij punuese i ka të angazhuar personat përgjegjës, gjë që ofron edhe prova konkrete në këtë rast dhe atë kontratat e punës, atëherë del se përgjegjës për veprimet e pretenduara inkriminuese mund të bien në barrën e personave përgjegjës të cilët posedojnë kontrata të punës dhe në bazë të kontratave kanë përgjegjësi për punën e tyre, prandaj kjo gjykatë vlerëson se pretendimet ankimore te të pandehurit në këtë drejtim janë të bazuara”, thuhet në vendimin e Apelit, të 26 shkurtit 2018.

Gjykata e Apelit, po ashtu ka kërkuar nga gjykatësi i rastit që t’i evitojë shkeljet e gjetura nga kjo gjykatë, që të vlerësojë kundërshtimet dhe ankesën e Kelmendit dhe të ketë parasysh propozimin e Prokurorisë së Apelit.

“Ne rivendosje gjyqtari i çështjes duhet t’i eviton shkeljet e theksuara më lartë, të vlerësoj edhe provat e ofruara nga i pandehuri dhe si pas nevojës të ketë parasysh edhe pretendimet tjera ankimore në ankesë, si dhe propozimin e Prokurorit të Prokurorisë së Apelit, e pastaj të merr vendim të drejtë dhe të bazuar konform dispozitave ligjore”, thuhet në përfundim të Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare më 21 dhjetor 2017, dhe shqyrtimi i dytë më 29 janar 2018, në të cilat Kelmendi e kishte mohuar fajësinë dhe kishte kërkuar që gjykatësi Rrustem Begolli ta hedh aktakuzën ndaj tij.

Gjykatësi Begolli, më 29 janar 2018, kishte refuzuar kundërshtimet e Kelmendit dhe në këtë mënyrë kishte konfirmuar aktakuzën.

Sipas arsyetimit të vendimit të Begollit që e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhej se pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjykata ka gjetur se kërkesa e të pandehurit Kelmendi në këtë fazë të procedurës penale për hudhje të aktakuzës, nuk mund të aprovohet, për arsye se gjendja faktike për ekzistimin ose jo të veprës penale, do të vërtetohet pas shqyrtimit gjyqësor.

Kundër këtij vendimi, Kelmendi i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit me pretendimin se shkalla e parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.

Kelmendi kishte propozuar që Apelit ta ndryshojë vendimin e gjykatësit Begolli dhe ta hedh aktakuzën si të pabazuar.

Kelmendi në kundërshtimet e tij kundër aktakuzës kishte theksuar se e gjitha kjo është shkaktuar nga zyrtarët e KEK-ut, të Distriktit në Prishtinë, me qëllim që atij t’i shkaktohet dëm dhe të njolloset emri i tij.

Ndërkaq, në seancën e shqyrtimit të dytë, prokurori Menduhi Kastrati, i cili e kishte ngritur aktakuzën ndaj Kelmendit, kishte thënë se kundërshtimet e Kelmendit kundër aktakuzës janë të pabaza dhe kishte kërkuar nga gjykatësi Begolli që të refuzojë kundërshtimet e Kelmendit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar parashtresën e të akuzuarit që ka të bëj me kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës. Ne kemi analizuar parashtresën e të akuzuarit dhe në seancën e sotme gojarisht deklarohemi duke e kundërshtuar të njëjtën parashtresë. I akuzuari në parashtresën e tij i ka bashkangjitur disa prova që nuk janë në relevancë, si p.sh ka paraqitur listë me cilën dëshmohet se ka qenë deputet i legjislaturës së 4, pastaj, një kopje të numrit të biznesit, një informacion mbi regjistrimin e biznesit, transaksionet e konsumatorit, të lëshuar nga pala e dëmtuar dhe po ashtu një kontratë pune të një punëtori që punon në kuadër të biznesit të tij”, kishte thënë prokurori Kastrati.

Kastrati kishte deklaruar se aktakuza ka prova të mjaftueshme të bashkëngjitura që vërtetojnë dyshimin e bazuar, me ç’rast i ka kërkuar gjykatës që të vendos me aktvendim për refuzimin e kërkesës për kundërshtim të provave dh hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së 12 dhjetorit 2012, të cilën gjithashtu e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, Kelmendi akuzohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”, për shkak të dyshimit se prej datës së pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë Kosovë, pronë e Kelmendit ka bërë keqpërdorim të energjinë elektrike.

Prokuroria pretendon se kur punëtorët e KEK-ut kanë shkuar për të bërë kontrolle në atë kompani kanë hasur se i pandehuri me qëllim të vjedhjes ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, duke mos regjistruar dy të tretat e energjisë, pasi aty janë gjetur dy transformator të rrymës që kanë qenë jashtë matjes, ndërsa një përçues ishte shkëputur nga lidhja.

Në bazë të aktakuzës, me këto veprime, dy të tretat e energjisë elektrike nuk ishte regjistruar, me ç’rast KEK-ut i është shkaktuar dëm në vlerë prej 22.801.19 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera