Lajme

Ankesa e dyshimtë që i shkoi OSHP-së në “çastet e fundit” për tenderin 8 milionësh të KOSTT-it

Autori: Gazeta inFokus 10:46 | 12 November 2026

Pak para hapjes së ofertave për tenderin 8 milionësh të KOSTT për nënstacion mobil, një ankesë e dyshimtë është dorëzuar në OSHP. Tenderi është pezulluar automatikisht dhe të gjitha ofertat e dorëzuara deri në atë moment, janë fshirë nga sistemi. Dorëzimi i saj u bë disa orë pas raportimit të Buletini Ekonomik për dyshimet mbi specifika favorizuese ndaj kompanisë Hitachi Energy.

Procedura për tenderin 8 milionësh të KOSTT për furnizim me nënstacion mobil, është pezulluar.

Disa orë pasi Buletini Ekonomik publikoi pjesën e dytë të hulumtimit për këtë tender, mbi dyshimet për specifika favorizuese ndaj kompanisë Hitachi Energy, një ankesë e dyshimtë është dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Pjesa e parë e hulumtimit trajtonte trefishimin e çmimit për këtë aktivitet, nga 3 në 8 milionë euro, pa ndonjë shpjegim.

-Advertisement-

Ankesa ka përfunduar në OSHP disa orë para hapjes së ofertave, ku do të zbulohej se kush dhe me çfarë çmimi ka ofertuar. Me dorëzimin e saj, procedura e prokurimit është pezulluar automatikisht dhe të gjitha ofertat e dorëzuara deri në atë moment janë fshirë nga sistemi.

Njoftimi i KOSTT për pezullim të procedurës

Kompania që ka dorëzuar ankesën është KOSMATI SHPK, e regjistruar tek në prill të vitit të kaluar, me pronar Naser Gashin. Por, nga të dhënat publike që ka hulumtuar Buletini Ekonomik shihet se Gashi në fakt është i njohur për kultivimin e frutave të imëta. Në regjistrin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Gashi figuron si bashkëpronar në kompaninë “Fresh Fruit-Pr”, e regjistruar si biznes në vitin 2014.

Postim i shpërndarë nga pronari i KOSMATIT, Naser Gashi, në rrjetin social Facebook.

Ndërsa sa i përket nënstacioneve dhe pajisjeve elektroenergjetike, asnjë e dhënë publike nuk e lidh atë me ndonjë projekt të ngjashëm. Ngjashëm edhe për kompaninë Kosmati ku Gashi është pronar, nuk mund të gjendet asnjë e dhënë publike që do të dëshmonte përvojën me të tilla projekte.

Kompania madje nuk ka as prezencë në rrjete sociale.

Mospërputhjet në ankesë dhe ndryshimi i datave në sistem

Dyshimet mbi ankesën e KOSMATI ngriten që nga parashtrimi i saj. Në dokumentin e ankesës thuhet se data e parashtrimit të saj është 5 nëntori kur KOSTT edhe e pezulloi tenderin duke u thirrur në këtë ankesë, por në uebfaqen e OSHP’së si datë e pranimit të ankesës figuron 6 nëntori, pra një ditë më vonë.

Mospërputhja ka edhe tek pjesa e autoritetit kontraktues ndaj të cilit është adresuar ankesa. Ndonëse ky është tender i shpallur nga KOSTT, ankesa është bërë ndaj ndërmarrjes TRAINKOS. Brenda ankesës pastaj kompania i referohet si autoritet kontraktues Korporatës Energjetike të Kosovës.

Për pjesën e TRAINKOS, kompania ia ka lënë fajin OSHP’së, duke thënë se është jashtë kontrollit të tyre si paraqiten të dhënat.

“…edhe ne u habitëm kur na e vutë në pah mënyrën se si është paraqitur ankesa në ëebfaqen e OSHP-së. Nuk e dimë saktësisht se si ka ardhur deri te kjo mospërputhje, por supozojmë se mund të jetë ndonjë gabim teknik në uebfaqen e OSHP-së, pasi mënyra se si paraqiten këto të dhëna në atë platformë është jashtë kontrollit tone”, ka deklaruar kompania në përgjigje.

Përgjigjes ia ka bashkangjitur edhe një fotografi nga llogaria e tyre, ku figuron KOSTT si autoritet kontraktues dhe data 5 nëntor.

E për pjesën ku përmendet KEK, janë arsytuar se është “lëshim njerëzor dhe i paqëllimshëm”.

Lidhur me këto mospërputhje, mediumi ka dërguar pyetje edhe tek OSHP, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje.

Të dyshimtë këtë ankesë e bën edhe fakti i ndërhyrjes në sistem pas interesimit të Buletini Ekonomik, përmes pyetjeve lidhur me datën e parashtrimit të ankesës.

Fillimisht data e dorëzimit të ankesës së KOSMATI në platformën e OSHP’së ka qenë 06.11.2026, pra një ditë pas pezullimit të tenderit, ndërkohë sot është ndryshuar në 05.11.2026.

Autoriteti kontraktues vazhdon të mbetet TRAINKOS.

Pronari i kompanisë i painformuar mbi ankesën, njëherë referon te kontabilisti e pastaj te inxhinieri

Ankesa e kësaj kompanie është vetëm për kriterin për 20 nënstacione mobile të liferuara brenda tri viteve, që është konsideruar si prag jashtëzakonisht i lartë.

“Pretendimi i KOSTT-it se tregu ndërkombëtar përmban prodhues serikë dhe se njëzet njësi janë të arritshme për një kontratë mbi 8 milionë euro nuk korespondon me gjendjen reale në treg sepse konform komunkimeve me prodhues global të gatshëm për të marrë pjesë në këtë Aktivitet të Prokurimit, jemi informuar se një kriter i tillë nuk mund të permbushet nga ana e tyre në 3 vitet e fundit”, thuhet në ankesë.

KOSMATI ka kërkuar që të ndryshohet ky kriter. Në vend të 20 stacioneve, ka kërkuar që të lejohet pragu i përvojës përmes së paku dy projekteve të realizuara me sukses në projektimin, prodhimin dhe liferimin e nënstacioneve mobile 110 kV ose më lart, të mbështetura me certifikata pranimi, referenca të klientëve apo dokumentacion teknik përkatës.

Buletini Ekonomik ka kontaktuar me Naser Gashin, pak pas njoftimit të KOSTT për pezullim të procedurave shkaku i ankesës së kompanisë së tij.

I pyetur mbi përmbajtjen e ankesës, Gashi ka deklaruar se nuk është fort në rrjedha, duke shtuar se ankesa është dërguar nga kontabilisti.

Mediumi e ka pyetur tutje Gashin nëse kanë përvojë me nënstacione të tilla, për çka ai është përgjigjur “Po, normal”. Në pyetjen se me cilin prodhues kanë planifikuar të aplikojnë për këtë tender, Gashi nuk është përgjigjur duke thënë se po ka problem me valë, meqë “ishte duke u kthyer nga Shkupi”. I telefonuar sërish atë ditë, nuk e ka hapur telefonin.

I njëjti është kontaktuar edhe të nesërmen. Sapo është pyetur për përvojën e kompanisë me pajisje të tilla, Gashi tash ka thënë se për këtë do të përgjigjet inxhinieri që merret me këtë punë.

Pas insistimit në pyetje për atë nëse kanë pasur ndonjë përvojë me ndonjë nënstacion mobil në Kosovë, Gashi është shprehur se “Po, kemi pas. Konkretisht të kallxon ai inxhinieri, se ai merret më shumë me to”, duke mos pranuar të tregojë se ku saktësisht kanë montuar nënstacione.

Pas dy telefontave, Gashi përmes një mesazhi në telefonin e redaksisë, ka kërkuar që t’i dërgohen pyetjet me shkrim.

Shtëpi private tek adresa zyrtare e kompanisë

Buletini Ekonomik ia ka përcjellë pyetjet të njëjtit me shkrim, ku mes tjerash ka kërkuar edhe të vizitojë zyret e kompanisë apo fabrikën, por Gashi i është shmangur pyetjes.

“Pyetja se ku ndodhet fabrika jonë nuk e sqaron vetvetiu nëse kriteri që KOSTT-i ia ka vendosur prodhuesit është i ligjshëm dhe proporcional”, është thënë në përgjigje.
Ekipi i Buletini Ekonomik ka shkuar në adresën që figuron tek kjo kompani në ARBK, por aty ka gjetur vetëm një shtëpi private.

 

Sa i përket kriterit për të cilin është parashtruar kërkesa, Gashi ka thënë se me prodhuesit që kanë kontaktuar, asnjë prej tyre nuk e përmbush kriterin për prodhimin e 20 nënstacioneve mobile gjatë tri viteve të fundit.

“LM…. ka deklaruar se nuk e përmbush kërkesën për 20 njësi, ndërsa As… ka bërë të ditur se gjatë periudhës përkatëse ka realizuar rreth 10 nënstacione mobile të kompletuara. Në anën tjetër, El…. ka deklaruar: “Fatkeqësisht, gjatë tre viteve të fundit kemi arritur të prodhojmë vetë vetëm 5 nënstacione mobile”, ndërsa Ar… ka theksuar: “Më vjen keq, por gjatë tre viteve të fundit nuk kemi realizuar 20 nënstacione mobile””, ka deklaruar Gashi, duke thënë se këto përgjigje janë tregues konkretë se kriteri i vendosur mund të kufizojë ndjeshëm konkurrencën.

Afati për hapjen e ofertave për këtë tender ka qenë 6 nëntori.

Një ditë para përfundimit të këtij afati, mëngjesin e 5 nëntorit, Buletini Ekonomik publikoi pjesën e dytë të hulumtimit për këtë tender.

Nga analiza e specifikave të këtij tenderi dyshohet për përshtatje të specifikave ndaj një prodhuesi të caktuar. Dy nga pjesët kryesore të nënstacionit mobil që po e kërkon KOSTT-i, bazuar në këto specifika, i përkasin teknologjisë së kompanisë Hitachi Energy, kompani e cila nuk është e panjohur me tendera në KOSTT.

Në pjesën e parë të hulumtimit, ishte trajtuar rritja e vlerës së këtij tenderi nga 3 në 8 milionë euro, pa shumë sqarime dhe detaje nga kjo ndërmarrje.

KOSTT në pritje të OSHP’së për datën e re për oferta

Pasditën e 5 nëntorit, KOSTT njoftoi se tenderi është pezulluar shkaku që një ankesë është dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Autoriteti Kontraktues Oper. Sistemi,Trans.dhe Tregu- KOSTT SH.A. ju informon që një ankesë është dërguar në procedurën e prokurimit Furnizim me Nënstacion Mobil 110 10(20) kV me Transformator Fuqie 31.5 MVA. Procedura e prokurimit është pezulluar. Të gjithë tenderët e dërguar para pezullimit te aktivitetit janë fshirë nga sistemi. Tenderuesit të cilët kanë ngarkuar dokumente ose dërguar tenderët në mënyrë elektronike, duhet që përsëri të dërgojnë tenderët duke krijuar nje tender te ri nga fillimi”, u tha në njoftimin e KOSTT në platoformën e-Prokurimi.

Për pezullimin e procedurës, KOSTT ishte thirrur në Neni 66 të Ligjit për Prokurim Publik.

“Paragrafi 66.1 Dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë aktivitetin e prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë”, parashihet me këtë nen.

Në njoftim, referuar edhe Rregullores, specifikohet se “të gjitha ofertat e dorëzuara deri në momentin e pezullimit do të fshihen nga sistemi dhe që është e domosdoshme që ofertat e OE të ri-krijohen dhe të ri-dërgohen në rast se ndryshohet statusi i procedurës dhe vazhdohet me fazë të tenderimit”.

Sipas Nenit 112 të LPP’së, nëse kërkohet nga autoriteti kontraktues, Kryetari i OSHP mund të nxjerrë urdhër për heqjen e obligimit për pezullimin automatik të aktivitetit të prokurimit nëse duke marrë parasysh pasojat e mundshme negative që mund të ketë pezullimi në të gjitha interesat që mund të dëmtohen duke përfshirë interesin publik dhe interesat e ankuesit.

Buletini Ekonomik ka pyetur KOSTT’in nëse ka bërë kërkesë për heqje të pezullimit, meqë në dosje furnizimi me këtë nënstacion paraqitet si nevojë urgjente.
Nga kjo ndërmarrje kanë deklaruar se nuk parashtrojnë kërkesa të tilla, meqë “i përmbahet me përpikëri parimit të sundimit të ligjit dhe pavarësisë funksionale të OSHP’së”.

Sipas KOSTT, e vetmja kërkesë e arsyeshme është ajo për trajtim me prioritet të pretendimeve.

“E vetmja kërkesë procedurale që KOSTT e vlerëson të arsyeshme është kërkesa drejtuar OShP-së/Panelit përkatës për trajtim me prioritet të pretendimeve ankimore, duke marrë parasysh natyrën dhe urgjencën e projektit elektroenergjetik, mbështetur në dispozitat përkatëse të Rregullores së Punës së OShP-së në Nenin 5 (pika 1.9 Efikasiteti) dhe Nenin 12.1 Parimet e Përgjithshme të Paneleve shqyrtuese”, thuhet në përgjigje.

KOSTT ka thënë se pas vendimit të OSHP’së, do të ndërmarrë hapa për caktimin e datës së re për hapjen e tenderëve.

“Pas marrjes së Vendimit Përfundimtar nga Paneli i OShP-së (i cili përcakton nëse dosja e tenderit mbetet e pandryshuar apo kërkon ndryshime), KOSTT SH.A. do të ndërmarrë hapat e nevojshëm administrativë për caktimin e datës së re të hapjes së tenderit, duke siguruar afate të mjaftueshme ligjore për përgatitjen e ofertave nga operatorët ekonomikë”, kanë deklaruar nga kjo ndërmarrje.

Vlera e parashikuar e kontratës për këtë furnizim është 8 milionë e 20 mijë euro, ndonëse fillimisht brenda zyreve të KOSTT ishte llogaritur të kryhej për 3 milionë euro.

Nënstacioni Mobil është një sistem i lëvizshëm që përdoret për të transformuar tensionin e energjisë elektrike dhe për të mundësuar furnizimin e rrjetit. Ai zakonisht vendoset mbi një platformë (kamion) transportuese dhe mund të zhvendoset nga një lokacion në tjetrin.

Nënstacione të tilla përdoren kryesisht në raste emergjente, gjatë prishjeve të pajisjeve ekzistuese, gjatë punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit ose kur nevojitet përkohësisht kapacitet shtesë për furnizim me energji elektrike.

Në rastin e tenderit të KOSTT-it, bëhet fjalë për një nënstacion mobil me kapacitet transformimi prej 31.5 megavolt-amperësh (MVA), i cili mund të ulë tensionin e energjisë elektrike nga 110 kilovoltë (kV) në 10 ose 20 kilovoltë, për ta përshtatur atë për rrjetin e shpërndarjes. /Buletini Ekonomik

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy