Yee: Ballkani po përballet me sfida serioze të ndikimit rus
Autori: Gazeta inFokus 23:16 | 15 June 2017
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të mërkurën se Ballkani Perëndimor përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990.
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee foli në një seancë për rajonin në Senat, ku senatorë dhe ekspertë bënë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për të zmbrapsur ndikimin rus dhe për të shmangur përshkallëzimin e krizave, si edhe për të mbështetur reformat dhe stabilitetin.
Në një ditë kur një anëtar i Kongresit dhe disa persona të tjerë u plagosën pranë Uashingtonit, Yee e filloi seancën duke shprehur keqardhjen dhe solidaritetin e kolegëve të Departamentit të Shtetit, në seancën e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin për Siguri Rajonale.
Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ballkani Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh: Institucione të brishta, mangësi në shtetin ligjor dhe media jo e lirë, i kanë hapur rrugën një korrupsioni të rrënjosur thellë. Ky korrupsion vë në rrezik këto demokraci të reja dhe u hap rrugën aktorëve destabilizues, përfshirë ekstremistë të dhunshëm, grupe të krimit të organizuar dhe vende që duan të ushtrojnë ndikim keqdashës”, tha ai.
Yee tha se problemet e brendshme, u kanë hapur rrugën kërcënimeve të jashtme si Rusia që synon të frenojë përpjekjet e vendeve të rajonit për të ndjekur një rrugë euro-atlantike.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.
“Me angazhimin tonë dhe të Evropës, gjatë muajit të kaluar, kemi parë disa suksese reale, me hyrjen e Malit të Zi në NATO, sigurisht me ndihmën e Senatit, udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re, opozita e Shqipërisë ra dakord që t’i jap fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor dhe Serbia pritet të hapë dy kapituj të ri me Bashkimin Evropian këtë muaj”.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari republikan i nënkomisionit Ron Johnson, që sapo ka bërë një vizitë në rajon, tha se mesazhi i atyre vendeve është i qartë.
“Udhëheqja amerikane është e nevojshme në Evropën juglindore. Kur tërhiqen Shtetet e Bashkuara, vakuumi i ndikimit mbushet nga vende me synime të dëmshme”, tha ai duke iu referuar ndikimit rus, një nga shqetësimet më të mëdha që u shprehën në seanca.
Senatori Johnson tha se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të ketë stabilitet në Ballkan.
Edhe nënkryetari i nënkomisionit, demokrati Chris Murphy theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje Ballkanit, duke shprehur rëndësinë e rajonit në arenën ndërkombëtare.
“Tre nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet politika e jashtme amerikane, gërshetohen në Ballkan. Së pari, sfida e maskuar dhe e hapur e ndikimit rus që minon mbështetjen e institucioneve perëndimore dhe gërryen më tej, qeverisjen demokratike; së dyti korrupsioni i rrënjosur që frenon përparimin ekonomik dhe i destabilizon qeveritë në gjithë rajonin dhe së treti radikalizmi në rritje i të rinjve myslimanë dhe numri relativisht i atyre që kanë shkuar në Siri nga ky rajon që të luftojnë me ISIS-in”, tha Murphy.
Por senatori demokrat shprehu pakënaqësinë për mesazhin që përçon administrata aktuale amerikane e drejtuar nga republikani Donald Trump.
“Ka një mospërputhje totale mes ekspozesë që bëni ju dhe sfidave të shumta që kanë nevojë për shtimin e burimeve dhe buxhetit që është paraqitur”, iu drejtua ai zotit Yee.
Zoti Murphy i referohej projekt-buxhetit të Shtëpisë së Bardhë për politikën e jashtme që sapo është prezantuar në Kongres dhe që ai tha se parashikon shkurtime të mëdha për Ballkanin. Ai tha se sipas mendimit të tij, ato shkurtime nuk kanë asnjë shans për t’u miratuar.
Murphy foli për përshtypjet që merr kur takohet me udhëheqësit e Ballkanit.
“Ata janë të shqetësuar se ne po dërgojmë një mesazh me këto shkurtime, me mungesën e mbështetjes për NATO-n, me kritikat ndaj aleatëve të BE-së, se ne nuk jemi më të interesuar për rajonin”.
Si senatorët ashtu edhe zoti Yee dhe ekspertët, në shumë raste theksuan shqetësimin për rritjen e interesit dhe aktivitetit rus në Ballkanin Perëndimor dhe thanë se po punojnë me vendet e Ballkanit për t’u përballur me ndikimin keqdashës të Moskës.
Në përgjigje të një pyetjeje të Senatorit Murphy, për statusin e një qendre ruse në Nish të Serbisë, që Moska pretendon se është humanitare, zoti Yee tha se duke pasur parasysh synimet e Rusisë në rajon, prania e saj është shqetësuese. Ai nxiti qeverinë serbe të mos pranojë t’i japë status të veçantë kësaj qendre, shumë pranë kufirit me Kosovën, ku janë trupat amerikane dhe të NATO-s.
“Nuk do të ishte një zhvillim pozitiv, veçanërisht nëse vetë objekti siguron një imunitet të veçantë. Ne mendojmë se është e rëndësishme – dhe ia kemi shprehur këtë qëndrim qeverisë së Serbisë – që Serbia të jetë në kontroll të plotë të territorit të saj, dhe komplekseve në territorin e saj. Nëse e lejon Rusinë të kenë një lloj qendre speciale për spiunazh apo aktivitete të tjera të dëmshme, do të humbasë kontrollin mbi territorin”, tha ai.
Thelbi i komenteve në seancë ishte se mungesa e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara mund t’i kthejë problemet që janë të zgjidhshme, në situata të rrezikshme.
“Mesazhi im qendror është se paqartësia e vazhdueshme e mesazhit amerikan sot, mund të shkaktojë një krizë nesër, që nga ana tjetër do të kërkonte një angazhim shumë më të madh amerikan sesa do të ishte dashur për shmangien e krizës që pa filluar”, tha Damon Wilson, zëvendëspresident ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut./VoA/
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...