Pas mbi 4 milionë eurove importe të rrymës direkt nga Serbia, Kurti vendos ta ndalojë tregtimin me kompanitë serbe
Autori: Gazeta inFokus
10:27 | 16 November 2026
Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, pasi gjatë viteve të fundit në Kosovë janë regjistruar importe milionëshe të energjisë me origjinë nga Serbia, shkruan Gazeta Infokus.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, të analizuara nga Gazeta Infokus, vetëm gjatë viteve 2024, 2025 dhe periudhës janar–tetor 2026, vlera e energjisë elektrike të importuar me origjinë nga Serbia arrin në 4 milionë e 109 mijë e 893 euro.
Vendimi i Qeverisë vjen më 16 nëntor 2026, vetëm pak javë pas muajit tetor, kur në të dhënat doganore u regjistrua një rritje e ndjeshme e vlerës së importit të energjisë elektrike nga Serbia.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, deklaroi se ndalimi i tregtimit me kompanitë serbe është përgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare të energjisë nga Serbia.
“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, si masë e parë ndaj Serbisë, për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen nëse nuk ka reflektim”, deklaroi Kurti.
Vetëm në tetor 2026, mbi 604 mijë euro energji nga Serbia
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, importet e energjisë elektrike me origjinë nga Serbia kanë arritur vlerën prej 712.326,48 eurosh.
Ajo që bie në sy është muaji tetor, kur vlera e importit arriti në 604.882,35 euro, apo rreth 85 për qind e të gjithë importit të evidentuar nga Serbia gjatë periudhës janar–tetor.
Për krahasim, në shtator nuk ishte regjistruar import i tillë, ndërsa në gusht vlera ishte vetëm 12.121,52 euro.
Pra, vetëm gjatë tetorit, importi i energjisë me origjinë nga Serbia ishte rreth 50 herë më i lartë se në muajin gusht.
Kjo rritje është regjistruar pak përpara vendimit të Qeverisë për ndalimin e tregtimit me kompanitë serbe.
Mbi 3.2 milionë euro importe nga Serbia gjatë vitit 2025
Nga analiza e dokumenteve origjinale të Doganës rezulton se gjatë vitit 2025, Kosova kishte regjistruar importe të energjisë elektrike me origjinë nga Serbia në vlerë prej 3.234.127,98 eurosh.
Vetëm në janar të atij viti, vlera e importit kishte arritur në 1.774.850,21 euro.
Ndërkaq, gjatë vitit 2024, vlera e importeve të energjisë elektrike nga Serbia ishte 163.438,99 euro.
Kështu, brenda tri periudhave të analizuara, 2024, 2025 dhe janar–tetor 2026, importet e regjistruara nga Serbia kanë arritur në gjithsej 4.109.893,45 euro.
Këto janë vlera të importit të deklaruar në Doganë, ndërsa të dhënat nuk identifikojnë domosdoshmërisht kompaninë përfituese të pagesës. Prandaj, shuma nuk mund të paraqitet automatikisht si fitim neto i kompanive serbe.
Mbi 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike që nga viti 2021
Përtej importeve nga Serbia, Kosova ka shpenzuar shuma shumë më të mëdha për furnizimin me energji elektrike nga tregjet e jashtme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Atlas Institute, të bazuara në të dhënat e Doganës së Kosovës, nga janari i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2026, vlera e përgjithshme e energjisë elektrike të importuar ka arritur në rreth 1.03 miliard euro.
Sipas kësaj analize, gjatë vitit 2021 importi kushtoi rreth 114 milionë euro, në vitin 2022 rreth 218 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 rreth 116 milionë euro.
Në vitin 2024, vlera ishte rreth 142 milionë euro, ndërsa viti 2025 shënoi rreth 259 milionë euro importe.
Për nëntë muajt e parë të vitit 2026, importet arritën në rreth 182 milionë euro.
Këto shifra përfshijnë importin e përgjithshëm të energjisë elektrike nga të gjitha vendet, jo vetëm nga Serbia.
Pse Qeveria vendosi ta ndalojë tregtimin tani?
Qeveria e Kosovës e ka arsyetuar vendimin me bllokimin nga Serbia të kapaciteteve ndërkufitare për tregtimin e energjisë elektrike.
Problemi i këtyre kapaciteteve është ngritur vazhdimisht edhe nga institucionet energjetike të Kosovës, të cilat kanë paralajmëruar se mungesa e funksionalizimit të tregtisë në kufirin Kosovë–Serbi rrit kostot e furnizimit përmes rrugëve alternative.
Megjithatë, ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet importeve me origjinë doganore nga Serbia dhe tregtimit të drejtpërdrejtë me kompani serbe.
Të dhënat e Doganës tregojnë vendin e origjinës së deklaruar të energjisë, por jo domosdoshmërisht vendin ku është regjistruar kompania që e ka shitur atë.
Për këtë arsye, mbetet të sqarohet se cilat kompani dhe kontrata konkrete do të preken nga vendimi i ri, si dhe nëse ai do të ndikojë në importet që deri më tani janë deklaruar me origjinë nga Serbia./Gazeta Infokus


T� tjera
-
Bajrami për ndërprerjen e tregtimit të rrymës me Serbinë: Tash po shiten si patriotë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së K...
-
Kurti demanton propagandën 5 vjeçare të tij me vendim të ndalimit të importit nga Serbia
Pesë vjet deklarata se nuk importohet rrymë nga Serbia, Kurti tani vendos ta ...
-
Kurti për dekretimin e Ligjit për Byronë: Kapitull i ri për drejtësi dhe barazi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folu...
-
Dogana mbledh mbi 1.7 miliard euro për 10 muaj, ja sa u rritën të hyrat
Dogana e Kosovës ka mbledhur mbi 1.7 miliard euro gjatë 10 muajve të parë të ...
-
Kos ua lë fajin muzikantëve për melodinë nacionaliste në “Forumin e zgjerimit”
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ka shprehur keqardhjen për muzikën e këng...
-
Aksidenti në tunelin e Murrizit, kjo është mjekja që humbi jetën
Doktoresha Maltina Ferati nga Tetova, është një nga viktimat e aksidentit të ...
-
Qeveria miraton vendimin, ndërpritet tregtimi i rrymës me kompanitë nga Serbia
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin, për ndalimin e tregtimit të ...
-
Tahiri kërkon reagimin zyrtar të BE-së ndaj këngës nacionaliste serbe: Kosova të intensifikojë diplomacinë me SHBA-në
Tahiri kërkon reagimin zyrtar të BE-së ndaj këngës nacionaliste serbe: Kosova...
-
Kurti: Do ta ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe
Kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria do të marrë sot tri ven...
-
Një grua dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit, dyshohet se iu përkeqësua gjendja gjatë intervistimit në Polici
Një grua ka vdekur gjatë rrugës për në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi dy...
-
Haxhiu: Presim sqarime nga Komisioni Evropian për këngët nacionaliste që u kënduan në hapjen e Forumit të zgjerimit të BE-së
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me interp...
-
Qeveria e Kosovës mblidhet sot
Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, e cila është paraparë t...





























