Fokus

Ish-asistentja e deputetes së VV-së, Shqipe Metaj-Isufi, punësohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Autori: Gazeta inFokus 13:56 | 19 November 2026

Albana Bucaliu, ish-asistente e deputetes së legjislaturave të mëparshme së Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Metaj – Isufi, ka njoftuar se është punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të udhëhequr nga Xhelal Sveçla, shkruan Gazeta Infokus.

Bucaliu ka bërë të ditur se nga 19 nëntori 2026 ka nisur punën në pozitën e Zyrtares së Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në këtë ministri.

Punësimin e ka bërë publik përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur kënaqësinë për angazhimin e saj të ri profesional.

-Advertisement-

“Të nderuar miq e familjarë, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju njoftoj që nga sot po filloj shërbimin tim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës në pozitën e Zyrtares së Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, ka shkruar Bucaliu.

Ajo ka theksuar se posedon dy tituj master, një në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe tjetrin në Integrime Evropiane dhe Administratë Publike.

“Jam tejet e lumtur që, gjithë njohuritë dhe përgatitjen profesionale që kam fituar gjatë studimeve të mia, me ç’rast mbaj dy tituj magjistreje, atë në Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe në Integrime Europiane dhe Administratë Publike, t’i vë në shërbim të vendit tim të shtrenjtë, Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Bucaliu më parë kishte qenë e angazhuar si asistente e Shqipe Metaj-Isufi e cila për katër vjet kishte ushtruar mandatin e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Por Bucaliu nuk është personi i vetëm i lidhur me ish-deputeten Metaj-Isufi që ka marrë një pozitë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në janar të këtij viti, edhe vëllai i ish-deputetes, Genc Metaj, ishte emëruar në një nga pozitat më të larta administrative të kësaj ministrie.

Ai ishte emëruar Sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa më herët kishte ushtruar detyrën e drejtorit në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

Sipas biografisë së tij publike, Genc Metaj ka një karrierë ushtarake dhe ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2016, ai ishte shpallur rreshteri më i mirë në një akademi ushtarake për rreshterë madhorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu, brenda të njëjtit vit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë emëruar në pozita të ndryshme dy persona me lidhje të mëparshme familjare ose profesionale me ish-deputeten e Vetëvendosjes, Shqipe Metaj./Gazeta Infokus/

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy