Lajme

Fluturon Presidenca, kontratë mbi 273 mijë euro për bileta aeroplani

Autori: Gazeta inFokus 11:17 | 10 November 2026

Zyra e Presidentes së Kosovës nuk po kursen para për komoditetin e Presidentës Justina Shiroka Pula. Ajo ka dhënë një kontratë në vlerë prej 273 mijë e 3 eurosh për bileta aeroplani, duke planifikuar një shumë të konsiderueshme të parasë publike për fluturime, shkruan Gazeta Infokus.

Dokumentet zyrtare të prokurimit publik, të siguruara nga Gazeta Infokus, zbulojnë se institucioni i Presidencës ka përzgjedhur një kompani private për sigurimin e biletave të aeroplanit, përmes një kontrate që do të zgjasë tri vite.

Bëhet fjalë për tenderin me titull “Shërbime të transportit ajror – bileta”, për të cilin Presidenca fillimisht kishte parashikuar një buxhet prej hiç më pak se 400 mijë eurosh.
Pas përfundimit të procedurave të prokurimit, kontrata i është dhënë kompanisë “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, në vlerë të përgjithshme prej 273,003 eurosh, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Mbi 91 mijë euro në vit, rreth 7,600 euro në muaj për bileta aeroplani

Nëse shuma e kontratës ndahet në mënyrë të barabartë përgjatë periudhës trevjeçare, rezulton se Presidenca ka planifikuar një vlerë mesatare prej 91 mijë eurosh në vit, apo rreth 7 mijë e 583 eurosh në muaj, vetëm për shërbimet e transportit ajror.

Kjo shumë e konsiderueshme e planifikuar për udhëtime ngre pyetje për nevojën, arsyeshmërinë dhe kontrollin e shpenzimeve të parasë publike nga institucioni më i lartë përfaqësues i shtetit.

Për më tepër, në dokumentin zyrtar nuk specifikohet se sa bileta aeroplani do të blihen me këto mjete, kush do të udhëtojë apo cilat do të jenë destinacionet.

“Shërbime të udhëtimit me aeroplan (bileta) për nevojat e Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës. Relacionet nuk mund të definohen paraprakisht”, thuhet në dokumentin e tenderit.

Kështu, ndonëse është përcaktuar vlera e kontratës, dokumenti i publikuar nuk ofron një pasqyrë të detajuar për numrin e udhëtimeve dhe destinacionet për të cilat parashihen këto shpenzime.

Sipas njoftimit zyrtar për dhënien e kontratës, të datës 9 nëntor 2026, në këtë aktivitet të prokurimit kanë marrë pjesë vetëm dy operatorë ekonomikë.

Kriteri për përzgjedhjen e fituesit ka qenë çmimi më i ulët, ndërsa kontrata i është dhënë kompanisë “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, me seli në Prishtinë.

Nënshkrimi i kontratës është planifikuar për 10 nëntor 2026, ndërsa marrëveshja do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh. /Gazeta Infokus/

 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy