Ja sa do të rriten pagat
Autori: Gazeta inFokus
11:41 | 05 May 2017
Mesatarisht 23 euro do të mund të rriten pagat e shërbyesve civil nëse Qeveria e Kosovës miraton propozimin e kryeministrit Isa Mustafa, për rritje të pagave nga mesi i vitit.
Tani për tani, ky është maksimumi i rritjes që lejon ligji dhe marrëveshja që ka arritur ekzekutivi i vendit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, nëse llogaritet paga mesatare në sektorin publik e cila ka shkuar në 554 euro dhe norma 4.2 për qind e lejuar në bazë të performancës ekonomike të vlerësuar për vitin 2018.
Megjithatë, njohës të ekonomisë, shqetësohen se kjo do të shkilet dhe për shkak të zgjedhjeve, Kosova mund të përballet me telashet e vitit 2011 dhe 2014 nga rritja e pa menduar mirë e shpenzimeve për paga, shkruan Gazeta Fjala.
Në Institutin për Studime të Avancuara GAP kanë ngritur shqetësim se kërkesa e kryeministrit për rritje të pagave bie ndesh me programet qeveritare dhe me zotimet e Qeverisë së Kosovës të dhëna me Planin Nacional për Reforma në Ekonomi 2017.
Rritja e rrezikshme e pagave
Në bashkëpunim me FMN-në Qeveria ka formuluar dispozita të nevojshme ligjore të cilat do të shërbejnë si mekanizma për kujdesej ndaj ngritjeve të faturës së pagave në sektorin publik. Përmes kësaj dispozite ligjore (rregulli mbi paga) është siguruar që ngritja e faturës së pagave në sektorin publik të jetë në harmoni me zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik në vend.
“Rrjedhimisht, sipas rregullit mbi paga, ngritja e faturës së pagave në sektorin publik do të jetë në masë të njëjtë me rritjen nominale të bruto prodhimit vendor”, thuhet edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2017-2019.
Por, i pari i ekzekutivit në mbledhjen e së enjtes ka kërkuar nga Ministria e Financave, që në koordinim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) të propozojë mundësinë e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, për punëtorët e arsimit dhe ata të shëndetësisë.
Shefi i Qeverisë tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur qëndrueshmëri të mirë buxhetore dhe lëvizje të mirë ekonomike, gjë që mundëson edhe rritjen e pagave. Sipas tij është një rritje e konsiderueshme e buxhetit gjatë këtyre dy viteve që mundëson lëvizjen e pagave.
Në GAP vlerësojnë se paralajmërimi i qeverisë për rritjen e pagave që nga pjesa e dytë e 2017 është hap i gabuar dhe i shtyrë nga presioni i sindikatave në sektorin publik dhe për faktin se 2017 është vit zgjedhor.
“Krahasuar me rishikimin e buxhetit për vitin 2016, kategoria e pagave me buxhetin e planifikuar për vitin 2017 është rritur për 4.2%. Kjo rritje është në përputhje me rregullën financiare e cila do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm mirëpo rritja e mëtutjeshme e pagave tejkalon normën e rritjes vjetore nominale të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.
Rritja e pagave në grup për të gjithë nëpunësit civil, sipas GAP, është edhe dekurajim për ata nëpunës civil të cilët kanë treguar performancë të mirë në punë dhe rrjedhimisht do të duhej të kishin rritje në pagë dhe avancim në pozitë apo karrierë.
Në vitin 2011 dhe pastaj në 2014 Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi, tani President i Kosovës kishte rritur pagat 25 për qind duke krijuar një hendek të madh në mes të pagave në sektorin publik dhe atij privat.
Në tremujorin e fundit të 2016, paga mesatare në sektorin publik ka shkuar deri në 554 euro, kurse ajo në sektorin privat ka mbetur në 416 euro.
Sipas GAP, edhe një rritje e re në sektorin publik do të thellonte më teje këtë hendek.
Por, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se do të kenë parasysh edhe sektorin privat, “në mënyrë që të mos krijojmë diferenca shumë të mëdha, të cilat pastaj nxisin ikjen e kuadrove nga një sektor në sektorin tjetër”.
Rritja e pagave, premtim elektoral
Ky veprimi Mustafës, nga partitë politike po shihet si premtim elektoral.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë për lajmi.net se dy partitë në pushtet, PDK dhe LDK tashmë e kanë nisur fushatën parazgjedhore.
“Ka kohë që dy partitë në pushtet e kanë filluar fushatën elektorale qoftë duke dalë në terren dhe duke takuar me përfaqësues nga ekspertë të ndryshme si ekonomia, shëndetësia, arsimi apo të grupeve tjera shoqërisë sonë, sikur të ishin shpallur zgjedhjet”, është shprehur Isufi.
Sipas tij kryeministri Mustafa para zgjedhjeve është në gjendje të premtoj edhe “parajsë”.
“Premtimi paraprak për rritje të pagave është treguesi më i mirë që këta nuk janë interesuar që të ketë zbatim të programit qeverisës që e kanë premtuar para se ta marrin mandatin dhe tani në përfundim të mandatit të tyre po premtojnë gjithçka, jo vetëm rritje të pagave, por edhe “parajsë’ siç kanë premtuar edhe në të kaluarën”.
Ndërkaq, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e ka përshëndetur paralajmërimin e kryeministrit Isa Mustafa për rritje të pagave në sektorin publik, përfshirë edhe për punëtorët e arsimit.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se kjo sindikatë pret që fjalët e kryeministrit Mustafa të bëhen vepra dhe sa më shpejt të ndodhë rritja e pagave për punëtorët e arsimit në Kosovë.
“Edhe në takimin e fundit që kishim me kryeministrin Isa Mustafa së bashku me BSPK-në, ai na ka njoftuar se sapo të ketë nivel të rritjes ekonomike do të shqyrtohet mundësia për rritjen e e pagave të punëtorëve në arsim”, ka thënë Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut tha se do të fillojnë konsultimet me anëtarët e sindikatës dhe do të shohin nivelin e përshtatshëm të rritjes së pagave për secilin punëtor në fushën e arsimit dhe shëndetësisë./Gazeta Fjala

T� tjera
-
Studentët shqiptarë kërkojnë provimin 100% në shqip, kryeministri Mickoski kundërshton: Pjesa praktike në maqedonisht
Debati për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedonin...
-
16 persona humbin jetën pas një incidenti në një fabrikë në Turqi
Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë janë plagosur pas një ...
-
Bajrami: Importi i energjisë ndikon në faturat e qytetarëve, eksporti nuk ua ul ato
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me importin e energjis...
-
Pjesëtarët e FSK-së trajnohen nga njësia kundër terrorizmit e Kroacisë
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar një trajnim ...
-
Kurti në Paris, kërkon mbështetjen franceze për rrugën euroatlantike të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Paris nga presidenti i S...
-
Nagavci dhe ambasadori hungarez diskutojnë për bashkëpunim
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka pri...
-
Vizita e udhëheqësve të Listës së Studentëve në Kosovë, një ditë pas paralajmërimit skandaloz të Rashiqit, Aleanca kërkon sqarime nga Qeveria
Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas vizitës në Kosovë të ...
-
Mbi 90 të vdekur në trafik për 10 muaj, ekspertët kërkojnë riaftësimin e shoferëve
Siguria rrugore vazhdon të mbetet shqetësim, pasi vetëm gjatë periudhës janar...
-
Rama jep shenja se mund të tërhiqet nga projekti i Ulpianës: Nëse s’duan banorët, ne tërhiqemi!
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka sqaruar banorët e Ulpianës lidhur me...
-
Presidentja Justina Shiroka Pula viziton Kombëtaren e Kosovës
Në ditët para paraqitjes së Kosovës ndaj ndeshjeve në Ligën e Kombeve, presid...
-
Shpallja e procesit të gradimit për gradën Rreshter, Sveçla inkurajon gratë dhe vajzat që të aplikojnë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur shpalljen e proc...
-
Baton Haxhiu promovon dy libra “Kosova: Historia që zhbëri Jugosllavinë” dhe “Brenda Luftës”
Gazetari dhe publicisti Baton Haxhiu do të promovojë dy librat e tij, “Kosova...































