Ekonomi

Sindikalistët kërkojnë rritjen e pagës minimale

Autori: Gazeta inFokus 12:43 | 01 May 2017

Për Ditën Ndërkombëtare të Punës edhe në Prishtinë është organizuar një protestë. Por një numër i vogël i njerëzve iu kanë përgjigjur protestës që është organizuar nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Në këtë protestë është kërkuar që të zbatohet Kontrata Kolektive si dhe paga minimale në Kosovë të jetë 300 euro.

Protesta ka filluar me një minutë heshtje për të gjithë punëtorët që kanë humbur jetën në vendin e punës. Sipas sindikalistëve vetëm gjatë vitit të kaluar 18 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës.

-Advertisement-

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se punëtorët e sektorit privat nuk janë të kënaqur me trajtimin që u bëhet në punë. Sipas tij Sindikata po e bënë të pamundurën që këto pakënaqësi që ekzistojnë në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve të menaxhohen konform ligjeve që kanë të bëjnë me procesin e punës.

Azemi me këtë rast ka përmendur edhe pagat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që paguhen 15 herë më shumë se një punëtor i sektorit privat.

“Përderisa punëtorët në sektorin publik , gëzojnë rritje të pagave të herë pas hershëm në sektorin privat që nga viti 2011 nuk ka ndryshime dhe kjo pagë minimale është nga 130 deri në 170 euro. Në sektorin publik dihet orari i punës, dihet pushimi vjetor , dihet pushimi mjekësor , puna jashtë orarit, stazhi i punës. Ndërsa në sektorin prita të gjitha këto mungojnë. A është mëkat ku dy punëtorë me të njëjtat ligje paguhen ndryshe…. Ne të varfrit po punojmë për të pasurit që të pasurohen, sepse këtë ia mundëson shteti. Ndoshta shpeshherë bëhet edhe me bekimin e tij. Ne duhet punuar sa më shumë se deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk po iu mjaftojnë pagat që kanë 15 herë më të mëdha se tonat“, tha Azemi.

Nënkryetar i SBASHK-ut, Avni Ajdini tha se probleme ka edhe në sektorin publik , por punëtorët nuk protestojnë. Për këtë gjendje Ajdini ka fajësuar politikën që ai e quajti të korruptuar.

“Të drejtat e punëtorëve janë të drejtat elementare, të cilat edhe ne i kërkojmë. Na kanë sjell me politikat jo korrekte të korruptuara në këtë gjendje. Nuk ka siguri në klasën punëtore . Vetëm në këto tre muajt e fundit, nga Viti i Ri për fat të keq kemi 7 raste vdekje. Pse kush morr masa, askush s’ka marr masa. Sa vetë janë burgosur, është një anarki totale është një tolitarizëm. Për fat të keq dhe duke iu falënderuar juve që keni dal, ku janë të tjerët? Një mori, një mal probleme kanë punëtorët edhe kanë frikë që të dalin këtu. Kurse ne na sulmojnë çdo ditë. Letë urdhërojë ballë për ballë, të luftojmë bashkërisht procesin negativ të cilin është duke e zhvilluar edhe shteti”, tha Ajdini.

Është hera e parë që sindikalistët e Kosovës protestojnë për festën e 1 Majit. Në pothuajse të gjitha shtetet e botës për festën e 1 Majit protestohet, ndërsa në Kosovë çdo vit qytetarët kanë festuar.
Edhe sivjet qytetarët po festojnë 1 Majin në mënyra të ndryshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera