Fokus

ALARMANTE: 610 raste të dhu*nimit dhe mbi 1,000 raste të ngacmimit e sulmit sek*sual në Kosovë

Autori: Samire Jaha 10:10 | 25 November 2026

Dhuna seksuale në Kosovë ka marrë përmasa alarmante, me mbi 1,600 raste të regjistruara gjatë tetë viteve të fundit.

Statistikat e Policisë së Kosovës, të siguruara nga Gazeta Infokus, zbulojnë se gjatë periudhës 2019–2026 janë evidentuar gjithsej 1,628 raste të dhunimit, ngacmimit seksual dhe sulmit seksual.

Këto shifra shpërfaqin një realitet shqetësues dhe ngrenë pikëpyetje serioze për sigurinë e qytetarëve, parandalimin e dhunës seksuale dhe mbrojtjen institucionale të viktimave.

-Advertisement-

Sipas statistikave policore, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar:

610 raste të dhunimit;

542 raste të ngacmimit seksual;

476 raste të sulmit seksual.

Këto tri kategori së bashku përbëjnë 1,628 raste të raportuara në Policinë e Kosovës.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar gjithsej 341 raste të dhunimit, ngacmimit seksual dhe sulmit seksual.

Në vitin 2025 janë evidentuar 76 raste të dhunimit, 65 raste të ngacmimit seksual dhe 54 raste të sulmit seksual.

Ndërkaq, nga janari deri në tetor të vitit 2026, Policia ka regjistruar 50 raste të dhunimit, 60 raste të ngacmimit seksual dhe 36 raste të sulmit seksual.

Veçanërisht shqetësues mbetet numri i rasteve të ngacmimit seksual, i cili vetëm në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 pothuajse ka arritur nivelin e regjistruar gjatë gjithë vitit paraprak.

Shifrat tregojnë se dhunimi përbën kategorinë me numrin më të madh të rasteve të regjistruara, i ndjekur nga ngacmimi seksual dhe sulmi seksual.

Megjithatë, këto të dhëna pasqyrojnë vetëm rastet e regjistruara nga institucionet dhe jo domosdoshmërisht numrin e përgjithshëm të viktimave apo të rasteve që mund të kenë mbetur të paraportuara.

Lidhur me këto statistika, sociologu Jahir Sumiçi, në një prononcim për Gazetën Infokus, ka vlerësuar se dhuna seksuale nuk duhet të trajtohet vetëm si një problem individual, por si një fenomen kompleks shoqëror, që ndërlidhet me pabarazinë gjinore, kulturën patriarkale dhe marrëdhëniet e pushtetit.

“Statistikat e prezantuara janë thellësisht shqetësuese, sepse pas secilit prej këtyre 1,628 rasteve qëndron një përvojë njerëzore, një cenim i dinjitetit, i integritetit trupor dhe i sigurisë personale të individit. Nga perspektiva sociologjike, dhuna seksuale nuk mund të trajtohet thjesht si një fenomen individual apo si rezultat i sjelljes devijante të një personi. Ajo duhet të analizohet si një problem kompleks shoqëror, që lidhet me marrëdhëniet e pushtetit, pabarazinë gjinore, kulturën patriarkale, socializimin dhe mënyrën se si shoqëria i ndërton raportet ndërmjet individëve.”, ka deklaruar Sumiçi.

Sipas tij, një nga problemet kryesore në shoqërinë kosovare mbetet ekzistenca e mentalitetit që relativizon dhunën seksuale, fajëson viktimën dhe krijon një kulturë të heshtjes.

“Një nga problemet thelbësore është se në shoqërinë tonë ende ekzistojnë norma dhe mentalitete që, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, relativizojnë dhunën seksuale, fajësojnë viktimën dhe në raste të caktuara krijojnë një kulturë heshtjeje. Kjo ndodh përmes paragjykimeve, stigmatizimit dhe frikës nga gjykimi shoqëror. Si rrjedhojë, viktimat shpesh përballen jo vetëm me traumën e përjetuar, por edhe me presionin e mjedisit shoqëror”, ka theksuar sociologu.

Sumiçi ka ngritur shqetësime edhe për rastet që mund të kenë mbetur të paraportuara, duke përmendur frikën, stigmatizimin, mungesën e besimit në institucione dhe varësinë ekonomike e sociale nga kryerësi i veprës.

“Duhet theksuar se statistikat policore paraqesin rastet e raportuara dhe jo domosdoshmërisht përmasat e plota të fenomenit. Për këtë arsye, është e arsyeshme të shqyrtohet edhe mundësia e një numri të konsiderueshëm rastesh që nuk raportohen, veçanërisht për shkak të frikës, turpit, mungesës së besimit në institucione apo varësisë ekonomike dhe sociale nga kryerësi”, ka thënë ai.

Sipas sociologut, luftimi i dhunës seksuale kërkon angazhim përtej reagimit policor dhe ndëshkimit penal, duke filluar nga edukimi në familje dhe institucionet arsimore, deri te garantimi i mbështetjes psikologjike dhe juridike për viktimat.

Ai ka përfunduar duke theksuar se dhuna seksuale nuk është çështje private, por një problem publik që kërkon përgjegjësi kolektive.

“Një shoqëri nuk matet vetëm me numrin e ligjeve që miraton, por edhe me aftësinë për t’i mbrojtur qytetarët e saj dhe për të mos toleruar asnjë formë të dhunës. Dhuna seksuale nuk është çështje private, por problem publik dhe përgjegjësi kolektive”, ka përfunduar sociologu Jahir Sumiçi.

/Gazeta Infokus/

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy