Lajme

Mungesa e uniformave – pas raportimit të Infokus, IPK rekomandon suspendimin e drejtorit të Prokurimit të Policisë

Autori: Gazeta inFokus 18:12 | 05 November 2026

Pas raportimeve të Gazetës Infokus për mungesën e uniformave për kadetët e rinj të Policisë së Kosovës dhe shtyrjen e ceremonisë së diplomimit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të drejtorit të Prokurimit në këtë institucion.

Sipas IPK-së, ndaj zyrtarit në fjalë janë duke u zhvilluar hetime nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi në proceset e prokurimit publik.

“Hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar një hetim paraprak ndaj zyrtarit në fjalë me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

-Advertisement-

Sipas Inspektoratit, hetimet përfshijnë dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.

“Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës”, thuhet tutje në komunikatë.

Për të garantuar mbarëvajtjen e hetimeve, IPK ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës që zyrtari të suspendohet deri në përfundimin e hetimit penal.

“Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit hetimor, IPK i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të zyrtarit në fjalë deri në përfundimin e hetimit penal”, thuhet në komunikatë.

Për këtë çështje është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Gazeta Infokus kishte raportuar se ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave.

Infokus kishte raportuar gjithashtu se, për shkak të mos sigurimit të uniformave të reja, kadetët ishin detyruar të huazonin pjesë të uniformave nga gjeneratat e mëparshme.

Mungesa e uniformave ka qenë problem i vazhdueshëm në Policinë e Kosovës. Sipas Sindikatës së Policisë, tenderët për furnizim me uniforma kanë dështuar që nga viti 2021.

Rekomandimi i IPK-së për suspendimin e drejtorit të Prokurimit vjen në kohën kur Policia e Kosovës po përballet me kritika për mungesën e pajisjeve bazike për pjesëtarët e saj.

Megjithatë, IPK nuk ka saktësuar nëse hetimet ndaj këtij zyrtari lidhen drejtpërdrejt me tenderët për uniforma.

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy