HULUMTIM PËR VDEKJET E PUNËTORËVE NË KEK: Si i neglizhoi vazhdimisht menaxhmenti paralajmërimet për rrezikimin e jetës së tyre (DOKUMENTE)
Autori: Hateme Smajli
12:25 | 21 November 2026
Për më shumë se dy vjet, në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ishin ngritur paralajmërime për mungesë të inspektorëve, inspektime të pakryera, rreziqe për sigurinë e punëtorëve e edhe mungesë të pajisjeve të nevojshme për kryerjen e punëve. Dokumentet e siguruara nga Gazeta Infokus dëshmojnë se shqetësimet ishin përcjellë në nivele të ndryshme të menaxhmentit, por problemet vazhduan edhe gjatë vitit 2026, kur tre punëtorë humbën jetën. Në këtë periudhë, drejtoria e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ) kishte shpallur gushtin “muaj sulmues”, duke kërkuar intensifikim të prodhimit. Pas tragjedive nisën hetimet për vdekjen e Haxhi Gojnovcit, ndërsa në nëntor u largua përkohësisht nga puna menaxheri i sigurisë, Enver Hoxha, i cili kishte paralajmëruar vazhdimisht për mangësitë dhe rreziqet dhe kishte komunikuar edhe me Policinë për rastet fatale.
Gazeta Infokus
Tre punëtorë të vdekur brenda korrikut dhe gushtit 2026, qindra vërejtje të sigurisë të pazbatuara, inspektime të pakryera dhe mungesë e personelit profesional.
Kjo është gjendja që pasqyrohet në dokumentacionin e brendshëm të KEK-ut, të siguruar nga Gazeta Infokus.
Nga kërkesat e vitit 2024 deri te komunikimet e nëntorit 2026, dokumentet tregojnë se problemet e sigurisë nuk ishin të panjohura për drejtuesit e korporatës duke nisur nga kryeshefi i kaluar, Bekir Gerguri e për të vazhduar më pas edhe me kryeshefin e tanishëm Gramos Hashanin.
Në disa prej tyre, menaxheri i sigurisë, Enver Hoxha, kishte paralajmëruar për rreziqet dhe kishte kërkuar ndërhyrje konkrete nga menaxhmenti.
Përkundër kësaj, gjatë vitit 2026 humbën jetën Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.
Pas këtyre tragjedive, dokumentet zbulojnë edhe një përplasje ndërmjet Departamentit të Sigurisë dhe strukturave drejtuese të KEK-ut, e cila përfundoi me inicimin e procedurës disiplinore dhe largimin e përkohshëm të Enver Hoxhës nga puna, menaxheri e sigurisë që kishte paralajmëruar disa herë menaxhmentin për gjendjen në KEK dhe kishte kërkuar ndërhyrje me qëllim të përmirësimit të sigurisë së punëtorëve në punë.
Që nga viti 2024 kërkoheshin inspektorë – në vitin 2025 inspektimet mbetën të pakryera
Më 2 maj 2024, ushtruesi i atëhershëm i detyrës së drejtorit të DPQ-së, Arsim Krasniqi, kishte kërkuar urgjentisht plotësimin e dy pozitave të inspektorëve të sigurisë për makineri.
Në kërkesën zyrtare, plotësimi i vendeve të punës cilësohej si nevojë emergjente.
Sipas dokumentit, këta inspektorë do të kishin përgjegjësi për identifikimin e mangësive teknike, rekomandimin e masave mbrojtëse dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Por mungesa e personelit vazhdoi.
Më 16 dhjetor 2025, në raportin nr. 832, kryeinspektori Sami Gërxhaliu evidentoi se inspektimet e rregullta vjetore të makinerive nuk ishin realizuar për shkak të mungesës së dy inspektorëve.
Kështu, problemi i personelit kishte kaluar nga një kërkesë administrative në një mangësi konkrete të kontrolleve të sigurisë.
Megjithatë, dy pozitat vazhdonin të ishin të paplotësuara edhe gjatë vitit 2026, kur ndodhën tri aksidentet fatale.


Enver Hoxha paralajmëroi menaxherët: Jeni përgjegjës për kushtet e pasigurta të punës
Më 26 janar 2026, menaxheri i Departamentit të Sigurisë, Enver Hoxha, u kishte dërguar një email zyrtar menaxherëve të departamenteve të DPQ-së, me titull “Siguria dhe shëndeti në punë pjesë në organizimin e punës”.
Në këtë komunikim, Hoxha kërkonte masa parandaluese për shmangien e aksidenteve dhe përmirësimin e kushteve të punës.
“Në subjektet e juaja jeni përgjegjëss për krijimin e kushteve të sigurta të punës gjatë gjithë procesit të punës”, thuhej në email.
Ai u kërkonte drejtuesve të identifikonin dhe eliminonin faktorët e rrezikut, të informonin punëtorët dhe të siguronin që makineritë dhe pajisjet të ishin të përshtatshme për përdorim.
“Punëdhënësi nuk mund të përdorë apo të vërë në punë, mjetet e punës; paisjet e punës, veglat dhe pajisjet për mbrojtje individuale, në qoftë se ato nuk ju përgjigjen standardeve teknike”, theksohej në paralajmërim.
Ky komunikim dëshmon se çështja e sigurisë ishte ngritur drejtpërdrejt te drejtuesit e njësive operative, disa muaj para aksidenteve fatale.


Paralajmërimi për përgjegjësi penale
Një tjetër paralajmërim i rëndësishëm mban datën 3 korrik 2026.
Përmes një emaili zyrtar, të dërguar në kuadër të regjistrit të rreziqeve për tremujorin e dytë, Hoxha kishte kërkuar plotësimin e pozitës së kryeinspektorit të sigurisë industriale dhe të inspektorit të sigurisë për makineri.
Në dokument thuhej se propozimet për sistemimin e personelit ishin miratuar nga menaxhmenti i DPQ-së, por kishin mbetur në Divizionin e Burimeve Njerëzore.
“Propozimi për sistemim të pënëmarrësve ka mbet në DBNJ, me që stafi Menaxherial i Divizionit të Prodhimit të Qymyrit i ka aprovuar propozimet për sistemim”, thuhej në komunikim.
Hoxha kishte paralajmëruar edhe për pasojat ligjore të mosfunksionimit të duhur të shërbimit të sigurisë.
“Në rast të aksidenteve të rënda, avarive dhe aksidenteve me fatalitet, punëdhënësi mund të ndiqet edhe penalisht”, thuhej në komunikim.
Ky paralajmërim ishte bërë më 3 korrik, vetëm pesë ditë para vdekjes së Milazim Binakut dhe pak më shumë se një muaj para dy aksidenteve të tjera fatale.
Në emailin e siguruar nga Infokus, në mesin e marrësve ishte edhe Sabri Ternava, ushtrues i detyrës së drejtorit të DPQ-së.
Dokumenti dëshmon se paralajmërimi për mungesën e stafit dhe përgjegjësinë e mundshme penale ishte përcjellë në nivelin drejtues të divizionit.

“Muaji sulmues” – pretendimet për presione të menaxhmentit
Pavarësisht paralajmërimeve për mungesën e personelit, më 27 korrik 2026, përmes urdhëresës nr. 751, ushtruesi i detyrës së drejtorit të DPQ-së, Sabri Ternava, shpalli gushtin “muaj sulmues”.
Urdhëresa kërkonte shfrytëzim maksimal të kapaciteteve të ekskavatorëve, rritje të prodhimit dhe minimizim të ndalesave.
Një tjetër pikë kërkonte ndërprerjen e pushimeve vjetore gjatë gushtit për punonjësit e përfshirë në procesin e prodhimit.
Urdhëresa parashihte edhe masa sipas rregulloreve të punës për mosrespektimin e saj.

Por dokumentacioni i siguruar nga Infokus përmban pretendime se kjo urdhëresë ishte nxjerrë pas presioneve nga menaxhmenti i lartë i KEK-ut.
Në përmbledhjen e një takimi të zhvilluar më 10 shtator 2026 me auditorët e brendshëm, Ternavës i atribuohet pretendimi se kishte marrë urdhër nga menaxhmenti i lartë për shpalljen e muajit sulmues.
“Gjatë muajit gusht menaxhmenti i lartë i KEK-ut ,me ka urdhëruar që muajin gusht ta shpallim muaj sulmues me qëllim të rritjes së prodhimit në djerrinë”, thuhet në dokument.
Po sipas përmbledhjes së takimit, Ternava kishte ngritur shqetësimin për mungesën e personelit dhe rreziqet që mund të sillte intensifikimi i prodhimit pa plotësimin e vendeve të punës.
“Muaji sulmues nuk është dashur të shpallet pa staf profesional dhe pa plotësimin e punëtorëve në pajisjet e punës, plotësimin e vendeve të punës sipas skemës organizative”, është qëndrimi që i atribuohet atij në dokument.
Këto janë deklarime të evidentuara në përmbledhjen e takimit, jo deklarata të konfirmuara në mënyrë të pavarur nga Ternava derisa Infokus tashmë ka kërkuar nga i njejti sqarimet e nevojshme por nuk ka marrë përgjigje.


Në të njëjtën përmbledhje përmenden rreth 1,080 punëtorë që mungonin në minierë, dy inspektorë aktivë të sigurisë dhe pretendimi se punëtorët kishin mbetur për një periudhë të gjatë pa këpucë e çizme të reja pune.
Megjithatë, vendimi për të rritur prodhimin në një periudhë kur ishin raportuar mungesa të personelit dhe inspektime të pakryera ngre shqetësime serioze për menaxhimin e rreziqeve dhe mënyrën e funksionimit të KEK-ut dhe sjelljen e menaxhmentit në raport me këto probleme.

Tri vdekje – komisionet konstatuan mangësi të sigurisë në këto raste
Më 8 korrik 2026, në KEK humbi jetën Milazim Binaku.
Më 16 gusht, gjatë punës në ekskavatorin ER-4B, humbi jetën Haxhi Gojnovci. Sipas raportimit fillestar, dyshohej se ai kishte rënë nga një lartësi prej rreth 4.2 metrash.


Katër ditë më vonë, më 20 gusht, humbi jetën Arbenit Ahmeti, gjatë një ndërhyrjeje në instalimin elektrik 6 kV.
Raporti i komisionit profesional, i datës 28 gusht 2026, evidenton probleme serioze në procedurat e sigurisë elektrike.
Sipas deklarimit të një dëshmitari të evidentuar në raport, gjatë ndërhyrjes nuk kishin pasur indikator për verifikimin e tensionit.
Komisioni rekomandoi që të mos lejoheshin ndërhyrje në pajisjet 6 kw pa ndërprerjen dhe sigurimin e furnizimit, si dhe pa verifikimin e mungesës së tensionit.
Në raport evidentohej se trajnimi i fundit i sigurisë i dokumentuar për Ahmetin ishte zhvilluar në vitin 2019.
Një tjetër element i rëndësishëm është se Ahmeti ishte caktuar ushtrues detyre i prijësit të ekipit vetëm 19 ditë para aksidentit fatal.


Edhe pas tri vdekjeve, KEK-u vetëm konstatonte mungesën e inspektimeve
Pas tri rasteve fatale, Nënkomiteti i Sigurisë në DPQ, i angazhuar me vendimin nr. 856 të datës 24 gusht 2026, analizoi gjendjen e sigurisë në minierë.
Raporti i tij, i protokolluar me nr. 893, trajton veçmas secilin prej aksidenteve.
Për rastin e Milazim Binakut kërkohej zbatimi i rekomandimeve të komisionit profesional për vendosjen e një rrethoje lëvizëse me rrjetë metalike rreth presës hidraulike, me qëllim parandalimin e aksidenteve të ngjashme.
Por raporti përmbante edhe një konstatim tjetër të rëndësishëm për mungesën e inspektimeve.
Sipas Nënkomitetit, inspektimet e viteve të fundit nuk ishin realizuar për shkak të mungesës së inspektorëve të sigurisë, pozitat e të cilëve kishin mbetur të paplotësuara nga Divizioni i Burimeve Njerëzore, pavarësisht propozimeve të miratuara nga menaxhmenti i DPQ-së.
Nënkomiteti kërkonte që kjo çështje të trajtohej me urgjencë.
“Urgjentisht të kompletohet personeli profesional”, thuhej në dokument, duke theksuar se “siguria duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritetet”.
Për rastin e Gojnovcit, raporti kërkonte rregullimin e vendkalimeve dhe parmakëve mbrojtës të dëmtuar ose që mungonin në makineritë e rënda minerare.
Ndërsa për rastin e Ahmetit kërkohej zbatimi i masave për ndërhyrje të sigurta në instalimet 6 kV, përfshirë ndërprerjen e furnizimit dhe verifikimin e mungesës së tensionit me indikator.
Kështu, edhe pas tri vdekjeve, dokumentet zyrtare vazhdonin të evidentonin mungesë të inspektimeve dhe nevojën për masa urgjente të sigurisë.


Vetëm më 4 shtator 2026, përmes konkursit nr. 6466, KEK-u shpalli një pozitë të kryeinspektorit të sigurisë dhe dy pozita të inspektorëve të makinerisë.
Në hyrje të konkursit, plotësimi i vendeve të lira cilësohej si “nevojë emergjente”.
Pozitat për të cilat ishte kërkuar ndërhyrje urgjente që në vitin 2024 vazhdonin të shpalleshin të lira pas vdekjes së tre punëtorëve në vitin 2026.
Dokumentet e shqyrtuara nuk provojnë se gjatë kësaj periudhe nuk kishte pasur asnjë procedurë tjetër rekrutimi, por dëshmojnë se mungesa e këtyre kapaciteteve vazhdonte të ishte problem.

Prokuroria nisi hetimet për Gojnovcin – kallëzim penal ndaj KEK-ut dhe pesë zyrtarëve
Vdekja e Haxhi Gojnovcit u bë objekt i hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila kishte konfirmuar publikisht inicimin e rastit si “Hetim mbi vdekje”.
Më pas, u raportua se Policia e Kosovës kishte dorëzuar kallëzim penal lidhur me rastin.
Më 10 nëntor 2026 u raportua për kallëzimin penal ndaj KEK-ut si person juridik dhe pesë zyrtarëve: Abedin Syla, Gani Thaçi, Sabri Ternava, Arsim Sogojeva dhe Arsim Krasniqi.
Sipas raportimit për kallëzimin penal, dyshimet lidheshin me pajisjet mbrojtëse në ekskavatorin ER-4B, ku humbi jetën Gojnovci.
Kallëzimi penal është raportuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Kallëzimi penal nuk nënkupton vërtetim të përgjegjësisë penale të personave të përmendur.
Megjithatë, zhvillimet hetimore marrin rëndësi të veçantë përballë dokumenteve që dëshmojnë se mungesa e inspektorëve dhe problemet e sigurisë ishin raportuar shumë kohë para aksidentit.
Auditimi: 332 vërejtje jo plotësisht të zbatuara
Pas aksidenteve, auditimi i brendshëm i KEK-ut evidentoi mangësi serioze në funksionimin e sigurisë.
Në draftin e raportit të auditimit 2026-AO-007, të siguruar nga Gazeta Infokus, përfshihen 19 gjetje kryesore dhe 22 rekomandime.
Nga 528 vërejtje të sigurisë, 224 rezultonin të pazbatuara dhe 108 vetëm pjesërisht të zbatuara.
Pra, gjithsej 332 vërejtje nuk rezultonin të përfunduara plotësisht.
Auditimi evidentoi edhe mungesë të lejeve të brendshme për punë me rrezikshmëri të lartë gjatë vitit 2025 dhe deri në gusht 2026, si dhe probleme në planifikimin dhe dokumentimin e inspektimeve.
Gjetjet përfshinin mangësi edhe në funksionimin e Departamentit të Sigurisë, jo vetëm te strukturat e tjera të menaxhmentit.
Por një pjesë e rekomandimeve të pazbatuara kërkonin investime, mirëmbajtje dhe vendime nga njësitë e tjera të KEK-ut.
Prandaj, përgjegjësia për evidentimin e rrezikut duhet të dallohet nga përgjegjësia për eliminimin e tij.
Dokumenti i plotë i auditimit që ka siguruar Gazeta Infokus është draft, ndërsa fletëparaqitja disiplinore dhe vendimi i 13 nëntorit i referohen raportit përfundimtar të auditimit.
Mungesë e madhe e personelit – paralajmërimet që vazhduan edhe pas aksidenteve
Problemet e personelit nuk kufizoheshin vetëm te dy inspektorët e makinerisë.
Sipas dokumentacionit organizativ të siguruar nga Infokus, në DPQ figuronin 3,184 pozita të planifikuara, ndërsa numri i të punësuarve ishte 2,089.
Diferenca prej 1,095 pozitash tregon një hendek të konsiderueshëm ndërmjet strukturës organizative dhe numrit të punonjësve.
Këto shifra kërkojnë konfirmim nga KEK-u për periudhën përkatëse, pasi jo çdo pozitë e planifikuar përbën domosdoshmërisht vend të hapur dhe të financuar për rekrutim.
Në komunikimin zyrtar të datës 11 shtator 2026, të adresuar auditorëve të brendshëm, menaxheri i sigurisë, Enver Hoxha, kishte kërkuar që auditimi të shqyrtonte jo vetëm Departamentin e Sigurisë, por edhe veprimet dhe mosveprimet e menaxhmentit.
Në këtë dokument evidentohej mungesa e rreth 60 për qind të personelit profesional të sigurisë, si dhe mungesa e automjeteve të mjaftueshme për inspektime në terren.
“Për një periudhë të gjatë janë ngritur kërkesa, mirëpo siguria në punë nuk ka pasë prioritet nga stafi menaxhues i KEK-ut”, thuhej në komunikim.
Në të njëjtin dokument kërkohej që auditorët të shqyrtonin edhe përgjegjësitë e niveleve të tjera drejtuese.
“Prandaj, kërkoj që auditimi të shqyrtojë jo vetëm auditim të Sigurisë në Punë, por edhe veprimet dhe mosveprimet e menaxhmentit”, thuhej më tej.
Dokumentacioni përmend edhe një raport të mëhershëm të auditimit, të datës 2 dhjetor 2025, për të cilin pretendohej se kishte evidentuar nevojën për plotësimin e kapaciteteve profesionale dhe sigurimin e mjeteve të punës.
Në përmbledhjen e takimit me auditorët të 10 shtatorit përmenden gjithashtu mungesa të pajisjeve personale mbrojtëse, përfshirë pretendimin se punëtorët kishin mbetur për një periudhë të gjatë pa këpucë dhe çizme të reja pune.
Këto pretendime, të evidentuara në dokumentacionin e takimit, kërkojnë konfirmim nga menaxhmenti i KEK-ut.
Menaxheri që paralajmëroi disa herë menaxhmentin për rrezikun largohet përkohësisht nga puna
Më 13 nëntor 2026, menaxheri i Departamentit të Sigurisë Industriale dhe Mbrojtjes nga Zjarri, Enver Hoxha, u largua përkohësisht nga puna.
Vendimi nr. 8208 u mor nga drejtori i Divizionit të Burimeve Njerëzore, pas fletëparaqitjes disiplinore nr. 8206 të iniciuar po atë ditë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të DPQ-së, Sabri Ternava.
Sipas vendimit, largimi do të zgjasë deri në përfundimin e procedurës disiplinore, por jo më shumë se gjashtë muaj, ndërsa gjatë kësaj periudhe Hoxhës i takon 50 për qind e pagës.
Vendimi parashikon edhe kompensimin e diferencës së pagës nëse procedura përfundon me lirimin e tij nga përgjegjësia.
KEK-u e ka arsyetuar masën me gjetjet e auditimit të brendshëm, të cilat sipas tyre lidhen me organizimin e stafit, planifikimin e inspektimeve, dokumentimin e aktiviteteve dhe monitorimin e rekomandimeve të sigurisë.
Më 16 nëntor, Hoxha e kundërshtoi fletëparaqitjen disiplinore dhe vendimin për largim, duke kontestuar bazën faktike dhe procedurale të tyre.
Në kundërshtimet e dokumentuara ngrihej edhe çështja e paralajmërimeve të mëhershme për mungesën e stafit dhe pajisjeve, si dhe përgjegjësitë e strukturave të tjera menaxheriale për eliminimin e rreziqeve.
Derisa procedura rreth tij pritet të shqyrtohet në vazhdim.

Dokumentet për Policinë ngrenë dyshime për presione dhe motivin e masës disiplinore
Përveç procedurës disiplinore, dokumentacioni i siguruar nga Gazeta Infokus përmban pretendime për presione ndaj zyrtarëve të sigurisë në KEK pas aksidenteve fatale.
Sipas përshkrimit zyrtar të detyrave të menaxherit të sigurisë, komunikimi me organet ligjzbatuese për çështje të aksidenteve dhe sigurisë në punë ishte pjesë e përgjegjësive të pozitës.
Në dokumentacionin e siguruar nga Infokus evidentohen komunikime të adresuara Policisë së Kosovës lidhur me aksidentet fatale dhe pretendimet për presione nga menaxhmenti.
Një njoftim i datës 2 nëntor 2026, i shënuar si i dorëzuar në Polici më 3 nëntor, përshkruan një takim të zhvilluar më 30 tetor.
Dokumenti ishte përgatitur në emër të menaxherit të sigurisë dhe dy inspektorëve të departamentit.
Sipas këtij njoftimi, gjatë takimit menaxheri i sigurisë ishte përballur me kërkesa për shpjegime lidhur me informacionet e përcjella organeve policore, përfshirë të dhëna për strukturën dhe drejtuesit e KEK-ut.
Në të njëjtin dokument pretendohet se drejtori i DPQ-së kishte kërkuar shpjegime se përse Policisë i ishin dërguar emrat e menaxhmentit.
Sipas njoftimit, në praninë e juristit Naser Sulejmani ishte paralajmëruar edhe inicimi i një procedure disiplinore.
Këto janë pretendime të paraqitura në një dokument të adresuar Policisë, jo konstatime të verifikuara nga organet hetimore.
Megjithatë, kronologjia e ngjarjeve është e rëndësishme.
Më 30 tetor, sipas njoftimit, ishte paralajmëruar procedura disiplinore.
Më 2 nëntor u përgatit njoftimi për presionet e pretenduara, ndërsa më 3 nëntor ai figuron si i dorëzuar në Polici.
Më 13 nëntor, vetëm dhjetë ditë më vonë, ndaj Enver Hoxhës u iniciua procedura disiplinore dhe u mor vendimi për largimin e tij të përkohshëm nga puna.
Menaxheri që bashkëpunoi me policinë ‘menjëherë’ përfundoi me masë disiplinore
Afërsia kohore ndërmjet komunikimeve me Policinë, pretendimit për paralajmërimin e procedurës disiplinore dhe vendimit për largim ngre dyshimin nëse masa ndaj Enver Hoxhës mund të ketë lidhje edhe me informacionet që, sipas dokumentacionit, i ishin përcjellë organeve hetimore.
Ky dyshim mbështetet edhe te pretendimi i paraqitur në njoftimin e 2 nëntorit se procedura disiplinore ishte paralajmëruar pas përcjelljes së emrave të menaxhmentit te Policia.
Megjithatë kjo mbetet për tu vërtetuar dhe tanimë organet e drejtësisë janë duke u marrë me këtë rast.
Në vendimin zyrtar, KEK-u e arsyeton largimin e përkohshëm me gjetjet e auditimit të brendshëm, të cilat sipas tyre përfshijnë mangësi në organizimin e stafit, planifikimin e inspektimeve, dokumentimin e aktiviteteve dhe monitorimin e rekomandimeve.
Më 16 nëntor, Hoxha kundërshtoi fletëparaqitjen disiplinore dhe vendimin për largim, duke pretenduar se procedura ishte e pabazuar dhe se nuk ishin shqyrtuar siç duhej paralajmërimet e tij të mëhershme për mungesën e stafit dhe pajisjeve.
Në kundërshtimin e protokolluar me nr. 8225, ai ngriti edhe çështjen e mundësisë së konfliktit të interesit, duke iu referuar faktit se inicuesi i procedurës disiplinore, Sabri Ternava, ishte ndër personat e përmendur në kallëzimin penal për rastin e Gojnovcit.
Në dokumentin e kundërshtimit përmendet edhe neni 9, paragrafi 2, i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, sipas të cilit personi i ngarkuar me mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve në punë nuk mund të cenohet për shkak të aktiviteteve të tij.
Megjithatë, zbatueshmëria e kësaj dispozite në rastin konkret dhe ligjshmëria e masës disiplinore mbeten çështje për shqyrtim nga organet kompetente.
Paralajmërimet e dokumentuara – tri vdekje, hetime dhe përgjegjësi ende të paqarta
Dokumentet e siguruara nga Gazeta Infokus paraqesin një kronologji shqetësuese.
Në vitin 2024 kërkoheshin urgjentisht inspektorë të makinerisë.
Në vitin 2025 raportohej se inspektimet vjetore nuk ishin realizuar për shkak të mungesës së tyre.
Në janar dhe korrik 2026, menaxheri i sigurisë u kishte përcjellë drejtuesve paralajmërime për rreziqet dhe detyrimet e punëdhënësit.
Në fund të korrikut, drejtoria shpalli gushtin “muaj sulmues”, duke kërkuar rritje të prodhimit.
Gjatë korrikut dhe gushtit humbën jetën tre punëtorë.
Pas tragjedive, komisionet profesionale kërkuan masa urgjente, ndërsa auditimi evidentoi qindra vërejtje të pazbatuara ose pjesërisht të zbatuara dhe mangësi në funksionimin e sistemit të sigurisë.
Për vdekjen e Haxhi Gojnovcit nisën hetimet dhe u raportua dorëzimi i kallëzimit penal ndaj KEK-ut dhe pesë zyrtarëve.
Në të njëjtën kohë, dokumentacioni i siguruar nga Infokus përmban pretendime për presione lidhur me komunikimet me Policinë dhe pak ditë më vonë, menaxheri i sigurisë u largua përkohësisht nga puna.
Dokumentet nuk provojnë se paralajmërimet e pazbatuara apo urdhëresa për intensifikimin e prodhimit kanë shkaktuar drejtpërdrejt aksidentet fatale. Por ato dëshmojnë se problemet e sigurisë ishin të njohura për menaxhmentin dhe se një pjesë e tyre vazhdonte të mbetej e pazgjidhur edhe kur ndodhën tragjeditë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme.
Përgjegjësitë për tri vdekjet, trajtimin e paralajmërimeve dhe motivet e masës disiplinore mbeten çështje që duhet të sqarohen përmes procedurave përkatëse dhe përmes ligjit.
Gazeta Infokus u ka drejtuar pyetje zyrtare menaxhmentit të KEK-ut, personave të përfshirë dhe institucioneve kompetente lidhur me këto zhvillime.
Deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi, redaksia nuk ka pranuar përgjigje nga palët e kontaktuara./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Jakup Krasniqi përfundon vizitën katërditore me familjen në Kosovë
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të...
-
Vizita e Krasniqit, Gucati: Ky kolos i kombit që dha gjithçka për Kosovën, sot mbahet larg më të dashurve të tij
Kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka reaguar me një mesazh emocionues lidhur me...
-
Abdixhiku përkujton Xhavit Ahmetin në 30-vjetorin e vdekjes: Kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin, atdhetarin dhe...
-
Një person pa shenja jete në Istog, policia jep detaje
Një person i gjinisë mashkullore është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotë...
-
Protestojnë mjekët e rinj, studenti kundërshton Kurtin: 534 mjekë në Kosovë janë të papunë
Mundësi të rregullta punësimi, konkurse transparente për specializime dhe pag...
-
Balla poston videon e Jakup Krasniqit: Shqipëria dhe Kosova i duan në shtëpi komandantët e lirisë
Shefi i deputetëve socialistë në Parlamentin shqiptar, Taulant Balla, ka shpë...
-
Lirimi i të akuzuarve për vra*sjen e trefishtë në Gllogjan, gjykata arsyeton se asnjë dëshmitarë nuk e ka identifikuar autorin
Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve,...
-
Hoti: Qeveria nuk mori masa kundër shtrenjtimit, bizneset me fatura trefish më të larta të energjisë
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, kritikon Qeverinë p...
-
Nga Kosova mashtruan 85 të moshuara në Norvegji, grupi bënte jetë luksoze
Policia norvegjeze është duke zbardhur një rrjet të madh mashtrimi në rajonin...
-
Prezantohet roboti pa pilot për FSK-në, “Made in Kosova”
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se për nevojat e Forcës...
-
Jakup Krasniqi përshëndet familjarët nga oborri i shtëpisë, ata nga ballkoni
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mbërritur edhe mëngjes...
-
Aksion policor në tri lokacione, arrestohen katër persona dhe konfiskohen afro 15 kilogramë marihuanë
Katër persona janë arrestuar në një aksion të Policisë së Kosovës, i zhvillua...




































