Lajme

Dikur burgje famëkeqe, tani hotele luksoze

Autori: Gazeta inFokus 17:14 | 29 November 2026

Në vitet e fundit të “Spastrimit të Madh” të Stalinit, historiani Lev Gumilyov vuajti dënimin në një burg me tulla të kuqe, të ndërtuar në kohën e carëve, në kompleksin famëkeq të Shën Petersburgut, ku mbaheshin të burgosurit politikë. Bolsheviku i zjarrtë Leon Trotsky kishte qenë aty vite më herët, ndërsa poeti Joseph Brodsky vuajti dënimin aty vite më vonë.

Gjatë kohës që Gumilyov ishte në burg, në vitet 1938-1939, nëna e tij, poetja Anna Akhmatova, priste në të ftohtë në radhët e gjata për ta vizituar të birin dhe për t’i dërguar pako me ushqim. Një nga poezitë e saj më të famshme, Requiem, nis me përshkrimin e dëshpërimit të saj, dhe të miliona njerëzve të tjerë, të afërmit e të cilëve u përfshinë në vorbullën e spastrimeve të Stalinit.

Pjesërisht falë Akhmatovës, kompleksi i burgjeve i njohur si Kresti ka zënë prej kohësh një vend të rëndësishëm emocional në kujtesën kolektive të rusëve.

-Advertisement-

Anna Akhmatova me veprat e saj e përshkroi dëshpërimin që përjetoi duke e parë të burgosur të birin dhe dëshpërimin e miliona rusëve.
Anna Akhmatova me veprat e saj e përshkroi dëshpërimin që përjetoi duke e parë të burgosur të birin dhe dëshpërimin e miliona rusëve.

Ai ndodhet po ashtu në një zonë me vlerë të lartë pronësore, në shëtitoren Arsenalnaya, në një lagje në qendër të Shën Petersburgut.

Megjithatë, më herët gjatë këtij muaji, ekskavatorët dhe traktorët nisën të shkatërrojnë tullat e kompleksit të vjetër, i cili ishte mbyllur që nga viti 2017, për t’i hapur rrugë një projekti hotelerie luksoze, me spa dhe restorante.

Shkatërrimi i Krestit nuk është aspak rast i izoluar i shndërrimit të burgjeve dhe qendrave të paraburgimit në prona luksoze, dhe këto projekte janë të nxitura nga interesa biznesi me lidhje politike.

Në mbarë Rusinë, një numër gjithnjë e më i madh i objekteve po mbyllen nga Shërbimi Federal i Burgjeve dhe po shiten.

Kjo përpjekje për rizhvillim shërben për disa qëllime, tha Anna Karetnikova, e cila më parë ka punuar si analiste në Shërbimin Federal të Burgjeve dhe më vonë në organizatën, tashmë të mbyllur, për të drejtat e njeriut, Memorial.

Burgu Kresti u mbyll më 2017. Të burgosurit u zhvendosën në një ndërtesë tjetër në juglindje të Shën Petersburgut. (Fotografi nga arkivi).
Burgu Kresti u mbyll më 2017. Të burgosurit u zhvendosën në një ndërtesë tjetër në juglindje të Shën Petersburgut. (Fotografi nga arkivi).

Ajo është një burim të ardhurash për qeverinë. Është gjithashtu një masë për uljen e kostove, duke i mundësuar shërbimit të burgjeve të ketë burgje më të mëdha, “superburgje”, ku mund të mbahen më shumë të burgosur në kushte relativisht më moderne.

Kjo ndihmon po ashtu në shmangien e çështjes së ndjeshme të kujtimit të historisë së trazuar të Rusisë në shekullin XX, e cila gjatë 26 vjetëve të Vladimir Putinit si figura kryesore politike e vendit është fshirë gradualisht ose është rishkruar krejtësisht.

Kjo përfshin ndalimin e organizatës së Karetnikovës, Memorial, e cila bëri më shumë se çdo organizatë tjetër joqeveritare për të ruajtur dhe dokumentuar krimet në histori.

“Për momentin, shteti e konsideron krijimin e vendeve përkujtimore vetëm në kontekstin e shkatërrimit, rrënimit dhe formave të tjera të eliminimit të tyre, prandaj mendoj se kjo mundësi duhet përjashtuar menjëherë”, tha ajo për Current Time.

“Pse po i shet? Sepse sheh mundësinë për të gjeneruar të ardhura”, tha ajo.

Diku ku ‘mund ta sjellim Madonnën’

Butilka, një tjetër burg i shekullit XIX në Shën Petersburg, ku dikur mbaheshin marinarët, iu transferua qytetit nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 2004.

Gjashtë vjet më vonë, një kompani në pronësi të oligarkut Roman Abramovich mori të drejtat për zhvillimin e pronës dhe hapi kafene, restorante, një sallon bukurie dhe një studio baleti.

Në qendër të Moskës, një ndërtesë ku dikur ishte administrata e burgut në afërsi, Taganka, tani është një hotel me 82 dhoma, ku çmimet nisin nga 5.280 rubla (70 dollarë) për të qëndruar një natë.

I ndërtuar në vitin 1804 dhe i njohur thjesht si Taganka, kompleksi kishte të burgosur politikë deri kur udhëheqësi sovjetik Nikita Khrushchev urdhëroi rrënimin e ndërtesave të tij, me përjashtim të ndërtesës së administratës.

Zhvilluesi Aleksandr Sharapov, i cili tha se e kishte blerë objektin për 15.2 milionë rubla në vitin 2014 (rreth 400.000 dollarë në atë kohë), investoi më pas 500 milionë rubla në rinovimin e tij. Më vonë, ai hapi në këtë vend një muze kushtuar disa prej ish-të burgosurve më të njohur dhe kulturës së burgjeve në Rusi në përgjithësi.

Në Tobolsk, një qytet në Siberi me një fortesë të kohës së carëve, qendra e paraburgimit në “kremlinin” qendror dikur strehonte të burgosurit që dërgoheshin në punë me detyrim ose në internim. Më shumë se 2.500 njerëz u ekzekutuan në hapësirat aty pranë gjatë spastrimeve të Stalinit.

Tani, objekti i quajtur Uznik është shtëpi e një muzeu shtetëror kushtuar punës së të burgosurve në Siberi, si dhe një hostel me 16 shtretër dhe me dhoma të dekoruara si qeli burgu. Një natë qëndrimi në shtretër marinari në një qeli për katër ose gjashtë persona kushton nga 600 rubla (7 dollarë).

“Një hostel i mrekullueshëm!!! Është me stil, ka edhe qeli ndëshkimi”, shkroi një vizitor në një koment në internet. “Ka atmosferë, është i pastër dhe i rehatshëm. Ishte e lehtë të flije. Fjetëm mirë, pavarësisht se dikur ishte burg”.

Në rajonin Kemerovo, që njihet për minierat e qymyrit, Kolonia Penale Nr. 4 e Sigurisë së Lartë u hap nga zyrtarët sovjetikë më vonë, në vitin 1970.

Vendndodhja e saj në rrëzë të një zone të vogël skijimi, të hapur në vitin 1981, e bëri atë tërheqëse për zhvilluesit, teksa burgu u mbyll në vitin 2020, kur autoritetet vendosën që të ndërtonin një kompleks rekreativ për punonjësit.

Kjo nuk ndodhi kurrë dhe deri në këtë muaj, kompleksi mbeti i braktisur dhe në rrënim, teksa zyrtarët u përgatitën të organizonin një ankand të ri.

“Na duhet një vend ku mund ta sjellim Madonnën. Është e kuptueshme pse sipërmarrësit nuk duan të ndërtojnë diçka të tillë, për shkak të kapitalit që kërkohet dhe kohës që duhet për ta kthyer investimin”, i tha një mediumi lokal Aleksei Stoyanov, drejtuesi i menaxhimit të resortit.

Sa i përket rëndësisë kulturore të kompleksit, ministri rajonal i Turizmit i tha gazetës Argumenty i Fakty se “këto ndërtesa… nuk janë objekte të trashëgimisë kulturore dhe nuk kanë vlerë historike”.

Dil nga burgu, shko lufto në Ukrainë

Shitja e objekteve të burgjeve është një masë e qartë për uljen e kostove për Shërbimin Federal të Burgjeve. Sistemi i burgjeve në mbarë vendin dikur mbante qindra mijëra të burgosur në burgje, qendra paraburgimi, koloni penale, kampe pune dhe objekte të tjera të shpërndara në zona të largëta: më shumë se 465.000 para vitit 2021.

Megjithatë, deri në maj, numri i të burgosurve ka rënë me gati 40 për qind, në 282.000, sipas drejtorit të shërbimit, Arkady Gostev, i cili ia atribuoi rënien e dënimeve.

Ai po ashtu e pranoi në heshtje gjetjet e mediave të pavarura dhe organizatave për të drejtat e njeriut: përdorimi i të burgosurve nga ushtria ruse si këmbësorë me aftësi të kufizuara, në luftën në Ukrainë – në thelb si mish për top – ka ulur ndjeshëm numrin e të burgosurve.

Ndërkohë, edhe pse objektet e burgjeve po mbyllen, qendrat më të mëdha të paraburgimit vazhdojnë të jenë të mbipopulluara dhe çp funksionojnë përtej kapaciteteve, tha Karetnikova.

Sipas saj, arsyeja është se autoritetet i mbajnë njerëzit më gjatë në paraburgim, si mënyrë për t’i detyruar që të pranojnë për luftuar në Ukrainë.

“Ata nuk mund t’i bindin të gjithë menjëherë të shkojnë në front. Dhe nëse kalojnë pak kohë në qendrën e paraburgimit dhe shohin se çështja e tyre penale nuk do të rrëzohet, se gabimi nuk do të korrigjohet, ka të ngjarë të ndryshojnë mendje…”, tha ajo.

Burgu i Krestit në Shën Petersburg.
Burgu i Krestit në Shën Petersburg.

‘Një vend i lirisë’

Kresti, që në fund ishte përdorur si qendër paraburgimit, u mbyll përfundimisht në vitin 2017, ndërsa të burgosurit u transferuan në një objekt të ri në juglindje të qytetit.

Kompleksi prej 15 miliardë rublash (182 milionë dollarë), që do të zëvendësojë dritaret me hekura dhe korridoret prej betoni të burgut Kresti, do të përfshijë një hotel biznesi me katër yje dhe 136 dhoma, një hotel “familjar” me 126 dhoma, si dhe një rrugë të hapur me lokale për ushqim, një sallë koncertesh dhe kënd lojërash. Në vendin e oborrit të dikurshëm, ku të burgosurit shëtisnin çdo ditë për pak kohë, do të ndërtohet një restorant luksoz.

Kompania investuese KVS e bleu pronën në shkurt të vitit 2025 për 1.14 miliard rubla, duke ofruar më shumë se një kompani tjetër, i cili kishte propozuar ndërtimin e një “Muzeu të Historisë së së Mirës dhe së Keqes” në këtë vend.

KVS angazhoi grafistin e njohur Artemy Lebedev për të krijuar logon e kompleksit.

“Ky dikur ishte një vend burgosjeje”, tha Lebedev në qershor, teksa prezantoi dizajnin gjatë forumit të biznesit në Shën Petersburg, “por tani është një vend i lirisë”./REL

Planifikoni udhëtimin tuaj nga Köln në Prishtinë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy