Lajme

“Qeveria na bllokon, qytetarët po e paguajnë çmimin”, Rama kërkon ndihmën e privatëve për pastrimin e Prishtinës

Autori: Gazeta inFokus 10:18 | 12 November 2026

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokimin e iniciativave të Komunës për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, duke deklaruar se për shkak të këtyre pengesave është detyruar të kërkojë ndihmën e operatorëve privatë.

Përmes një reagimi publik, Rama ka pretenduar se institucionet qendrore kanë penguar si themelimin e një kompanie të re komunale të pastrimit, ashtu edhe realizimin e një marrëveshjeje për sigurimin e 100 kamionëve shtesë për kompaninë “Pastrimi”.

Sipas tij, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka dhënë vlerësim negativ për themelimin e kompanisë së re komunale, ndonëse, siç thotë ai, një praktikë e tillë është ndjekur edhe nga komunat e Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

-Advertisement-

“E krijuam kompaninë e re komunale të pastrimit, ashtu siç kanë vepru edhe Obiliqi e Fushë Kosova. Por Prishtinën e bllokuan. MAPL-ja e ka kthy vlerësimin negativ!”, ka deklaruar Rama.

Ai ka drejtuar akuza edhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke pretenduar se ky i fundit nuk po e nënshkruan marrëveshjen e arritur me bankën gjermane KfW për sigurimin e 100 kamionëve shtesë për kompaninë “Pastrimi”.

“E kemi arritë marrëveshjen me KfW-në për 100 kamionë shtesë për kompaninë ‘Pastrimi’. Prap na bllokuan. Hekuran Murati nuk po e nënshkrun!”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Përballë kësaj situate, Rama ka bërë të ditur se Komuna ka kërkuar ndihmën e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për angazhimin e operatorëve privatë, të cilët tashmë, sipas tij, kanë filluar të ndihmojnë kompaninë publike në largimin e mbeturinave.

Kryetari i kryeqytetit ka njoftuar se, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, ka dalë në terren për të parë nga afër punën e operatorëve privatë.

Por Rama nuk është ndalur vetëm te akuzat për pengesa administrative. Ai ka pretenduar se Qeveria po i ndëshkon politikisht komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo Qeveri ka vendosë me shpallë armik secilën komunë që nuk udhëhiqet nga Vetëvendosje!”, ka deklaruar ai.

Sipas Ramës, pasojat e këtyre bllokadave po i bartin qytetarët, të cilët po përballen me probleme në shërbimet bazë të pastrimit.

“Dhe kjo është marrja ma e madhe që e ka pa Kosova, me i lanë qytetarët pa shërbime, veç pse nuk ta kanë votu partinë!”, ka shtuar Rama.

Në fund, ai u ka kërkuar falje qytetarëve të Prishtinës për gjendjen me mbeturinat, duke i falënderuar për durimin dhe mirëkuptimin.

“Bllokadat janë jashtë duarve tona, por pasojat po i përjetoni ju”, ka theksuar ai, duke premtuar se Komuna do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje alternative për menaxhimin e mbeturinave.

Akuzat e Ramës ndaj MAPL-së, ministrit Murati dhe Qeverisë mbeten pretendime të tij, ndërsa në reagimin e publikuar nuk është përfshirë qëndrimi i institucioneve të akuzuara./Gazeta Infokus

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy