Sport

Rekordet e CR7, plani i dështuar i Simeones, fantazia e Iscos – Reali kërkon ta rishkruajë historinë

Autori: Gazeta inFokus 08:25 | 03 May 2017

Real Madridi fitoi me rezultat 3-0 kundër Atletico Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Santiago Bernabeu. Në këtë mënyrë, Mbretërit i janë afruar shumë finales së madhe, ndërsa kryetemë e mediave u bë sërish superylli Cristiano Ronaldo.

Nga ana tjetër, loja e Los Rojiblancos la për të dëshiruar dhe strategjia e Diego Simeones nuk ishte e duhura, pasi dështoi përballë planit të Zinedine Zidane.

Ronaldo. Sërish dhe sërish dhe sërish…

Në takimin ndërmjet Real Madridit dhe Atletico Madridit i pamë golat 101, 102 dhe 103 të Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve, gjegjësisht golat 50, 51 dhe 52 në fazat e eliminimit direkt të garës më të madhe për klube. Ronaldo u bë lojtari i parë në histori të Ligës së Kampionëve që shënon het-trik të njëpasnjëshëm në fazën e eliminimit direkt (ndaj Bayern Munichut dhe ndaj Atletico Madridit). Ai arriti shifrën prej tetë golash në tri ndeshjet e fundit të fazës nokaut. Po ashtu, realizoi golat e tij të 398, 399 dhe 400 për Real Madridin. Këta nuk janë numra normalë, por ai nuk është një njeri i zakonshëm.

-Advertisement-

Cristiano Ronaldo pranoi topin e ndeshjes nga gjyqtari Martin Atkinson pas het-trikut ndaj Atleticos (Getty Images)

Disa statistika më të reja rekorde të superyllit portugez në Ligën e Kampionëve:

✅ Më së shumti gola: 103

✅ Më së shumti gola në shtëpi: 54

✅ Më së shumti gola si mysafir: 47

✅ Më së shumti gola në fazën e eliminimit direkt: 52

✅ Më së shumti asistime: 31

✅ Rekord të barabartë het-trikësh me Lionel Messin: 7

Plani i guximshëm i Simeones dështoi

Shumëkush priti që Atletico të bënte lojë defensive të bazuar në forcën fizike. Mirëpo, Los Colchoneros provuan lojën sulmuese ndaj Mbretërve, me presion dhe krijuan hapësira për kundërshtarin. Dhe derisa dështuan ta ndëshkonin Realin, ata u ndëshkuan nga Ronaldo.

Simeone dhe Zidane duke dhënë urdhrat e tyre (Getty Images)

 I jashtëzakonshmi Isco, bëri vetëm një pasim të gabuar gjatë gjithë lojës

Duke udhëhequr mesfushën, Isco ishte në një formë mbresëlënëse kundër Atleticos – siç e quajnë një ‘diamant i mesfushës’. Ai dukej sikur notonte nëpër fushë dhe ndodhej në çdo vend për ta menaxhuar qarkullimin e topit. Isco pasoi vetëm një top të gabuar gjatë gjithë lojës.

Loja e Iscos ndaj Atleticos – kompletimi i 98 % të pasimeve (Squawka)

Është fundi i një epoke për Atleticon

Simeone ka bërë mrekullinë me këtë klub. E ka fituar Kupën e Mbretit (2012/2013) dhe La Ligan (2013/2014) duke pasur për rivalë dy prej klubeve më të mëdha në botë – Barcelona dhe Real Madrid. E ka fituar titullin e Europa League (2011/2012) dhe Superkupën e UEFA-s (2012). Ndërsa ka luajtur edhe në dy finale të Ligës së Kampionëve (2013/2014 dhe 2015/2016) dhe në të dyja rastet është mposhtur nga Reali. Është koha që ‘El Cholo’ në fund të këtij sezoni të ndërrojë klub.

Ronaldo duke i shënuar Atleticos (Getty Images)

Reali mund të rishkruajë historinë

Los Blancos janë kritikuar me raste gjatë këtij sezoni, madje edhe se u favorizuan nga gjyqtarët në ndeshjen kundër Bayern Munichut. Mirëpo, kjo përballje dëshmoi edhe njëherë se fati i ndjek të guximshmit. Ndërsa Zidane dhe yjet e udhëhequr nga ai janë në rrugë për ta bërë historinë. Reali mund të bëhet klubi i parë që e fiton Ligën e Kampionëve dy herë radhazi. Mirëpo, për ta bërë këtë (nëse e konsiderojmë të kryer punën me Atleticon) duhet që ta fitojë edhe finalen e Cardiffit më 3 qershor kundër Monacos apo Juventusit.

A mund të bëjnë sërish Zidane dhe të zgjedhurit e tij (Eurosport)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera